Një banese i është vënë një sasi eksplozivi mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur në Lushnje në lagjen “Loni Dhamo”.
Raportohet se lënda plasëse, tritol, i është vendosur banesës në pronësi të shtetasit Berti Taullau.
Në banesë nuk ndodhej askush. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen.
Mësohet se pronari i banesës, bashkë me familjen e tij janë larguar nga Shqipëria në fund të vitit të kaluar.
Berti është vëllai i Saimir Taullaut, të cilit i bënë atentat në muajin nèntor të vitit 2018.
Saimir Taullau i shpëtoi fatmirësisht atentatit mbrëmjen e 24 nëntorit 2018, teksa dy persona të maskuar qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të tij brenda lokalit, tek rrethrrotullimi i Plugut.
Ai mori vetëm një plumb, ndërsa u zhduk më pas.
Ndërkohë në vitin 2005, njëri prej vëllezerve Taullau, Bakiu, është ekzekutuar. Për vrasjen e vëllait janë hedhur akuza nga vëlleyëzit Taullau në drejtim të bandës së Aldo Bares.
Përplasjet
Në tetor të vitit 2017, Saimir Taullaut iu bë një tjetër atentat, por sërish ai ka arritur të shpëtojë me vetëm një plumb. Saimir Taullau, njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali.
Familja Taullau njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.
Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.
Familja e tij, ka patur gjithnjë përplasje me grupin e Aldo Bares, për shkak të një gjobe të vendosur gati 2 dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, ngjarje ende nuk është zbardhur.
Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.














