Në tetor të vitit të shkuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë gjykoi një padi civile për zgjidhje martese. Kërkesa bëhej nga një grua 60 vjeçe që kërkonte të ndahej nga bashkëshorti i saj gati 40 vjet më i ri në moshë.
Edhe pse martesa me djalin e ri ka zgjatur më pak se një muaj, gruaja i tha BIRN se nuk është aspak e penduar për zgjedhjen që bëri.
“Erdhi me kontaktoi një njeri imi dhe më kërkoi të ndihmoja një shok të tijin për tu martuar në gjendje civile me të, pasi kishte probleme me dokumentet. Unë pranova, kryem të gjithë procedurat në gjendje civile dhe pas një muaj përfunduam në gjykatë për divorc”, tregoi 60-vjeçarja.
“Për këtë nder që i bëra ai më fali 50 mijë lekë dhe realisht u gëzova shumë, pasi jetoj në kushte të vështira ekonomike dhe pa asnjë të ardhur”, shtoi gruaja nga Lezha.
Historia e martesës jetëshkurtër midis gruas 60-vjeçare dhe të riut lezhjan nuk është e pazakontë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjatë 2 viteve të fundit vetëm në Gjykatën e Lezhës ka pasur rreth 50 divorce të ngjashme.
Punonjës të gjendjes civile dhe të bashkisë së Lezhës i thanë BIRN se këto martesa janë fiktive. Ato shtuan se këto marrëdhënie juridike zgjasin për pak javë dhe bëhen për të marrë një pasaportë me një mbiemër të ri. Pasaporta me mbiemër të ri i mundëson të rinjve që i është ndaluar hyrja në Bashkimit Europian të emigronin përsëri.
“Është shqetësues fakti, që individë të ndryshëm, një të drejtë ligjore ngushtësisht personale, për shkak të vështirësive sociale dhe ekonomike, detyrohen ta ezaurojnë si një veprim procedural fiktiv, pa pasur si qëllim formalizmin e një raporti real martesor me qëllim krijimin e një familjeje”, tha nënkryetarja e bashkisë Lezhë Alfrida Marku.
Fluksi azilkërkuesve
Shqipëria mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve krahasuar me popullsinë, në vendet e BE vitet e fundit. Sipas institutit evropian të statistikave ‘Eurostat’ rreth 145 mijë shqiptarë aplikuan për azil nga viti 2015-2018. Fluksi i aplikimeve ra nga 66 mijë në vitin 2015 në rreth 19 mijë në vitin 2018, kjo edhe për shkak se një pjesë e mirë e atyre që tentuan të fitonin azil u kthyen pas nga autoritet e vendeve pritëse, kryesisht prej Gjermanisë e Francës.
Megjithatë sipas Eurostat në tre muaj e parë të vitit 2019, janë rreth 5200 azilkërkues nga Shqipëria në vendet e ndryshme të BE, pjesa më e madhe në Francë dhe Gjermani. Shumica dërrmuese e aplikimeve për azil refuzohet nga vendet anëtare të BE-së, por azilkërkuesit duket se e përdorin këtë skemë për të qëndruar disa muaj në një vend anëtar të BE-së deri në gjetjen e mundësive për punësim.
Ndërkohë kthimi i detyruar pas, për shkak të refuzimit të azilit apo tejkalimit të kohës së qëndrimit të lejuar në BE, shoqërohet shpesh me masa administrative të ndalimit të hyrjes në zonën ‘Schengen’ për periudha që shkojnë deri në 10 vjet dhe vula të posaçme në pasaportë. Këto ndëshkime kanë shtyrë të penalizuarit që synojnë të emigrojnë sërish të ndryshojnë gjeneralitetet për të shmangur ndalimet në kufi.
Vetëm gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti në gjykatën e Lezhës janë bërë 145 padi për zgjidhje martese 68 prej të cilave kanë përfunduar. Nga një vëzhgim i bërë nga BIRN, duke iu referuar moshës së palëve në këto procese gjyqësore, rezulton se një pjesë e tyre dyshohet se kanë qenë martesa fiktive edhe pse nuk ka një statistikë zyrtare për këtë.
Ndërkohë burime nga Gjykata e Lezhës bënë me dije se duke parë fenomenin në rritje të martesave fiktive, gjyqtarët kanë vendosur që t’u rikthejnë burrave të martuar mbiemrat e paramartesorë pas divorcit.
Varfëria e martesave fiktive
BIRN siguroi nga Gjykata e Lezhës dy vendime për zgjidhje martesash në dukje fiktive. Në të dy rastet të rinj rreth 28 vjeç janë martuar me gra 30 vjet më të mëdha në moshë, të cilat më pas kanë aplikuar për divorc. Gjykata në këto raste ka vendosur veç prishjes së martesës edhe ndryshimin sërish të mbiemrave të “bashkëshortëve”, duke u kthyer atyre gjeneralitete e para martesës.
Avokati Fran Lleshi i tha BIRN se ky fenomen ka marrë përhapje të gjerë, ndërsa shtoi se kjo i shtohej rasteve të të rinjve që bënin martesa fiktive jashtë vendit.
“Martesat fiktive kanë marrë përhapje të gjerë. Brenda vendit martohen vetëm për të marrë pas martesës mbiemrin e bashkëshortes, për shkak se jashtë vendit kanë probleme”, tha Lleshi.
Ai shpjegoi se në disa raste bëhej për para, por kishte sipas tij edhe raste kur “bashkëshorti” paguante vetëm paratë e divorcit, pasi palët njiheshin. Sipas tij arsye kryesore pas këtyre martesave është “pengesa ligjore për të ndryshuar mbiemrin” ose “shkeljet ligjore në vendin ku kanë emigruar”.
Të kontaktuar për këtë çështje punonjësit e gjendjes civile në qytetin e Lezhës thanë se fenomeni i martesave fiktive u bë problematik gjatë vitit 2018, por sipas tyre ka pasur më pak raste në vitin 2019.
Një punonjëse e cila foli në kushtet e anonimatit i tha BIRN se edhe pse kishin pasur dyshime se këto raste kanë qenë martesa fiktive ato nuk kishin mjete ligjore për ta bllokuar regjistrimin e tyre.
“Është e pamundur për ta vërtetuar a po bëjnë martese fiktive apo jo, pasi i kryejnë të gjitha procedurat që parashikon ligji”, tha ajo.
Pamundësinë e punonjësve të gjendjes civile për t’i ndaluar këto martesa fiktive e pranon dhe nënkryetarja e bashkisë, Alfrida Marku, e cila nënvizon se përtej fenomenit më shqetësuese janë shkaqet që çojnë në këto lidhje bashkëshortore të pazakonta.
“Punonjësit e Gjendjes Civile kanë për detyrë kryerjen e procedurave të shpalljes dhe lidhjes së martesës, duke respektuar afatet si dhe duke verifikuar kushtet e moslejimit të lidhjes së një martese ligjore, që sipas ligjit në këtë fazë janë dy: mosha (i/e mitur) dhe mungesa e një lidhje tjetër martesore”, tha Marku.
“Megjithatë, përtej kësaj, problem shqetësues për numrin në rritje të martesave fiktive mbeten shkaqet, që për mendimin tim janë tërësisht ekonomike, prej të cilave njëra palë detyrohet të emigrojë në mënyrë të parregullt dhe pasigurt e për pasojë të përballet me probleme në dokumentacion, ndërsa pala tjetër kryen veprimin fiktiv kundrejt një pagese. Shqetësim për mua mbeten shkaqet, varfëria, emigracioni i pasigurt”, shtoi ajo./BIRN/