Nga Boldnews.al
Që në mëngjes nuk dije kë të zgjidhje festën më të madhe, kremtimin e Fitër Bajramit apo vendimin e Lali Erit të Bashkisë së Tiranës që për sot vendosi që të gjithë parkimet do të jenë pa pagesë.
Për besimtarët myslimanë, Bajrami pas 30 ditësh agjërim, është dita e harmonisë, paqes, lutjes dhe shpresës. Por të ndodh që edhe këtë ditë hyjnore ta zaptojë një individ. Një personazh që nuk lë vend pa futur hundët dhe njollosur edhe vlerat që ka kombi shqiptar.
Dje kryabashkiaku i Tiranës lajmëroi vetë në një kronikë disi të “rastësishme” se të gjithë parkingjet që administrohen nga bashkia do të jenë pa pagesë. Ku kishte lajm më të gëzuar. Për një ditë Lali nuk do na rjepë, nuk do urdhërojë policët gjobaxhi të rendin udhë më udhë me blloqe në duar që minimalisht ta vendosin atë 10 mijë lekëshin gjobë pa asnjë teklif.
“Fushata jonë elektorale do të ndërpritet nesër për të respektuar Bajramin. Por do të jetë një tjetër fushatë, ajo e solidaritetit me të prekurit e tërmeteve në Korçë! Nesër, gjatë faljes së Fiter Bajramit, të gjithë besimtarët myslimanë mund të parkojnë falas në parkingjet publike, si dhe parkingjet në: Unazë të Vogël, Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi i Ri”-shkroi dje Veliaj në faqen e tij në Facebook. Po edhe mesazhet që jep në një ditë kur politika nuk duhet të trazojë, janë plot kritika për opozitën nga Lali dhe ai gjithmonë ka të drejtë. Këtë bëri sot kryebashkiaku, që premtoi se nuk do të bënte fushatë dhe merrej me politikë, por kjo është si të qëndrojë mbi gozhda të gjata poshtë karriges.
Na ka zënë frymën për 365 ditë të vitit, por ky zëmërgjerë kryebashkiak një ditë ta bën hallall. Lereni automjetet ku të doni, dilni me familjen, lutuni, faluni dhe bëni vizita tek të afërmit, pa merakun se do na gjobisin! Faleminderit Lali Eri, që na mëshiron.
Edhe pse besimtarët i ka grirë për 30 ditë kur parkonin mjetet afër xhamive për tu falur, e pasi mbaronin ritet gjenin në xham një pusullë gjobë. Lali mëshirëmadhi, zëmërgjeri, njeriu social, i madhi i të varfërve, shpëtimtari i hallexhinjve që shesin rrugëve për bukën e gojës. Shkoi për vizitë edhe në Komunitetin Mysliman Shqiptar për urim, ashtu modest me një biçikletë të lodhur.
Nuk ia mban xhepi të gjezdisë me automjet nëpër Tiranë, nafta është shtrenjtuar, rrogën nuk e ka aq të madhe sa të mbajë familjen. I thonë tre frymë për të ushqyer… Por ai nuk e jep veten, ja ashtu me 1000 halle mbi shpinë “mendon për ne”, qytetarët e thjesht, që të na gëzojë me vendimet e tij, plot mëshirë dhe dashuri. Faleminderit Lali…