Nga Boldnews.al
Tension i madh në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Krimeve të Rënda. Një “dru i shtrembër” u prishi punë ditën e djeshme kur në mënyrë ende të paqartë i dorëzoi gazetarit gjerman Peter Tiede të BILD gjashtë materiale përgjimi mes kreut të bandës së Shijakut dhe zyrtarëve të lartë lokal, përfaqësues të Rilindjes së Edi Ramës.
Një personazh që njihej si ndër të “fort e Shijakut”, Astrit Avdylaj në vitin 2017 përfshihet fuqishëm në ndihmë të Rilindjes në sigurimin e votave. “Do të jap atij të madhit një rezultat që të habitet, 10-0”-komunikon Avdylaj. Më pas kërkon haptas votat, u premton “një kafe” votuesve dhe ndikon për heqje gjobash apo punësime, duke përdorur gjithnjë emrin e Vangjush Dakos.
Reagimi qe i shpejtë, ende pa u shuar jehona e audiopërgjimeve. Në të njëjtën kohë, kur kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja doli në konferencë shtypi dhe kërkoi nisjen e hetimeve për nxjerrje të sekretit hetimor, edhe kryeprokurorja Arta Marku mbajti të njëjtin qëndrim nëpërmjet reagimit zyrtar.
Deri në këtë pikë asgjë e habitshme, pasi qëndrime të ngjashme, gati identike PS-Prokurori priteshin, për më shumë nga dy personazhet Manja-Marku. Ata flasin edhe me një shikim, merren vesh… Kryeprokurorja Arta Marku u shpreh e indinjuar për publikimin e audiopërgjimeve të dosjes 339 dhe 339/1, ku hetohet për afër tre vjet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe krim elektoral në shitblerjen e votave.
Indinjatës së saj iu shtua edhe ai i dr Ulsi Manjës, që kërkoi me ngulm nisjen e hetimeve për nxjerrje të sekretit hetimor dhe zbardhjen sa më parë të çështjes. I prishur dukshëm në fytyrë, Manja më shumë se çështjen 339 po sheh kah dosja tjetër 184…
Ajo që tronditi më shumë ishte një urdhër i Prokurorisë së Krimeve të Rënda që më shumë se për të ruajtur “sekretet e veta”, lëshoi kërcënim të hapur kundër medias.
“Ndalimin e publikimit të akteve të procedimit penal Nr.339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv. Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhri Koordinatori për Mediat në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë”-thuhet në urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që mban firmën e dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Po aq epik ishte edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama. Ndërsa “termeti” i vërtetë politik i erdhi nga Gjermenia, në publikimin e gjashtë audiopërgjimeve, kryeministri shkoi në fashtin Floq të Korçës i ngrysur në fytyrë, i dërmuar nga skandali dhe me një këmbë që çalonte, edhe e shkreta hernie gjeti ditën ta përkulte edhe më shumë…
Rilindja po shpreson që edhe këtë herë, si shumë herë të mbulojë çdo skandal të përmasave të tilla që do kishin shembur nga themelet çdo qeveri të një vendi demokratik. Jetojmë në botën iluzive të Rilindjes, ku sot kreu i Ministrisë së Brendshme Sandër Lleshaj ka goditur me “fjalë” që të bën të qeshësh me lot, më shumë se të thithësh gazin lotsjellës.
“Unë nuk besoj se një publikim i tillë prish imazhin e Shqipërisë. Besoj se çështja duhet të merret me qetësinë e duhur sepse bëhet fjalë për një çështje që është në proces hetimor. Kjo është thjesht një rrjedhje pa autorizim nga një proces hetimor në zhvillim. Duhet të presim fundin. Nuk duhet të kërcejmë te konkluzionet shumë herët sepse besoj se i bëjmë keq procesit. Unë mendoj se ajo që është publikuar në mediat gjermane është pjesë e një dosje hetimore që po zhvillohet. Përgjimet nuk janë prova, janë indicie që të çojnë te provat”, ka deklaruar Lleshaj.
Për të, këto përgjime ku flitet hapur në shitblerje votash, për ndikim të botës së krimit në emërimin e zyrtarëve lokal, në ndërhyrje për heqje nga puna të kundështarëve politik, nuk janë prova…
Sot pritet që kreu i qeverisë të flasë, sigurisht asgjë të re nga fjalori kryeministror për ta konsideruar si normale të gjashtë bisedat. Që nuk është problem që një dënuar për vrasje dhe trafik droge vë në rresht të gjithë elitën drejtuese të Durrësit dhe Shijakut, përfshi edhe kryebashkiakun Vangjush Dako.
Armata e Rilindjes po organizohet për të shumuar edhe këtë skandal, fundja për ta është i radhës, ndoshta po mendojnë të plasin një tjetër skandal që të mbulojnë audiopërgjimet, që këtë herë mbajnë vulën e medias më të madhe në Europë, BILD-i gjerman.