Dokumentat/ Konflikti Top Channel-New Vision, “fijet” që favorizojnë Vjollca-Blushin

Nga Boldnews.al

Disa mekanizma në “hije” lëvizin fijet në Gjykatën e Tiranës, ku, për paditë civile që përfshijnë Vjollca Hoxhën dhe Ben Blushin, shorti përzgjedh të njëjtët gjyqtarë, të cilët, në përfundim vendosin gjithnjë në favor të dyshes drejtuese të Top Channel.

Pak kohë më parë, “Boldnews.al” ka raportuar se shortet e zhvilluara nga kryetarja e shkarkuar e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, në mënyrë “të çuditshme” përzgjidhnin gjyqtarët Ervin Pollozhani, Marjana Dedi (Shegani) apo Julian Haxhiu, sa herë që dyshja “Vjollca-Blushi” ishin palë në procese gjyqësore.

E njëjta histori është përsëritur edhe gjatë javëve të fundit.

Gjyqtarja e Tiranës, Marjana Dedi (Shegani) pritet që, me shumë mundësi, të japë të Mërkurën një vendim në favor të drejtuesve të Top Channel, Vjollca Hoxha e Ben Blushi, në një proces me dyshime të forta manipulimi, ku pala përballë tyre është kompania “New Vision”.

Shoqëria “New Vision” ka kryer punime të ndryshme për Top Channel, ku ndër kryesoret është ngritja e studiove të emisioneve më të rëndësishme të televizionit. Pas një bashkëpunimi të vazhdueshëm, Top Channel, e administruar nga Vjollca Hoxha, nuk i kishte shlyer kompanisë “New Vision” një detyrim prej rreth 500 mijë dollarë.

Kompania “New Vision”, pas disa tentativave të dështuara për të marrë pagesat nga Top Channel, i drejtohet Gjykatës së Tiranës. Kjo e fundit shqyrtoi rastin dhe vendosi nxjerrjen e titullit ekzekutiv, në bazë të të cilit detyronte televizionin t’i paguante detyrimin shoqërisë “New Vision”.

Pas lëshimit të urdhërit të ekzekutimit, dyshja drejtuese e Top Channel, Vjollca-Blushi, i drejtohet gjykatës së Tiranës me një kërkesë për pezullimin e urdhërit të ekzekutimit, deri në shqyrtimin në themel të kërkesës së tyre për shpalljen e pavlefshme të titullit ekzekutiv.

Nga ky moment, nis të aktivizohet “rrjeti” i dyshuar i gjyqtarëve favorizues të Top Channel-it. Kërkesa e televizionit për pezullimin e ekzekutimit pranohet nga gjyqtari Ervin Pollozhani dhe shqyrtimi në themel i rastit i kalon “me short” gjyqtares Marjana Dedi (Shegani).

Tashmë, shqyrtimi i padisë civile të Top Channel për shpalljen e pavlefshmërisë absolute të titullit ekzekutiv (detyrimin që televizioni i ka kompanisë New Vision) ka arritur në fazën e fundit dhe të Mërkurën pritet vendimi.

Ky proces, edhe për aq sa është zhvilluar, përfshihet në rastet “unikale”, ku gjykata shqyrton vendimin e të njëjtit nivel gjykate. Pra, në mënyrë më të përmbledhur, gjykata e Tiranës po shqyrton kërkesën për shpallje të pavlefshmërisë absolute të një urdhëri ekzekutimi të lëshuar po nga gjykata e Tiranës.

LEXO EDHE  Sanders, Basha dhe paga minimale

Si rregull, ankimi mbi një vendim të gjykatës së shkallës së parë, duhet të shqyrtohej nga një Gjykatë më e lartë, ajo e Apelit të Tiranës në rastin konkret. Por, për dyshen Vjollca-Blushi, duket se “përjashtimi nga rregulli” është rregull.

Shegani dhe Blushi

Emri i gjyqtares Marjana Dedi (Shegani) gjendet edhe në gjykimin e një tjetër rasti, ku vendimi shkonte në favor të Ben Blushit, drejtor i Përgjithshëm i televizionit Top Channel.

Në fund të Nëntorit 2018, gjyqtarja Shegani ka vendosur “pezullimin e vendimit datë 22.07.2018, të Forumit të Partisë Politike “Lista e barabartë” ku është vendosur, ndër të tjera, edhe ndryshimi i kryetarit të Partisë.

Partia “LIBRA” është themeluara nga Ben Blushi, i cili u zgjodh edhe kryetari i parë i saj. Në korrik 2018, një pjesë e grupit nismëtar zhvilloi Forumin e partisë, ku u vendos që kryetari i partisë do të ishte shtetasi Endri Tafani.

Ky vendim u regjistrua në Gjykatën e Tiranës, me vendimin e gjyqtarit Julian Hoxha, në datë 13 nëntor 2018.

Por, disa anëtarë të tjerë të partisë ‘LIBRA” kundërshtuan këtë vendim të gjykatës së Tiranës, po në gjykatën e Tiranës. Objekti fillestar i padisë së dytë ishte pezullimi i efekteve të vendimit të gjykatës që kishte regjistruar Tafanin si kryetar të ‘LIBRA”.

“Shorti” përzgjedh gjyqtaren Marjana Dedi (Shegani) për të shqyrtuar kërkesën për pezullimin e vendimit. Në datë 27 nëntor 2018, gjyqtarja Shegani pranon kërkesën për pezullimin e vendimit të gjykatës së Tiranës, duke e lënë gjendjen në situatën e mëparshme, deri në shqyrtimin në themel të kësaj kërkese.

Rasti në themel shqyrtohet sërish nga gjyqtari Julian Haxhiu, i cili, në kundërshtim me vendimin e tij të nëntorit 2018, në 22 janar 2019 vendos të ligjërojë sigurimin e padisë së marrë nga gjyqtarja e Shegani dhe të bllokojë çdo veprimtari të kryer nga shtetasit Endri Tafani. Pra, praktikisht, gjyqtari Haxhiu rrëzoi vendimin e tij të mëparshëm, ku kishte regjistruar shtetasin Tafani si kryetar të “LIBRA-s”

Ndërkohë, një grup anëtarësh të partisë “LIBRA” kanë depozituar një tjetër padi kundër Ben Blushit në gjykatën e Tiranës. Shorti për këtë padi të dytë përzgjedh gjyqtaren Marjana Shegani, e cila, në 15 Shkurt 2019 vendos pushimin e çështjes, duke favorizuar sërish Ben Blushin.

Tashmë kjo gjyqtare, pra Marjana Dedi (Shegani), e cila ka dhënë prova për “favorizimin” e Ben Blushit, tashmë pritet të japë vendimin për padinë e Vjollca-Blushit kundër kompanisë “New Vision”.