Donika Prela “në hall të madh”/ Kredi 20 mln lekë për mobilimin e apartamentit luksoz

Nga Boldnews.al

Në Shkurt 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) “legalizoi” një apartament 135 m2, që prokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, kishte blerë disa muaj më parë, për një vlerë 110 mijë euro, në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës.

Transaksioni i Prelës u konfirmua si i rregullt nga shkalla e parë e Vetingut, pavarësisht të paktën 3 pikëpyetjeve të forta.

E para, prokurorja e bleu këtë apartament me vlerë rreth 840 euro/m2, në një zonë ku çmimet e tregut variojnë 1200-1400 euro/m2.

E dyta, prokurorja bleu këtë apartament, me çmim anomalisht të ulët, në pallatin e ndërtuar nga një biznesmen, të cilin ajo e ka pasur subjekt nën përgjim, për një procedim penal të nisur prej saj kur ishte në Durrës dhe të vijuar nga Krimet e Rënda, kur ajo u emërua drejtuese e kësaj strukture.

E treta, KPK “legjitimoi” të ardhurat e familjes Prela ndër vite, të cilat janë përdorur për blerjen e apartamentit të ri, pavarësisht se burimet financiare ishin të paligjshme, sipas standarteve të Vetingut.

E, pasi mori këtë “legalizim” nga KPK, Donika Prela është ndjerë e qetë për të deklaruar në çdo detaj transaksionin e realizuar në vitin 2018.

Në deklaratën e pasurisë, dorëzuar në Mars 2019, vetëm një muaj pasi Komisioni i Vetingut i dha dritën jeshile për të vijuar karrierën, shefja e Krimeve të Rënda jep detajet e blerjes së apartamentit.

Apartamenti luksoz
“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive formularin e pasurisë së Donika Prelës për vitin 2018.

Vendin kryesor në ndryshimet e pasurisë së saj, natyrisht, e merr blerja e apartamentit 135 m2, pranë shkollën së mesme “Ismail Qemali”, në Tiranës.

Sipas të dhënave të vetëdeklaruara, Donika Prela dhe bashkëshorti i saj, Vangjeli, e kanë blerë apartamentin me kontratën e datës 9 korrik, me vlerë 110 mijë euro.

Si burim për blerjen e këtij apartamenti, sipas vetëdeklarimit të Prelës, ka shërbyer:

1. Shuma prej 80 mijë euro është krijuar nga shitja e një apartamenti që familja Prela ka blerë në Tiranë, në vitin 2007, në vlerën 32 mijë euro. Për blerjen e atij apartamenti (në vitin 2007), Prela deklaron se ka shpenzuar 1 milionë lekë të reja kursime dhe një hua 15 mijë euro, të cilën nuk e justifikon me asnjë dokument zyrtar. Gjithësesi, duke mbledhur këto shuma, vlera e tyre nuk është e mjaftueshme për blerjen e këtij apartamenti. Donika Prela nuk arrin të justifikojë rreth 8 mijë euro për blerjen e këtij apartamenti.

2. Shuma prej 30 mijë euro janë tërhequr nga llogaria bankare e Vangjel Prelës. Kjo llogari është krijuar nga të ardhurat e shitjes së një apartamenti në Plazh, Durrës, me vlerë 4 milionë lekë. Siç ka deklaruar më parë “Boldnews.al”, familja Prela e ka blerë apartamentin në Plazh në vlerën 1.4 milionë lekë dhe e ka shitur brenda 10 muajsh me një çmim 3 herë më të lartë, 4 milion lekë.

LEXO EDHE  Mustafa Nano 'apel' Ramës: Lëri librat e shenjtë! Bëj atë që njerëzit presin (VIDEO)

Kredi për mobilim
Me blerjen e apartamentit 110 mijë euro, duket se familja Prela ka hyrë në hall të madh. Ata nuk kishin më para për të mobiluar apartamentin luksoz. Për këtë arsye, Donika Prela dhe bashkëshorti i saj janë detyruar të marrin një kredi në vlerën 2 milionë lekë të reja.

Kredia për mobilimin e apartamentit të ri rezulton të jetë marrë rreth 2 muaj para se Prelat të blinin këtë pasuri. Mesa duket, Donika dhe Vangjel Prela ishin të sigurt se do të mbyllnin me sukses transaksionin për blerën e apartamentit 135 m2.

Sipas deklaratës së pasurisë, kredia 2 milionë lekë duhet të shlyhet brenda 4 vitesh, me këst mujor afërsisht 50 mijë lekë të reja në muaj.

Llogari të hapur me Vetingun
Kriteri i pasurisë në procesin e Vetingut mund të mbyllë përfundimisht karrierën kontroverse të prokurores Donika Prela.

Pasi mori konfirmimin nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit (KPK), shefja e paligjshme e Krimeve të Rënda duhet të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e saj nga detyra.

Komisioneri Publik, në ankimin e tij, ka vënë pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si Donika dhe Vangjel Prela kanë krijuar pasurinë e tyre. Për komisionerin publik, familja Prela nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për transaksionet e kryera ndër vite.

Donika Prela, prokurore e thjeshtë në Durrës, ngjiti me shpejtësi shkallët e karrierës sapo mikesha e saj, Arta Marku, u emërua me 69 votat e socialistëve në postin e paparashikuar në Kushtetutë, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Në janar 2018, Prela emërohet, në kundërshtim me ligjin, drejtuese e Prokurorisë së Durrësit. Katër muaj më pas, në Maj 2018, Prela emërohet gjithashtu në mënyrë anti-ligjore, në postin e drejtueses së Krimeve të Rënda.

Nëpërmjet këtij posti, ajo u ka shërbyer më së miri interesave të Partisë Socialiste në pushtet. Nën drejtimin e saj, hetimi për përfshirjen në trafik narkotikësh të Agron (Geron) Xhafaj, u shndërrua në një farsë, në përfundim të të cilës u morën të pandehur denoncuesit e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Gjithashtu, Donika Prela konsiderohet nga opozita si përgjegjësja kryesore për bllokimin e dosjeve “339” dhe “184”, në të cilat gjenden përgjime të zyrtarëve të lartë socialistë, të cilët diskutojnë me anëtarë të grupeve kriminale për vjedhje e blerje votash.