Nga Fitim Zekthi
Ka kohë, por sidomos këto ditë, që është bërë shumë më e thekshme ideja se SHBA është kundër opozitës, është kundër Bashës dhe PD-së, është kundër Berishës. Po ashtu thuhet rëndom se SHBA është me Ramën, se Rama përkrahet nga amerikanët etj.
E majta ish-komuniste shqiptare, PS-ja, kryeministri Rama dhe qeveria e tij janë të angazhuar aq rëndë në propagandë prej shumë kohësh sa ata ia kanë dalë të prodhojnë siç thotë Jean Baudrillard një “reale më reale se realja”. Po të bësh një eksperiment apo një provë dhe të shohësh sasinë e aktivitetit propagandistik të kryeministrit Rama dhe ta krahasosh atë me sasinë e aktivitetit propagandistik të ministrit nazist të propagandës Goebelsit, të Musolinit,të Leninit, të Fidel Kastros etj, do të vëresh se Rama ua kalon atyre. Po të masësh sasinë e kohës në të cilat ai mban fjalime, po të masësh përqindjet që zënë në media qëndrimet, deklarimet, llogjet, kronikat e tij në raport me përqindjet që zë opozita, që zënë ngjarje të tjera të vendit do të vëresh se raporti është shumë i më i madh se sa ishte ai i qeverive naziste apo fashiste.
Veç kësaj sasie gjigante, ashtu si edhe Goebelsi, Musolini dhe Enver Hoxha kryeministri Rama përdor një gjuhë pushteti e cila ka për qëllim shpëlarjen e truve të njerëzve.
Gjuha është veç të tjerash edhe një mjet pushteti. Është pushteti që e ideon dhe sendërton gjuhën, në mënyrë që ajo të pohojë pushtetin dhe ti bëjë njerëzit ta besojnë atë kryesisht përmes sloganeve dhe përsëritjes së vazhdueshme të të njëjtit budallallëk : ata nuk duan reformën, ata janë pengesa, ne duam reformën, ne duam Amerikën, tepsia, filxhani, timoni, Shqipëria që duam, frika nga veting…etj. Gjatë këtyre viteve kryeministri Rama nëpërmjet kësaj sasie gjigante propagande ka synuar të thotë se ai është i miri, perëndimori, ai që duan amerikanët, i ndershmi që po bën me amerikanët reformën në drejtësi dhe po ndryshon Shqipërinë ndërsa PD dhe Basha janë e keqja, pengesa, të korruptuarit, ata nuk duan reformën, ata që nuk i do Amerika.
Teksa vendi është zhytur në një krizë të thellë politike dhe qeveria Rama po shkon e vetme në zgjedhje në mënyrë të njëanshme përballë protestave të opozitës dhe përballë dëshmive të pakundërshtueshme të shtypit gjerman se Rama në bashkëpunim me krimin dhe aparatin shtetëror ka blerë zgjedhjet. Është e qartë se ambasada amerikane në Tiranë përmes të ngarkuarës me punë dhe zëvendës ndihmës sekretarit Palmer përkrahin mbajtjen e zgjedhjeve në datën 30 qershor në mënyrë të njëanshme.
A tregon kjo mbështetje se SHBA është kundër opozitës dhe se SHBA është me Ramën?
SHBA është një vend i themeluar mbi parimet e shenjta të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor. Që në gjenezë një grup njerëzish, puritanët e anijes së Lules së Majit, që ishin bërthama nga e cila më pas do të lindte SHBA-ja kërkonin të ndërtonin një shoqëri në një tokë të re ku të mbretëronte liria (në themel të të cilave ajo fetare) respekti për të drejtën, jetën, dinjitetin etj.
Deklarata e Pavarësisë i mishëroi këto parime dhe tha se njerëzit janë pajisur me të drejta të patjetërsueshme të dhëna nga Zoti mes të cilave jeta, liria, ndjekja e lumturisë dhe se për të garantuar këto të drejta njerëzit ngrenë qeveri. Kur qeveria bëhet destruktive e këtyre qëllimeve atëherë njerëzit kishin të drejtë ta ndërronin ose rrëzonin qeverinë.
Këto parime të shkruara në Deklaratën e Pavarësisë janë mishëruar në kushtetutën e SHBA-së dhe këto parime kanë udhëhequr SHBA-në në ndërtimin e një prej republikave më të mira, më të mrekullueshmeve të të gjitha kohërave. Ndarja e prerë e pushteteve, pavarësia e gjykatave, liria e shprehjes, liria fetare, zgjedhjet e lira janë ngjizur që në atë moment dhe nuk janë diskutuar kurrë. Si çdo republikë e mrekullueshme edhe SHBA ka patur armiqtë dhe luftërat e saj të cilat kryesisht kanë ardhur për shkak se entitete apo rryma të caktuara kanë dashur të shkatërrojnë parimet e mësipërme. SHBA ka bërë një luftë civile për të mbrojtur këto parime, SHBA ka luftuar racizmin, segregacionin, ka luftuar përpjekjet e progresistëve për të politizuar gjykatat sidomos në vitet rusveltiane, ka luftuar anarkizmin e viteve 20-30, ka luftuar populizmin, ka luftuar komunizmin etj.
SHBA ishte forca kryesore që zbarkoi në Normandi kundër fashizmit në 1944 dhe ishte forca kryesore që ndërtoi Europën pas luftës së dytë. SHBA ishte forca që nuk lejoi komunizmin të merrte Italinë, Francën dhe gati gjithë Europën, SHBA ishte modeli i lirisë në kohën e burgut të madh komunist.
Në kohën e viteve të demokracisë Xheksioniane 1830-1860 në SHBA u botua nga John Sullivan traktati Manifest Destiny i cili tregon se çfarë është SHBA. Ai thotë se SHBA është mbrujtur me virtyte dhe institucione të veçanta dhe se ajo e ka për mision mbrojtjen dhe përhapjen e këtyre virtyteve. Ky dokument që thotë se në deje të SHBA-së janë parimet e Deklaratës është në një farë mënyre ai që ka udhëhequr SHBA-në megjithëse ka autorë (jo aq të shumtë) që e kundërshtojnë fuqinë e këtij dokumenti.
Në politikë të jashtme SHBA ka qenë herë izolacioniste dhe herë intevencioniste, ka qenë herë realiste dhe herë neorealiste ose konstruktiviste por kurrë ajo nuk ka dalë jashtë binarëve të parimeve të Deklaratës, të kushtetutës, të Mafifest Destiny, të mendimit të Etërve Themelues etj. Sot SHBA nuk është më izolacioniste megjithë një tis te lehtë që po i jep në këtë drejtim presidenti Trump. Pra ajo është sot shumë e angazhuar në botë.
Le të vijmë tek ne atëherë, a është SHBA me Ramën, a është ajo kundër Bashës dhe kundër opozitës?
SHBA-të, pa hyrë shumë ne detaje teorike, si çdo shtet tjetër përkrahin dhe janë me atë parim, me atë individ, me atë shtet, me atë organizatë që është afër tyre, që mbron parimet e tyre që ka idetë e tyre, që ngjan si me thënë me ata vetë.
Çfarë ka Rama dhe qeveria e tij të ngjashme me parimet e Deklaratës, me parimet e kushtetutës së SHBA-së, me lirinë e medias dhe të fesë, me pavarësinë e gjykatave dhe zgjedhjet e lira?
Rama përfaqëson sot gjënë më larg SHBA-së në çdo aspekt nga ai kulturor (Rama është një ateist ultraliberal që i përbuz fetë, që e dëshmon edhe në veshje dhe në fjalor përçmimin për vlerat e virtytit të veçantë që kanë SHBA siç thotë Manifest destiny) tek aspekti politik ku Rama ka ndërtuar një regjim autokratik, pa gjykata të pavarura, me media të kontrolluara dhe që po mban zgjedhje i vetëm pa opozitën.
Rama dhe qeveria është kapur para gjithë botës në përgjime ku blihen votat turpshëm. Vendi u shndërrua në vitin 2015 në një plantacion hashashi që krimi dhe politika janë aq të lidhur sa nuk dihet kush kontrollon njëri tjetrin ai qeverinë apo qeveria atë. Partia e kryeministrit është partia që për 45 vjet ndërtoi regjimin kriminal komunist, parti e cila sot ministrin e brendshëm të asaj kohe e ka zgjedhur kryetar të kuvendit. Rama ndryshe nga paraardhësi Nano, solli në parti njerëz që vijnë direkt nga ish- noimenklatura komuniste. Në këtë kuptim nuk ekziston një SHBA që mund të jenë me Ramën.
Po opozita çfarë përfaqëson? PD dhe Basha megjithë shumë kritika që mund të bëhen nuk janë një parti që kanë njerëz që vijnë nga krimi dhe droga në strukturat e saj. Basha vetë kulturalisht përfaqëson një individ familjar që respekton vlerat e gjithkujt, i shkolluar në perëndim, që vjen nga nja familje pa asnjë lidhje me komunizmin dhe me krimet e tij. Ai nuk është një ultraliberal ateist që përbuz vlerat e besimit, fjalori, sjellja nuk kanë asgjë kundër lirisë, kundër drejtësisë, kundër dinjitetit njerëzor. Ish-lideri Berisha përfaqëson një figurë të fortë, me moral konservator, që ka themeluar PD-në dhe ka rol të fortë në rrëzimin e komunizmit, njeri që ka udhëhequr anëtarësimin e vendit në NATO. Gjithë PD-ja është pak a shumë një parti e mbushur me antikomunistë, liberalë dhe konservatorë, njerëz që nuk kanë asnjë mospërputhje kulturore dhe politike me vlerat e Deklaratës së Pavarësisë apo të asaj që është SHBA-ja.
Atëherë ka disa shpjegime për faktin pse SHBA është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor. Së pari PD-ja e cila është natyralisht më afër SHBA-së, Basha që është sigurisht shumë më afër asaj që përfaqëson SHBA-ja kulturalisht dhe politikisht duhet të mos kenë gjetur mënyrën e duhur për të realizuar synimet e tyre politike që janë rrëzimi I qeverisë Rama, çmontimi I strukturës kriminale që blen zgjedhjet dhe zhvillimi I zgjedhjeve të lira (synim krejtësisht në përputhje me parimet amerikane). Në politikë rruga ka rëndësi të madhe. Duhet substanca e duhur dhe qëllimi duhur por edhe rruga duhet të jetë e drejtë.
Protestat janë padyshim rruga e duhur por ndoshta është dashur një dialog më i madh, ndoshta është dashur mos-djegia e mandateve. PD-ja ka shumë mundësi të mos ketë arritur të bindë SHBA-në se nuk ka asgjë në PD, nuk ka asgjë në betejën e saj dhe në parimet e saj politike që nuk përputhet me parimet mbi të cilat është ngritur SHBA-ja. Propaganda e tmerrshme e PS-së dhe sulmet e egra të saj ndaj PD-së mund ta kenë ngarkuar atmosferën aq sa dikush në administratën e SHBA-së ose në edhe jashtë administratës të përfitojë nga kjo atmosferë.
Me sa duket për të mos favorizuar një rrugë të gabuar për një qëllim të drejtë SHBA po përkrah zgjedhjet e datës 30. Por ama zgjedhjet e datës 30 si datë, si stacion, jo si proces legjitimimi i Ramës. Kjo përkrahje nuk mund të jetë kurrë një përkrahje për Ramën. Pas datës 30 do të kemi një shpërfaqje shumë më të qartë të asaj që është SHBA-ja.
Së dyti, mund të kemi të bëjmë me faktin që zyrtarët në fjalë, Mathew Palmer dhe ata të ambasadës, të mos jenë bartës të asaj që është SHBA-ja, të mos jenë njerëz që udhëheqin veprimet e tyre nga parimet e Deklaratës së Pavarësisë. Deklarata thotë se “…kur qeveria bëhet destruktive e këtyre qëllimeve atëherë njerëzit kanë të drejtë ta ndërrojnë ose rrëzojnë qeverinë”.
Si ka mundësi që të jenë kundër Deklaratës së Pavarësië atëherë. Një nga themeluesit e SHBA, autor i Deklaratës dhe i Kushtetutës së SHBA-së Alexander Hamilton, thotë se ata që heqin dorë nga liria për të pasur siguri atëherë nuk meritojnë asnjërën. Pra atëherë pse ka zgjedhur Palmer të jetë kundër Hamilton, pse Palmer kërkon që të bëhen zgjedhje me një parti dhe të kemi siguri pavarësisht lirisë?
Hamilton gjithashtu thoshte se zgjedhjet nuk janë diçka ku dy ujqër dhe një dele votojnë se çfarë do të hanë për darkë por diçka ku dy ujqër përballen me një dele super të armatosur e cila kundërshton këtë mënyrë votimi. Atëherë pse Palmer kërcënon ose është kundër deles?
Në SHBA ka patur gjithnjë zyrtarë, jo aq të shumtë sigurisht, që kanë patur qëndrime të cilat nuk kanë patur të bëjnë me Deklaratës e Pavarësisë dhe parimet mbi të cilat është themeluar SHBA-ja. Këta kanë qenë në disa raste edhe në nivele shumë të larta. Në Gjykatën Supreme të SHBA-së ka patur gjyqtarë që kanë qenë pro shndërrimit të SHBA-së një vend socialist, në departamentin e shtetit ka patur zyrtarë që kanë qenë komunistë, që kanë besuar tel Stalini, që kanë promovuar edhe idetë e tij, në departamentin e drejtësie ka patur njerëz që kanë qenë kundër lirive fetare që ka SHBA-ja, etj.
Dhe ata kanë marrë vendime. Ka patur shumë raste kur shumë vendime të departamentit të shtetit janë marrë nga njerëz me bindje të tilla. Ish-ambasadori Donald Lu në një rast në Tiranë doli në mbrojtje të agjendës gay dhe ishte i pranishëm ditën kur u bë parada gay. Dihet që Departamenti i shtetit nuk e ka këtë politikë zyrtare. Sekretari i shtetit Mike Pompeo është shprehur qartë kur ka qenë anëtar i kongresit se është besimtar dhe është kundër promovimit të kësaj kulture dhe kundër martesave gay. Edhe presidenti Trump është kundër po ashtu. Atëherë pse Lu ishte në paradë?
Ka gjasa që zyrtarët si Palmer të përfaqësojnë kulturalisht një mendim tjetër, jo atë mbi të cilin është themeluar dhe udhëhiqet SHBA. Gjithsesi ky nuk duket se është tamam rasti jonë. SHBA, më shumë gjasa, thjesht po përpiqet të bëjë të mundur që Shqipëria të jetë një vend që udhëhiqet nga parime dhe institucione që ngjajnë me ato të SHBA-së dhe nuk po përkrah për asgjë Ramën. Rama është thjesht kryeministri në detyrë i cili po shkon aq larg nga parimet e SHBA-së sa është çështje kohe që ai të “hidhet në rrugë”. PD-ja dhe Basha çfarë do që të ndodhë shumë shpejt do të jenë edhe më afër SHBA-së pikërisht sepse përfaqësojnë parime dhe vlera që janë më afër atyre mbi të cilat është ngritur SHBA.
Propaganda e Ramës ka bërë që ndonjë detaj gabim në rrugën e PD-së të shitet si armiqësi e PD-së me SHBA-në ndërkohë që kriminalizimi i vendit nga PS-ja të mbulohet nga fakti që PS dhe Rama po “përdoren si qeveria në detyrë” për të vijuar bashkëpunimin me SHBA.
Ka diçka që dallon thelbësisht PD-në nga PS-ja dhe të majtën botërore nga e djathta botërore. E majta në botë gjithnjë ka thënë se SHBA janë vend imperialist, që imponojnë atë që duan edhe kundër vullnetit të popullit, që janë xhandari, që mbrojnë maskarenj dhe diktatura.
Sigurisht që në Shqipërinë me trashëgimi komuniste këto ide qarkullojnë fort. PS-ja dhe Rama padyshim që kështu mendojnë. Rama dhe njerëzit pranë tij e kanë bindje se SHBA sheh interesin e vet, se SHBA nuk mbron asnjë vlerë, se ato që thuhen në Deklaratën e Pavarësie apo në tekste të tjera janë përralla. Për shkak të këtij besimi ata rreken të bëhen servilë dhe shërbëtorë dhe mendojnë se kështu janë “njerëz të amerikanëve”. Nuk ecën kurrë kjo me amerikanët pavarësisht se mund të duket ashtu. Rama do të jetë shembulli më domethënës.
E djathta është ndryshe, është më dinjitoze. Ajo nuk e sheh SHBA-në si xhandar si përkrahëse të maskarenjve apo si përkrahës të diktaturave kur ka interes. E djathta, siç ishte rasti I De Gaulle-it që doli nga komanda e NATO-s, di të reagojë me dinjitet ndaj SHBA-së kur ajo del nga parimet e veta të respektit për liritë, dinjitetin dhe të drejtën. Kjo është krejtësisht amerikane. /Politiko.al