Nga timoni, tepsia e kazani te filxhani/ Gaztori që tallet prej dy vitesh…

Nga Boldnews.al

Edi Rama ka të paktën dy vjet që tallet me shqiptarët duke qenë kryeministër. Dhe talljen ia bën hapur, pa pasur droje dhe pa u menduar.

Në 2017-ën kur kërkonte mandatin e dytë si kryeministër u shfaq me tuta e çitjane, herë duke ngritur dy gishtat e herë duke përshëndetur me grusht, fliste për tepsi, timon e kazan. Nuk kishte asnjë program, asnjë ide, vetëm rrëfente barsaleta dhe bënte batuta.
Kreun e PD-së herë e quante mikun e tij të ri dhe herë artist, dhe kështu nisi dhe bitisi fushatën, pa u lodhur që të prezantonte ndonjë program apo të bënte ndonjë premtim. Nuk kishte nevojë për to, pasi skemën e kishte gati, e kishte aplikuar në Dibër me zgjedhjet e pjesshme lokale, dhe ishin gati strukturat për t´a shtrirë atje ku ishte edhe hambari më i madh i mandateve.

Në 25 qershor 2017 u shpall fitimtar dhe për herë të parë në 27 vitet e pluralizmit politik, u bë kryeministri që fitonte pa premtuar, pa dhënë llogari, pa iu cënuar imazhi, qoftë edhe për kanabizimin e vendit në të paktën 3 vjet nga 4 që kishte si kryeminstër.

Mori timonin e asaj që e quante makinë që s´kishte nevojë për më shumë se 1 shofer, premtoi të çonte për skrap tepsinë, që nënkuptonte LSI-së, kryetarin e së cilës e votoi për President, dhe kazanin, që ishin mediat e kishte pothuajse të gjithin nën kontroll.

LEXO EDHE  Aleati i PD, frikë nga një marrëveshje e fshehtë Rama-Basha/ Duhet të ulen, por…

Sot pas dy vjetësh shfaqet me të njëjtën veshje, thjesht ka ndryshuar numrin nga 2 në 30, sipas numrit rendor në fletën e votimit të Partisë Socialiste. Nuk flet më për timonin, as për tepsinë, ka lënë mënjanë kazanin, nuk ka as ide dhe as programe.

Sot flet për Ata, që i pëlqen ose jo, janë opozita që në rastin më të keq bashkarisht përfaqëson mbi 50 % të votave, nxjerr nga xhepi një filxhan dhe nis e rrëfen barsaletat, vijon me batutat dhe e mbyll me frazën “më të mirë se ne s´ka”.

Në fakt me mënyrën sesi shfaqet dhe në kushtet kur në cirk mungojnë gaztorët, me rolin që merr, vështirë se mund të gjesh më të mirë.

Filxhani, që sot shkrin gazit ata që i mbushin karriget dhe në ndonjë rast sheshet, pavarësisht se thirren në apel dhe i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme, është programi që ka për zhvillimin e bashkive.

Por duket se kaq i mjafton kryeministrit. Detyra e tij është të shfaqet si klloun, të bëjë të qeshin ata që i rrinë përballë, ndërsa skemën e fitores, atë që po e zbërthen kazani gjerman, e kanë akulloret, kasatat, kaushat, aranxhatat, që herë qëndrojnë në hije dhe herë shfaqen gati për të thënë “qe baba duart”…