Shkarkohet kryegjyqtari i Apelit të Shkodrës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Fuat Vjerdhën, kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër.

Gjyqtari Fuat Vjerdha, u ripërball të premten me Komisionin e  Pavarur të Kualifikimit (KPK), pas rihapjes së hetimeve për disa konstatime të reja dhe denoncime nga publiku lidhur me aspektin profesional dhe kriterin e pasurisë.

Treshja gjykuese KPK e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare, si edhe vëzhguesi ndërkombëtar Ferdinando Buatier, në fund të seancës i drejtuan sërish pyetje gjyqtarit Vjerdha lidhur me gjetjet e reja.

Ndër to KPK vuri theksin te gjykimi i parë ndaj Sokol Mjacaj, gjykim i cili nuk i ishte përmendur Vjerdhës në seancën e parë dëgjimore edhe pse i ishte përmendur kolegut të tij Luan Dervishi.

Problemet me profesionalizimin

 

Ashtu si ish-kolegu i tij, gjyqtari Luan Dervishi i cili u shkarkua nga KPK, Vjerdha u pyet lidhur me ndryshimin e cilësimit të akuzës së Sokol Mjacajt, i dënuar në shkallë të parë për bashkëpunim në vrasjen e të miturit 13-vjeçar A.L. në shtator të vitit 2010.

Relatori Hamitaj pohoi se çështja penale në ngarkim të Sokol Mjacajt dhe dy personave të tjerë është një fakt i njohur botërisht. Ai theksoi se Apeli e kishte ndryshuar dënimin e Mjacajt nga 10 vjet burg që kishte vendosur shkalla e parë, në 4 vjet heqje lirie. Ndërkohë, sipas komisionit, pak kohë pasi ky shtetas ka dalë nga burgu, ai ekzekutoi dy turistë çekë në Prekal të Dukagjinit.

Relatori Lulzim Hamitaj përmendi edhe rap ortin e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë qëndrim të trupës së Apelit Shkodër për çështjen në fjalë. Sipas komisionit, në raportin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se “Gjykata e Apelit Shkodër, duke ndryshuar cilësimin e veprës penale në kundërshtim me Kodin e Procedurës penale, ka lehtësuar pozitën e S.M.”

Sipas relatorit Hamitaj, Gjykata e Apelit Shkodër ka ndryshuar cilësimin e akuzës duke argumentuar se Sokol Mjacaj ka siguruar kushtet, por se nuk e dinte se çfarë do të kryenin dy personat e tjerë të cilët i kishte ndihmuar për t’u nxjerrë në takim viktimën. Gjithashtu, komisioni konstaton se Vjerdha së bashku me një koleg, në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale ka shtyrë vendimin dhe pa urdhër të motivuar nga kryetari i gjykatës. Sipas komisionit, nga rezultatet e inspektimit duken mangësi profeisonale duke shkelur Kodin e Etikës dhe Kodin e Procedurës Penale. Hamtiaj u shpreh se këto shkelje i kanë sjellë favorizimin Mjacajt.

Gjatë fjalës së tij, gjyqtari Fuat Vjerdha sqaroi se kishin vendosur të pranonin provat e reja për çështjen në ngarkim të Mjacajt dhe dy të pandehurve të tjerë pasi Gjykata e Shkallës së Parë nuk i kishte marrë parasysh. “Kemi vendosur të pranojmë provat se Gjykata e Shkallës së Parë nuk i kishte pranuar. Janë pyetur dëshmitarët dhe i pandehuri. U dha një tablo e re e ngjarjes dhe u përsërit shqyrtimi gjyqësor”, pohoi ai, duke shtuar se gjithçka u bë publike dhe se media ishte e pranishme gjatë gjithë procesit.

Duke e cilësuar si një process model, Vjerdha shtoi se ngjarja kishte ndodhur pasi viktima nuk kishte pranuar t’u tregonte se ku gjendeshin parcelat me drogë. Vjerdha ngulmoi se Sokol Mjacaj nuk kishte qenë bashkëpunëtor vrasje, pasi nuk e ka ditur. Ndërkohë Vjerdha shtoi se pas daljes nga burgu dhe vrasjes së dy turistëve çekë, Mjacaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe se në trupën gjykuese në Apel bënte pjesë edhe ai.

Lidhur me këtë qëndrim që gjyqtari Vjerdha kishte mbajtur gjatë shqyrtimit të kësaj çështje, u pyet në fund të seancës nga relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj. Ai e pyeti lidhur me bindjen e brendshme që kishte krijuar për pozicionin e Mjacajt në këtë ngjarje duke cilësuar se ky I pandehur nuk kishte dijeni për vrasjen, por vetëm sa e kishte nxjerrë në takim. “Ne na është krijuar bindja. Ne mund ta kemi rënduar pozitën e tij, por jo ta kemi favorizuar. Për vrasjen jam i bindur që nuk e ka e ditur që do të kryhej”, deklaroi ndër të tjera gjyqtari Vjerdha.

Më tej kreu i Gjykatës së Apelit Shkodër shtoi se, çështja mori përmasa të tilla se u tha se nëse nuk do kishin ndryshuar vendimin, ai do kishte qenë në burg dhe nuk do t’i kishte vrarë dy turistët çekë.

“Nuk kemi shkelje proceduriale. Kjo çështje është gjykuar edhe në Gjykatën e Lartë”, pohoi Vjerdha, i cili përmendi qëndrimin e komisionit për këtë çështje për kolegun e tij Luan Dervishi. Gjyqtari Fuat Vjerdha kërkoi që këto konstatime të KPK-së, ashtu si në vendimin për Dervishin, të mos quheshin shkak për shkarkimin nga detyra.

LEXO EDHE  “Ooo kanë vdekur dy djem të rinj”/ Aktivisti “kryqëzon” Ramën e Veliajn

Denoncime të reja

Relatori Hamitaj renditi edhe dy denoncime të tjera nga publiku. Një nga avokati R.LL. për një çështje penale të vitit 2007, për të cilën Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e dy shtetasve me 23 vite burgim.

Në denoncim thuhej se dënimi ishte bazuar vetëm të deklarimet fillestare të të plagosurit dhe se nuk ishin marrë parasysh thëniet e tij para gjykatës. Sipas komisionit, në deklairmet e dhëna para oficerit të policisë gjyqësore, i plagosuri ishte shprehur se kishte njohur dy prej autorëve, por kur kishte dhënë deklarime në Gjykatën e Apelit Shkodër, kishte pohuar të kundërtën.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit, edhe pse i kishte kërkuar vetë që ai të jepte deklarime lidhur me ngjarjen, nuk i kishte cilësuar ato të besueshme. Vjerdha pohoi se i qëndronte arsyetimit të vendimmarrjes, duke shpjeguar se dy familjet në konflikt kishin arritur marrëveshje për të dhënë deklarime të rreme që t’i shpëtonin dënimit.

I pyetur edhe nga vëshguesi ndërkombëtar, Ferdinando Buatier, lidhur me këtë çështje, nëse kishin pasur dyshime se të pandehurit mund të kishin paguar ose kanosur për dëshmi false, gjyqtari Vjerdha pohoi se edhe i plagosuri, ishte nën procedim penal dhe se i interesonte të bashkëpunonte me kundërshtarët e tij. “Krijuam bindjen se kishin rënë dakort dhe se donin të mbronin njëri-tjetrin kundrejt shtetit. Ndërkohë, që ishte edhe babai i një prej të pandehurve, kishte thënë se djali i tij e kishte plagosur dëshmitarin”, pohoi Vjerdha.

Denoncimi tjetër kishte të bënte me një çështje civile, për të cilën Gjykata e Apelit Shkodër kishte  konkluduar të merrte në shqyrtim prova të reja. Sipas denoncuesit, gjyqtari Vjerdha i kishte kërkuar të paditurit që të sillte një provë të re dhe se pas administrimit të saj gjyqi ishte përmbysur në disfavor të tij.

 

I pyetur nga relatori Hamitaj lidhur me këtë çështje, Vjerdha u shpreh se nuk ishte në natyrën e tij të orientonte palët. Ndërkohë, pyetjes së anëtares së trupës së KPK-së, Pamela Qirko, lidhur me disa denoncime për kontakte me palët ndërgjygjëse, gjyqtari Vjerdha u shpreh se kjo gjë nuk ishte e vërtetë dhe se denoncues ishin personat e dënuar prej tij. “Janë të pavërteta denoncimet. Nuk ngatërroj mirësjelljen me etikën”, tha Vjerdha.

Verifikimet shtesë për pasurinë

Komisioni ka konstatuar se gjyqtari Fuat Vjerdha ka deklaruar në 2016-ën 1.58 milionë lekë gjendje cash në shtëpi dhe 2.7 milionë lekë në llogari bankare. Ndërsa në deklaratën vetting ka pasqyruar gjendje cash në shtëpi vetëm 200 mijë lekë dhe shpenzimet shëndetësore. Sipas relatorit Hamitaj, në total, gjendja cash dhe depozitat bankare janë rreth 4.6 milionë lekë.

Hamitaj sqaroi se pas zbritjes së shpenzimeve për sëmundjen dhe gjendjes cash të deklaruar në vlerën e 200 mijë lekëve, midis vlerave të pasqyruara në deklaratat periodike krahasuar me atë vetting rezulton një diferencë negative në shumën e 1.6 milionë lekëve.

Gjyqtari Fuat Vjerdha pohoi se kishte 3.4 milionë lekë nga kursimet e tij dhe se shpenzimet i kishte paraqitur me shkrim. “Si djalë i vetëm kam jetuar në shtëpinë e prindërve të mij. Edhe ILDKPKI më ka kërkuar shpjegime dhe u kam thënë se jetoj me prindërit. Nuk kemi asgjë të ndarë. Në vitin 2016, babai depozitoi 6 mijë USD dhe 600 mijë lekë. Babai ka shpenzuar 1000 euro për një kondiconer dhe për ndërtimin e oborrit të shtëpisë reth 135 mijë lekë”, pohoi gjyqtari Vjerdha. Ai shtoi se mosdeklarimi i 1.6 milionë lekëve është për shkak se kanë qenë në depozitat e babait të tij që mbajnë datat e vitit 2016.

I pyetur nga relatori Hamitaj nëse kishte përfshirë në deklarime edhe të ardhurat e babait, Vjerdha u përgjigj se në çdo deklarim kishte pasqyruar mundësitë e tij të kursimit. Duke sqaruar se babai i tij kishte pasuri të trashëguar dhe një dyqan në Shkodër, ai pohoi se të ardhurat e të atit ishin pasqyruar në deklaratat vjetore.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më datë 6 maj, kreu i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha u përball me disa denoncime, ndërsa nga relatimi nuk u vunë në dukje probleme në kriteret e pasurisë dhe figurës. Edhe pse komisioni njoftoi gjatë seancës dëgjimore se vendimi do të shpallej më datë 8 maj, KPK njoftoi më pas rihapjen e hetimeve.

Në fund të seancës dëgjimore të zhvilluar të premten, gjyqtari Fuat Vjerdha kërkoi konfirmimin në detyrë.