Seanca në KPK/ Gjyqtarit Idriz Mulkurti nuk i dalin llogaritë me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për këstin 20 mijë euro të një apartamenti si dhe shkollimin e të birit në Britaninë e Madhe, ndërkohë që avokati i gjyqtarit të Apelit për Krime të Rënda kontestoi trupin gjykues dhe analizën financiare.

Gjyqtari i Apelit për Krime të Rënda, Idriz Mulkurti mungoi në seancën dëgjimore të zhvilluar të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u konstatuan disa probleme me pasurinë.

Ai u mbrojt nga avokati Sokol Hazizaj, përballë një trupe të drejtuar nga Lulzim Hamitaj. Me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte Hans Kijlstra.

Që në fillim të seancës, avokati Hazizaj pretendoi papajtueshmërinë si trupë hetimore dhe gjyqësore të komisionit, për të garantuar paanshmërinë. Ai tha se konstatonte se në këtë proces, komisioni ka këshilluar njësinë e hetimit dhe njëkohësisht do të duhet të gjykojë.

“Ka mungesë paanësie kur një trupë gjyqësore bën hetim. Do t’ju kërkoja nëse keni të njëjtin opinion me mua?,” tha avokati Hazizaj.

Lidhur me këtë qëndrim të avokatit Hazizaj, kryesuesi i trupës gjykuese të KPK-së, Lulzim Hamitaj tha se nuk mund të zhvillonin një debat për këtë pretendim në këtë situatë.

“Nuk është momenti të rikualifikojmë pozitën tonë. Nëse keni një kërkesë me shkrim ne tërhiqemi ta shqyrtojmë,”tha Hamitaj.

Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari tha se gjyqtari Idriz Mulkurti ishte rivlerësuar në të tri kriteret; për deklarimin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe profesionalizimin.

Sipas Sanxhaktarit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka konstatuar se gjyqtari Mulkurti nuk kishte kryer deklarim të saktë, nuk kishte burime të ligjshme, kishte fshehur pasurinë dhe kishte kryer deklarim të rremë, por se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duket se konfirmoi të njëjtin rezultat për kriterin e pasurisë.

Për një apartament me sipërfaqe 84 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2006 në vlerën e 50 600 eurove, gjyqtari Mulkurti ka deklaruar si burim të krijimit; një milion lekë kursime dhe 5 milionë lekë kredi. Relatorja Sanxhaktari pohoi se subjekti ka deklaruar që pagesat për shlyrjen e vlerës së apartamentit i ka kryer në dy këste gjatë vitit 2006, ku fillimisht ka paguar 20 600 euro.

Për këstin e parë, komisioni ka konstatuar se gjyqtari Mulkurti nuk ka patur mundësi kursimi të vlerës 20 600 euro dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme të krijimit të kësaj shume. Gjithashtu, u identifikua fakti se  pasqyrimi i kursimeve në deklaratën “vetting” me ato periodike nuk përputhen.

Gjatë shpjegimeve të dhëna para Komisionit, gjyqtari Mulkurti ka pohuar se për të mundësuar pagesën e këstit të parë, veç kursimeve ka marrë edhe një hua në shumën 1.5 milionë lekë në gusht të vitit 2006, pa interes, të cilën e ka shlyer në dhjetor të po atij viti.

Relatorja Sanxhaktari sqaroi se Komisioni ka refuzuar të administrojë dëshminë e huadhënësit, pasi ka pranuar dhe administruar si provë deklaratën noteriale.

Për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 22 m2 në vitin 2010 në vlerën e 14 mijë eurove, gjyqtari Mulkurti ka pohuar para Komisionit se burim i krijimit të kësaj pasurie ishte qiraja e marrë parapagim në këtë periudhë për apartamentin që zotëron në qytetin Bajram Curri.

Relatorja Sanxhaktari u shpreh se subjekti ka pretenduar se ia ka dhënë apartamentin me qira një shoqërie për 300 euro në muaj për një periudhë tre-vjeçare, duke marrë si parapagim shumën 10 800 euro.

Ai ka pretenduar se qiramarrësi ka qenë menaxher i një shoqërie që do të zhvillonte aktivitet në atë zonë.

“Lidhur me çmimin e lartë të qirasë mujore, subjekti ka shpjeguar për Komisionin se kishte kryer investime për rikonstruksionin dhe arredimin e apartamentit, por nuk ka deklaruar shpenzime për këto investime,” vërejti Sanxhaktari.

Relatorja Shanxhaktari theksoi se gjyqtari Mulkurti e ka lidhur kontatën e qirasë personalisht me personin për të cilin pretendohet se ka qenë administrator i shoqërisë dhe jo me kompaninë. Ndërkohë, Komisioni ka zbuluar se në atë kohë, personi në fjalë nuk ka qenë administrator i shoqërisë dhe se në Qendrën Kombëtare të Bizneseve nuk figuron ndonjë adresë e apartamentit në fjalë në Bajram Curri.

Komisioni e ka cilësuar si të rremë deklarimin e subjektit se qiramarrësi do ta përdorte apartamentin për shoqërinë, pasi në kontratë figuron që të jetë shënuar se do të përdorej për banim.

Sanxhaktari renditi edhe disa pasuri të tjera që zotrohen nga familja Mulkurti, një automjet tip Benz të blerë në janar të vitit 2010 në vlerën e 5000 eurove, ku si burim janë deklaruar kursimet ndër vite. Gjithashtu Mulkurti zotëron pasuritë tokë-arë me sipërfaqe 4400 m2 dhe 2600 m2 në Tropojë me pjesë takuese 50%, të trashëguara nga e ëma dhe rreth 6000 m2 në fshatin Luz të Tropojës, të dhuruar nga motra.

LEXO EDHE  Tahiri i dredhon drejtësisë, pranon gjykimin e shkurtuar

Në këtë moment, avokati Sokol Hazizaj ka ndërhyrë duke kërkuar që Komisioni të relatojë më shkurt gjetjet, gjë që është kundërshtuar nga kryesuesi i trupës së KPK-së, Lulzim Hamitaj, i cili sqaroi se duke qenë një seancë publike, në interes të publikut, do të pasqyroheshin gjithë gjetjet dhe konstatimet e hetimit administrativ.

Më pas, relatorja e çështjes, u ndal në konstatimin e një sipërfaqe toke-arë në Hidrovor-Hamallaj në Sukth të Durrësit, ku gjyqtari Mulkurti rezulton trashëgimtar.

Sanxhaktari pohoi se kjo trashëgimi nuk ishte pasqyruar në deklaratën “vetting” dhe se konsiderohej si fshehje e pasurie.

Sipas Komisionit, toka ishte përfituar me akt trashëgimie, ndësa subjekti ka shpjeguar se nuk e kishte deklaruar pasi nuk ishte pronar i ligjshëm dhe se nuk kishte të drejta ligjore mbi këtë pasuri. Komisioni e konstaton të padrejtë qëndrimin e gjyqtarit Mulkurti, duke theksuar se kjo pasuri duhej të ishte deklaruar.

Komisioni ka konstatuar edhe mospagesën e qirasë për një apartament në Tiranë në vitet 2005-2006. Në analizën financiare për periudhën 2003-2016, KPK ka konstatuar mungesë të ardhurash.

Relatorja ka shtuar më pas se vajza e gjyqtarit ndjek studimet në Tiranë, ndërsa djali në Britaninë e Madhe. Komisoni ka gjetur se gjyqtari Mulkurti nuk ka pasur mundësi për kryerjen e një pagese 1.5 milionë lekë për tarifën e universitetit ku studion i biri në Britani, që ka qenë në vlerën 11 500 paund. Edhe pse ai ka deklaruar se djali jeton tek të afërmit dhe nuk ka shpenzime jetese, Komisioni ka konstatuar mungesë të ardhurash të ligjshme për pagesën e tarifës së universitetit.

Pas përfundimit të relatimit të çështjes, përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Mulkurti, avokati Sokol Hazizaj e pyeti trupën gjykuese të KPK, nëse i konsideronte të sakta deklaratat noteriale, pasi nuk ishte kishte pranuar pyetja e dëshmitarëve. Kryesuesi Lulzim Hamitaj iu përgjigj se i pranonin si prova dhe se ato do të vlerësoheshin njëherazi para vendimit.

Më tej, avokati Hazizaj rishpjegoi se, lidhur me pasurinë tokë-arë me sipërfaqe 1000 m2 në Hidrovor, gjyqtari Mulkurti nuk ishte pronar i ligjshëm dhe përderisa ligji kishte kërkuar pasuritë e ligjshme, nuk e kishte pasyqruar. Ai tha se deklarata noteriale mes nënës dhe fëmijëve për ndarjen e kësaj pasurie është bërë që të shuheshin konfliktet e mundshme në të ardhmen.

Avokati pretendoi gjithashtu se subjekti ka pasur fuqi paguese për tarifën e studimeve të djalit të tij, pasi nëse ndryshonte përllogaritja e udhëtimeve nga viti 2013 deri në vitin 2015, do të kishte një reazultat tjetër analiza financiare.

“E kërkojmë konfirmimin në detyrë, pasi nëse bëhet një analizë e përgjithshme financiare, konstatoj se shuma e të ardhurave nga qiraja dhe pagat e kalon vlerën e shpenzimeve,” pohoi Hazizaj.

Më pas, anëtarja e trupës gjykuese, Genta Tafa(Bungo) e pyeti avokatin Hazizaj nëse nëna e subjektit e kishte zotëruar në mënyrë të ligjshme pasurinë tokë-arë në Hidrovor dhe se mbi çfarë bazë e kishte përfituar.

“Mbi bazën e asgjëje!”, u përgjigj shkurt ai.

Kryesuesi Hamitaj ngriti pikëpyetje se përse kur udhëtimet kryheshin me makinën e subjektit shpenzimet ndaheshin, ndërsa kur udhëtonin me makinën e dikujt tjetër, gjyqtari Mulkurti nuk paguante.

Duke e cilësuar si një pyetje të mençur, avokati Hazizaj tha se kjo duhej parë rast pas rasti dhe se ka njerëz që duan t’i ndajnë shpenzimet, e të tjerë jo.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Hans Kijlstra iu rikthye sërish situatës së pasurisë tokë-arë me sipërfaqe 1000 m2 në Hidrovor, për të cilën avokati Hazizaj shpjegoi sërish se subjekti nuk e kishte deklaruar se nuk ka të drejtë mbi këtë pronë. Ai shtoi se edhe e ëma e gjyqtarit Mulkurti nuk ka ligjërisht një pasuri të tillë.

Ndërkohë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe KPK nuk kanë gjetur probleme për figurën, duke e cilësuar gjyqtarin  Idriz Mulkurti si të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës lidhur me këtë kriter. Edhe për profesionalizimin ai është vlerësuar pozitivisht duke u cilësuar si “mesatar”. Në dy denoncimet e kryera nga publiku, komisioni nuk ka gjetur indicie për hetim.

Në fund të seancës, avokati Sokol Hazizaj tha se u qëndronte thënieve të gjyqtarit Idriz Mulkurti dhe kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 14 qershor, ora 11:30.

/Reporter.al/