Nga Boldnews.al
“Më 16 shkurt rrëzojmë Ramën”, thanë dy liderët kryesore të opozitës Basha dhe Kryemadhi, pak para se të shkonin në vendimin ekstrem politik në djegien e mandateve të deputetëve në grup dhe mbajtjen e një proteste të madhe në Tiranë.
Iku shkurti, doli marsi, si pa e kuptuar prilli e maji, e Rama është po aty, me sfidën lëshuar dhe bindjen që zgjedhjet lokale, (vetëm të tilla nuk mund të quhen), do mbahen më 30 qershor, edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.
Ka shtuar edhe më shumë zullumin në shpërdorimin e parave publike. Korrupsioni në nivele ekstremisht të larta ushqen përditë makinerinë e madhe të Rilindjes. Blen oligarkë, shet e siguron pushtet, merr me “klering” edhe zyrtarucë të huaj, që në moçalin politik të Shqipërisë, sigurojnë benefitet nga një pushtet i ardhur me dyshimin e shitblerjes së votave.
Kryeministri vijon të sfidojë e sfilisë qytetarët, aq sa dy ditë para se të hidhej shorti i renditjes së partive në fletët e votimit, Rilindja doli me bluzën stampuar “PS 30”, si për “’çudi”, PS u rendit në numrin 30…
Kur manipulohen edhe goglat në shortin e KQZ, të tjerat janë bonuse të përhershme. Një kryeministër, që ka në duar të gjitha pushtetet; legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin është i superfuqishëm. Për më shumë edhe atë që njihet si “pushtet i katërt”, median, e ka nën hyqmin e tij, për ta përdorur për propagandën qeveritare, të ngjashme me “armët shfarosëse”, që të heqin shqisën për të menduar dhe kuptuar.
Vendi ka dy vite pa Gjykatë Kushtetuese, tashmë edhe pa Gjykatë të Lartë, në krye të prokurorisë ndodhen Arta Prelat, të cilat me taborin e tyre të eunukëve janë kthyer në shërbëtore dhe pasuese të denja të vijës së Xhelil Gjonit duke e kthyer organin e akuzës në një prokurori politike.
Me të gjitha këto, shtuar edhe karakterin e njohur të Ramës për të mbajtur pushtet me çdo kusht e çmim dhe jo për të bërë shtet, opozita e kishte të qartë se ky kryeministër, pavarësisht dëmit të përditshëm dhe “transparent”, nuk rrëzohet me një protestë, apo me disa të tilla dhe në një kohë të shkurtër. Këtë herë opozita duhet të shohë nga vetja, por diçka të tillë fatkeqësisht për të dhe ata që i besojnë kauzës së saj, nuk po e bën.
Të denoncosh është e lehtë, pasi mundësitë ti ofron qeverisja që pa asnjë formë fshehje, abuzon çdo ditë. Të shpresosh në vetërënien e një sistemi të çimentuar Rilindas, është po aq krim sa ai që e bën krimin.
Opozita ua ka detyrim qytetarëve të saj që e ndjekin në protesta të jetë e qartë në atë çfarë kërkon. Formën që do zgjedhë për t’i shkurtuar ditët qeverisë, kohën kur ajo mund të realizohet dhe mënyrat për ta çuar drejt fundit, në hapjen e një kapitulli të ri. Sigurisht të rrëzosh Edi Ramën nuk është një mision I lehtë, por opozita me retorikën e saj nuk ka pse t’i gënjejë mbështetësit e saj duke bërë thirrje të tipit “ta shikosh ti pasnesër”, “fundi Ramës është i afërt” etj etj.,
Një protestë ka gurë, ndonjë shishe molotov dhe përplasje të ndërsjelltë me policinë që të mbyt në gaz dhe të thyen brinjët me shkopinj. Tensioni është në rritje, e kur durimi i sosur i protestuesve pret vetëm thirrjen e radhës në protestë, vjen qëndrimi tjetër: “Protestat të jetë paqësore…”!
Rruga e “mesme e artë” para një pushteti të dhunshëm nuk mund të gjendet lehtë. Opozitës mund të organizojë revolta të vetëm dy lloji. Të ashpra dhe të vendosura, ku para krimit shtetëror gurët dhe molotovët janë përkjedhelje të kauzës së madhe gati ekzistenciale, ose protestë tërësisht paqësore, të formës “Gandiste”, por të vendosur.
Atij qytetarit të paqtë përmetar i duhet bërë e qartë që kur të vijë në protestën e madhe në Tiranë ose të marrë karafila nga bahçet e oborreve dhe të ulet këmbëkryq para kryeministrisë në protestë të heshtur por fort domethënëse, ose të zbresë në Lumin Vjosë të rrëmbejnë nga “një gur”, për t’i’a zhurmuar qoftë edhe për pak dritaren kryeministrore plumb-mbajtëse.
Një pushtet i ardhur me vota të vjedhura, që ka lidhje me krimin e organizuar, grabit çdo ditë shqiptarët, i detyron të rinjtë e të papunët të largohen nga një vend pa të ardhme, i dhunon çdo ditë në zyrat e Rilindjes, nuk mund të ketë udhë tjetër përveçse përballje, qoftë edhe në mënyrë jo proporcionale më të keqen.
Por opozita tutet, është në dilemë, diçka e ka kapur edhe atë… Po abuzohet gjerësisht me fjalën “faktori ndërkombëtar”… Europa politike, por edhe SHBA, tashmë janë të lodhura me tekat e një vendi të vogël që shkon në zullume të mëdha, pse jo deri në kapërcim të kufijve të saj, për të trazuar gjithë Ballkanin.
E si të tillë, mbyllin sy e veshë para elementit kryesor; zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shtetin ligjor, llogaridhënien dhe ndarjen e pushteteve. Mjafton një episod për të zbuluar edhe “kapjen” e nivelit ambasadoresk apo atij teknik që e trajton Shqipërinë si një vend ideal për të bërë turizëm detar, malor, pijetar apo seksual. Në këtë plan është e papranueshme që pas lajmit për mesazhe intime që shkëmben ambasadori i BE në Tiranë, Soreca me Edi Ramën, kryetari i PDSH-së ta pres në zyrë një ditë më pas. Fare mirë zoti Basha mund t’ia delegonte këtë gjë një zyrtari të nivelit të dytë të partisë një punë të tillë pa bereqet.
Sepse zoti Basha duhet ta dijë se këta ambasadorë nuk mund të bëhen protagonistë dhe të vendosin për jetën e qytetarëve që vuajnë këtu, që mbajnë mbi shpinë çdo qeverisje të keqe, të tashme e të shkuar, vetëm nga qëndrimi i tyre. Për ta, vjen një ditë pas “turizmit shumëdimesional” që të ikin, duke e lënë vendin ku shërbyen nën dhunën e pushtetit, mbretërimin e bandave të trafikut, apo çizmen në grykë nga oligarkia.
Në protestën e 11 majit, qytetarët u sulmuan me gaz lostsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome. Rilindja nxorri dhëmbët për të kafshuar tërbueshëm çdo qytetar protestues të opozitës. Rrahja “live” e sekretarit Organizativ të PD-së Sahit Dollapi ishte qershia mbi tortën e pushtetit, që pikërisht në atë moment kritik u mbrojt nga ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Borchardt.
Ky institucion i rëndësishëm ndërkombëtar, doli më një qëndrim që edhe zyra kryeministrore në situatë të tillë do e kishte të vështirë. Haptas në mbrojtje të dhunuesve me uniformë shteti dhe i dha një dorë mbështetëse qeverisë së kryeministrit Edi Rama që venitej në agoni me sytë nga ekrani, duke çuar në mendje ndoshta fundin e pushtetit të tyre. Ajo natë iku, e nesërmja mbajti gojën kyçur të opozitës, por jo të qytetarëve kritik, që poshtë banesës së ambasadorit me hije animi kah pushteti, shkruajtën: “Borchardt shame on you”…
Një fjali që të nesërmen duhet ta përsëriste pa hezitim kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi. Dy vajza që dyshohet se shkruan këtë parrullë dhe kryen këtë “gjëmë” të madhe ndaj këtij “ndërkombëtari të madh” u shoqëruan në polici. Po aty nuk u gjend asnjë ish-deputet opozitar, as mbështetës të partisë. Nuk dolën sepse patën frikën deri në palcë: Mos do na quajnë anti-ndërkombëtarë”? Ky kompleks i elitës opozitare nuk duhet të jetë më, të paktën për të respektuar mbështetësit e tyre, atë grup të madh protestuesish që kanë guximin qytetar të përballen në çdo formë me të keqen. Zoti Basha duhet të njoftonte një konferencë shtypi dhe teksti i vetëm që duhet të lexonte do duhej të ishte “Turp të të vijë zoti Borchardt”. Këtë fjali do duhej ta përsëristë të paktën 100 herë përpara kamerave të televizioneve që i akuzon si të kapura.
Lidershipi i opozitës zgjodhi heshtjen, në vend të deklaratve të pastra pa sikletin; po të huajt çdo të thonë?! Në këtë frymë tutje e frike, erdhi protesta e radhës që nuk shënjoi incidente të forta, as pati dhunë ndaj asnjë institucioni. Nga “ferri në parajsë” nuk mund të kapërcehet kaq lehtë, ndërsa qytetarët protestues që kanë humbur edhe dinjitetin përballë pushtetit arrogant dhe agresiv, marrin urdhra sipas “hënës” së opozitarëve, që para se të nisen në protestën e radhës i hedhin një sy qëndrimeve të ambasadorëve të huaj në vendin tonë.
Më shumë se të dëgjojnë dhe presin deklarat e ambasadorëve të huaj, opozita duhet të lexojë median ndërkombëtare, atë gjermane, franceze, italiane dhe Zërin e Amerikës. Janë pikërisht mediat (nga vijnë ambasadorët që mbrojnë qeverinë), të cilat bëjnë skanerin e trishtë në të cilën po kalon vendi. Thonë të vërteta ulëritëse që këtu të gjithë i dinë dhe i artikulon shumëkush, por nuk ngjit, sepse këtë zë kritik, e mbyt propaganda qeverisëse, media kombëtare e vetëtredhur nga milionat dhe oligarkia, e vjetër dhe e re.
Po nëse “loja me ndërkombëtarët” qenka me rrezik, përse opozita nuk përmend me emra oligarkët ose një e nga një bankat që po pastrojnë paratë e drogës.
Pse opozita nuk u bën thirrje mbështetësve të saj të bojkotojnë fjala vjen qendrat tregëtare të përfolura si qendra pastrami parash të bashkëpunëtorëve dhe klientëve të Edi Ramës? A do strukeshin ateherë oligarkët për tu bërë njësh me pushtetin? Pse nuk u bën thirrje mbështetësve të bojkotojnë bankat e lidhura me oligarkët? Mos vallë po i mban si një gur rezervë që ti përdori nesër kur të vijë në pushtet? Shqiptarëve pak u intereson nëse në krye të vendit është Rama apo Basha, nëse pas tyre qëndron Samiri apo Sandri.
Është përqëndruar kundër “ujkut Rama”, a nuk e sheh çdo ditë “çakallin e bashkisë” që bën kërdinë me taksat e shqiptarëve, Rilindas apo opozitarë qofshin.
Qartësohu opozitë! Rama nuk bie me deklarata të tipit: Ja në protestën e radhës, edhe një javë apo muaj kohë ke… As me dekikat që ua numëroni mbrapsht në konferenca shtypi. Qartësia dhe ndershmëria me qytetarët është arma që do rrëzojë një regjim, pa drojë, pa kokën pas nga ambasadat e huaja. Fundja ata e kanë treguar, janë me çdo pushtet politik. Por këtë herë pushtetin nëse ua “jepni” qytetarëve, dëgjoni zërin e tyre. Deri më tani opozita nuk po e bën!