Nga Boldnews.al
Nisma e Presidentit të Republikës Ilir Meta për të anulluar datën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, solli reagimin e ashpër të kryeministrit Edi Rama që u shpreh i vendosur për të shkuar në zgjedhje i vetëm dhe gjithashtu do marrë nismën për shkarkimin e kreut të shtetit.
Këto janë nismat më të fundit që në kokën e tij kryeministri kërkon që ti bëjë realitet. Por diçka po lëviz në politikën Europiane, të cilët i druhen autoritarizmit të Edi Ramës që mund ta kthejë vendin në konflikt me përmasa civile, çka do ishte edhe një problem i madh për Ballkanin dhe gjithë BE-në.
Deklarata e fortë e zyrtarit të lartë të CDU/CSU dhe paralajmërimi për një vizitë nga Bundestagu gjerman në Tiranë, janë elementët që po anashkalohen, por nuk mund të përbuzen pafundësisht nga kreu i qeverisë, i cili ka humbur me kohë atë pak kredo që kishte në Berlinin zyrtar.
Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në parlamentin gjerman (Bundestag) Johann David Wadephul, tha se duhet përkrahur vendimi i Metës, nëse Shqipëria kërkon mbështetjen e Gjermanisë.
“Pas këtij vendimi të presidentit, ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale demokratike me disa kandidatë të mundshëm. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike. Çdo gjë tjetër do të ishte joevropiane dhe do t’i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit”. Një deklaratë e qartë, e mirëmenduar dhe e dhënë të dielën në mesditë, pak orë pasi kreu i shtetit vendosi të anullojë datën e zgjedhjeve lokale.
E thënë haptas se: “çdo gjë tjetër do ishte jo Europiane”, lexohet pa nënkuptime se çdo nismë e kryeministrit për të shkuar i vetëm në zgjedhje pa garë, është në radhë të parë një dëm për vendin, e sigurisht edhe për trazovaçin e Ballkanit Edi Rama.
Është hera e dytë brenda një muaji që Gjermania i tregon kufirin kryeministrit tonë. Dhe kur flitet Gjermani, nënkuptohet boshti kryesor i të gjithë Bashkimit Europian. Për nga vetë mënyra si funksionon aty demokracia, është e pakuptueshme, për më shumë totalisht e papranueshme, që në vitin 2019, një vend i vogël i Ballkanit të kthehet në burim të fortë konfliktesh.
Na Samitin e Berlinit kryeministrit shqiptar Rama dhe presidentit të Kosvës Thaçi iu bë e qartë se ideja e “korrigjimit të kufijve” Kosovë-Serbi, nuk mund të ndodhte dhe ky u konsideruar një projekt i vdekur, ndërsa nismëtarët Thaçi-Rama-Vuçiç, dolën nga samiti të dërmuar.
Në këtë rast, Rama humbi të bëhej protagonist i një marrëzie që synonte ndarjen e kufijve mbi baza etnike dhe më pas i gjithë Ballkani do krekosej për të shfrytëzuar këtë precedent. Dilema? Luftë e re në Ballkan… Fatkeqësisht, Rama me apo pa vetëdije u etiketua si një nga nismëtarët që rendte me “shkrepse në dorë” për t’i vënë flakën fitilit të konfliktit.
Ndërsa ka kaluar vetëm një muaj, Rama po kritikohet edhe për politikat autoritare, çështjen e korrupsionit, krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me botën e trafikut në krimin elektoral. Nga Gjermania erdhën gjashtë audiopërgjimet të publikuara jo rastësisht në gazetën më të madhe në Europë, Bild.
I arrestuari për trafik ndërkombëtar të drogës Astrit Avdylaj flet në telefon me zyrtarët e lartë lokal dhe votues për blerje votash në favor në PS-së, ndikim të paligjshëm në kërkim të favoreve dhe përcaktim deri në radhët e deputetëve të Rilindjes.
Padyshim që ky është skandal i përmasave ndërkombëtare, që këtu në Shqipëri pak na bëjnë përshtypje, por në një vend demokratik dhe superfuqi Europiane si Gjermania, këto janë tërësisht të papranueshme dhe mbi të gjitha tregues se vendi ynë qeveriset nga një kryeministër autoritar, i ardhur në pushtet në dyshimin se përdori bandat kriminale.
Fakti që zyrtarë të lartë të CDU-CSU e kanë bërë të qartë se negociata me Shqipërinë nuk mund të hapen, e mbi të gjitha mbështesin nismën e presidentit për anullimin e datës së zgjedhjeve lokale, nuk janë në mbrojtje të një individi, qoftë ai edhe kreu i shtetit Ilir Meta, por të parimeve bazë demokratike që janë zgjedhjet e lira dhe me alternativë përzgjedhje.
Kryeministri është hedhur në sulm, tashmë jo vetëm kundër Metës dhe opozitës, por politikës Euriopiane, veçarisht Gjermanisë. Nga Berlini zyrtar jo vetëm po këshillohet, por haptas po “ndërhyjnë pozitivisht” për të shpëtuar atë që vendi e fitoi në vitin 1990, pluralizmin politik. Rama apo Gjermania? Cila do të fitojë?
Bastin e parë e vendosi sot ministrja Elisa Spiropali, që u përbetua se Rama do të “triumfojë” duke shkuar i vetëm në zgjedhje dhe krahas tyre, do shkarkojë edhe presidentin e vendit. Në fund sipas saj, do të jemi “të lumtur”. Me 61 bashki të marra pa garë nga socialistët, me president që do e nxjerrin nga radhët e tyre dhe me një sitem drejtësia të re, të dalë nga nga oazi i Rilindjes. Kjo është beteja.
Kryeministri shpreson dhe më e rënda beson se do të mposhtë edhe “këshillat” gjermane, Merkelin apo këdo që i del përpara në vendosmërinë për të pasur një shtet njëpartiak dhe më të gjitha pushtetet të kontrolluara prej tij.