Nga Boldnews.al
Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba rikthehet fuqishëm nën shërbimin e verbër të Edi Ramës, dy vjet pasi dha dorëheqjen, nëpërmjet një letre “pikëlluese”, nga posti i kryetarit të KQZ, bazuar në urdhëri politik që mori nga kryeministri.
Mesditën e së Hënës, Biba, u ul në karrigen e kryetarit Klement Zguri të KQZ, Klement Zguri, pasi ky i fundit vendosi të largohej nga mbledhja e thirrur nga anëtarët socialistë të institucionit, për shqyrtimin me urgjencë të dekretit të Presidentit Ilir Meta, i cili shfuqizoi datën 30 qershor 2019, e përcaktuar më parë si dita e zgjedhjeve lokale.
Me një pompozitet të shtirur, Biba deklaroi se dekreti i Presidentit të Republikës është nul dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet ta marrë parasysh. Në këtë mënyrë, Biba i dha vetes atributet e Gjykatës Kushtetuese, institucioni i vetëm që shqyrton ligjshmërinë e vendimmarrjes së kreut të Shtetit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi më i lartë administrativ i zgjedhjeve në Shqipëri. Ai vihet në lëvizje pasi Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve. Pra, kuadri ligjor shqiptar e ka përcaktuar KQZ-në si një organ “zbatues” të vullnetit të Presidentit.
Në rastin konkret,\ vullneti i Presidentit, mbështetur në argumentat që Meta paraqiti mëngjesin e së Hënës, është që zgjedhjet lokale të mos zhvillohen në 30 Qershor.
Biba dhe kolegët e tij në KQZ, pas këtij vullneti të shprehur nga Presidenti, duhet vetëm ta zbatojnë atë. Por, Biba nuk pranon. Ai, në rolin e preferuar të shërbëtorit të përulur ndaj Edi Ramës, vendosi, me veten e tij, që të konsiderojë nul dekretin e Presidentit për shfuqizimin e ditës së zgjedhjeve.
Me siguri, Biba shpreson të marrë një mirënjohje të sinqertë nga kryetari i “Rilindjes”, pavarësisht se deri më tani është zhgënjyer nga Edi Rama.
Kryeministri e fluturoi si leckë Bibën në vitin 2017, kur, pas Marrëveshjes me Lulëzim Bashën, u vendos që posti i kryetarit të KQZ-së t’i jepej opozitës.
Biba, të paktën në respekt të dinjitetit të tij, mund të kishte vendosur të rezistonte dhe dy forcat politike ta shkarkonin në Parlament. Por jo. Biba vendosi të dorëzonte mandatin e kryetarit të KQZ-së në formën më të shëmtuar të mundshme që mund të sillet një zyrtar i lartë.
Biba u keqpërdor nga Edi Rama edhe kur u dërgua si “xhol” për të bërë “lobing” në Gjykatën e Strasburgut, e cila po penalizonte shtetin shqiptar me çështjen e pronave.
Biba zgjodhi që të zhvillonte “muhabet kafeje” me ish-kolegun e tij, Ledi Bianku, në atë kohë anëtar i Gjykatës së Strasburgut, ku i kërkonte që të ndërhynte tek gjyqtarët e tjerë për të pezulluar proceset e qytetarëve të vendit tonë në Strasburg.
Natyrisht, një “ndërhyrje” e tillë, për këdo që kupton nga jurisprudenca, është “një budallallëk i madh”. Por Biba e kishte marrë përsipër këtë risk. Pavarësisht epiteve që mund t’i vinin, ai ishte i kënaqur që shkonte në “kafenetë e Strasburgut” si mëkëmbës i Edi Ramës.
Në Shkurt 2017, Denar Biba e pa veten në hall të madh. Ai ishte kryetar i KQZ-së, kur Prokuroria e Tiranës nisi hetim ndaj tij dhe administratës së institucionit, për shkak se kishte pranuar, në kundërshtim me ligjin, formularët e dekriminalizimit të një deputeti dhe dy kryebashkiakëve socialistë.
Hetimi ndaj Bibës nisi pasi Prokuroria e Përgjithshme konstatoi se ai dhe vartësit e tij kishin lejuar që deputeti i atëhershëm, Armando Prenga dhe kryebashkiakët Adriatik Zotkaj i Poliçanit e Tërmet Peçi i Tepelenës, kishin ndryshuar formularët përkatës.
Pas nisjes së hetimeve, Denar Biba i kërkoi ndihmë kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet një letre të hapur e publike. Është e paqartë se përse Biba zgjodhi t’i drejtohej kryeministrit jo vetëm formalisht, por edhe publikisht.
Ndoshta Edi Rama nuk i ka hapur telefonin????
Kjo nuk ishte hera e parë që emri i Bibës shkonte në Prokurori. Në vitin 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit dorëzoi në prokurori një kallëzim penal kundër Bibës, pasi kishte konstatuar se ai, në cilësinë e kreut të KQZ-së, kishte zhvilluar tendera me vlerë 1.5 miliardë lekë, në kundërshtim të plotë me procedurën.
Në bazë të atij kallëzimi, Denar Biba kishte zhvilluar disa prokurime publike me procedurë të drejtëpërdrejtë, duke shmangur zhvillimin e garës reale mes operatorëve ekonomikë. Për më tepër, pas të gjithë këtyre tenderave, në mënyrë direkte apo indirekte, ishte i njëjti person.
Megjithëse faktet ishin flagrante, Prokuroria e Tiranës e pushoi hetimin ndaj Bibës me një vendim të dyshimtë. Sipas prokurorëve të çështjes, KQZ i kishte zhvilluar tenderat në mënyrë të tillë, për shkak të kushteve të emergjencës, meqënëse u realizuan pak javë para zgjedhjeve lokale të vitit 2015.
Pavarësisht peripecive që ka kaluar gjatë viteve që qeveris Edi Rama, Biba nuk dorëzohet. Ai u shfaq sërish të Hënën e kësaj jave në mbrojtje të Edi Ramës, duke thënë me gojën plot se “dekreti i presidentit është nul”.