Ankth te korçarët/ Pritjes së Skënderbeut po i vjen fundi

Korçarët do të marrin vesh brenda javës së ardhshme vendimin e KAS-it në lidhje me seancën dëgjimore të mbajtur dy muaj më parë në Zvicër për sa i përket dënimit të dhënë nga UEFA. Pavarësisht se është folur shumë rreth këtij vendimi, duket se tashmë kanë mbërritur sinjalet e fundit drejtuar klubit Skënderbeu nga vetë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

 

Në korrespondencat e fundit që kanë shkëmbyer palët duket se Skënderbeut i është referuar se vendimi i KAS do të dalë para datës 20 qershor. Kjo për të mos cenuar shortimin e mundshëm të Skënderbeut në Europë në rast se vendimi rezulton pozitiv për korçarët.

Kjo pak a shumë bëhet me dije nga burime të gazetës. Duke parë një situatë të tillë, që vendimi i KAS pritet javën e ardhshme të zbardhet i plotë, ekziston mundësia që klubit vendimi t’i referohet më herët sesa KAS-i ta bëjë publike. Kjo i jep përgjigje edhe faktit se përse korçarët kanë vendosur të thërrasin ekipin në grumbullim në datën 20 qershor.

Atëherë kur mendohet se gjithçka do të ketë marrë fund për sa i përket daljes së vendimit. Në kushte të tilla mund të themi se Skënderbeu ka hyrë kështu në ditët e ankthit.

Takimet- Pavarësisht pritjes, duket se klubi bardhekuq vijon të jetë optimist për sa i përket vendimit që do të dalë nga zyrat e Lozanës. Një gjë të tillë e tregon fakti se pikërisht javën e ardhshme korçarët duket se kanë fiksuar në datë disa takime për të filluar jo vetëm rinovimet e ekipit, por edhe afrimet e reja që klubi ka piketuar për sezonin e ri.

LEXO EDHE  VIDEO/ Nuk ka fitues në 'Etihad', Man City dheTottenham dhurojnë spektakël

 

Në radhë të parë mbetet emri i trajnerit të ri. Pas largimit të Orges Shehit, ekipi ka mbetur pa “timonier” dhe në horizont është rikthimi i Ilir Dajës. Me ish-trajnerin e Skënderbeut është lënë një takim në ditët e ardhshme për të diskutuar në lidhje me kushtet e reja të kontratës.

Por, nuk është vetëm trajneri Daja ai që është thirrur në “mbledhje” nga Ardjan Takaj. Burimet e gazetës bëjnë me dije se gjatë ditëve të para të javës së ardhshme do të ketë edhe një avancim të bisedimeve me portierin Gentian Selmani dhe me dy lojtarë të tjerë.

Në listë janë Aleksi i Luftëtarit dhe Huseini i Kastriotit. Dy futbollistëve u kanë mbaruar kontratat me ekipet e tyre dhe mund të lëvizin si të lirë. Gjithsesi, kjo mbetet për javën e ardhshme, atëherë kur edhe e ardhmja e Skënderbeut do të jetë më e qartë si pasojë e përgjigjes që pritet të vijë nga KAS.

/PANORAMASPORT.AL