Arta Marku në aksion/ Ja si e mbron anëtarin e KLP-së Vatë Staka, i hetuar për…

Përmes një kërkese të pabazuar për përgënjeshtrim drejtuar BIRN, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku shfajëson anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Vatë Staka pavarësisht se Prokuroria e Shkodrës ka ende një hetim të hapur mbi akuzat për ndryshimin e akteve që ai i dorëzoi KPK-së.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku deklaroi se prokurori Vatë Staka nuk është nën hetim, përmes një shkrese kontestuese që kabineti i saj i dërgoi BIRN, ndonëse pranon ndryshimin e akteve të dorëzuara nga prokurori Vatë Staka në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, si pjesë e procesit të vetingut.

Përmes argumenteve të llojit ‘po hetohet çështja, por jo personi’ apo konkluzioneve mbi përgjegjësit e mundshëm, në kohën kur Prokuroria e Shkodrës ka ende një procedim të hapur, Marku shfajëson Stakën dhe kërkon përgënjeshtrimin e artikullit të datës 21 maj me titull: Anëtari i ri i KLP-së, nën hetim për ‘zhdukje të fashikujve hetimorë’.

Në shkresën e firmosur nga drejtori i kabinetit, Alketa Zifla shpjegohet se Prokuroria e Përgjithshme kishte nisur procesin e verifikimit, menjëherë pas marrjes së njoftimeve se janë vërejtur ndryshime në aktet e dorëzuara nga prokurori Vatë Staka në KPK.

“Në përfundim të këtij procesi ka rezultuar se janë konstatuar ndryshime vetëm në formën e këtyre akteve (formatim, rregullim i shkronjave ‘ë” dhe ‘ç’) por jo në përmbajtje dhe për më tepër në vendimarrje,” thuhet në shkresën e kabinetit të Markut për BIRN.

Ndonëse aktet “e ndryshuara në formë” dhe të denoncuara në media mbajnë sërish firmën e prokurorit Staka, kryeprokurorja Marku arrin në përfundimin se “veprime të tilla janë kryer në arkivin e Prokurorisë Shkodër dhe nga persona që kanë qenë të ngarkuar me ruajtjen dhe administrimin e dosjeve përkatëse”.

Artikulli i publikuar në datën 21 maj nga BIRN me autor gazetarin Besar Likmeta evidentonte faktin se prokurori Vatë Staka u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në kohën kur kishte një hetim të nisur nga Prokuroria e Shkodrës për “zhdukje të fashikujve hetimorë”. Shkrimi u bazua te përgjigjet e kërkesave për të drejtë informimi, që BIRN mori nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Të dyja institucionet u pyetën qartësisht mbi hapat ligjorë të ndjekur për verifikimin e akuzave për falsifikimin e akteve që prokurori Vatë Staka dorëzoi në KPK si pjesë e procesit të vetingut. BIRN pyeti gjithashtu Z. Staka, i cili mohoi të ishte në dijeni të hetimit dhe refuzoi të komentonte akuzat e ngritura ndaj tij për falsifikim të akteve që i dorëzoi KPK-së.

LEXO EDHE  E zbulon gazetarja/ Dhunohet një tjetër turist, policia fsheh ngjarjen

Përmes një shkrese të firmosur nga Marku, Prokuroria e Përgjithshme u përgjigj se nuk ishte regjistruar një hetim disiplinor ndaj prokurorit Vatë Staka, por materiali ishte dërguar për kompetencë dhe zgjidhje ligjore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Ndërsa Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër u përgjigj se referimi i Prokurorisë së Përgjithshme është “duke u trajtuar (hetuar) në kuadër të procedimit penal nr.2132 të vitit 2018”. Prokuroria e Shkodrës shtoi gjithashtu se çështja është bashkuar me një procedim tjetër të regjistruar në vitin 2019 për veprën penale të “zhdukjes ose humbjes së fashikullit”.

Në kontraditë me deklaratat publike të Znj. Marku se prokurorët janë të pavarur në hetimet që kryejnë dhe në kundërshtim me praktikat më të mira që mbrojnë lirinë e medias, një përfaqësues i kabinetit të saj ka marrë tre ditë me radhë në telefon autorin e shkrimit, Besar Likmeta dhe përfaqësues të BIRN, duke këmbëngulur që Prokuroria e Shkodrës nuk po hetonte Vatë Stakën, por çështjen.

Një argument i ngjashëm përsëritet në shkresën që kabineti i Znj. Marku i dërgoi BIRN, ku insistimi se Z.Staka nuk është në hetim argumentohet me faktin se emri i tij nuk është i regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale në Prokurorinë e Shkodrës.

BIRN ndoqi të gjithë hapat profesionalë për të verifikuar nëse akuzat për manipulimin e procesit të vetingut ndaj një prokurori, i promovuar më pas si anëtar i KLP-së, po trajtoheshin në mënyrën e duhur, por e ka të pamundur të garantojë lexuesit mbi seriozitetin e hetimit të çështjes së Z.Staka, pasi është detyrë e Prokurorisë të na bindë për këtë dhe jo për të kundërtën.

Por nga shqyrtimi i pretendimeve në tërësi, BIRN e gjen të pavend kërkesën e znj. Marku për përgënjeshtrimin e artikullit, edhe për faktin se ajo nuk është objekt i shkrimit dhe legjislacioni në fuqi nuk e lejon të marrë atributet e Prokurorisë së Shkodrës apo të zotit Staka, të cilët mund të ngrinin në këtë rast pretendime ndaj artikullit.

Nga ana tjetër, pretendimi se z. Staka nuk është person nën hetim, ndërsa çështja në fjalë është nën hetim, konsiderohet nga BIRN një argument i sforcuar, i cili, i dhënë nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme krijon shqetësime mbi ndikim të papërshtatshëm ndaj Prokurorisë së Shkodrës për drejtimin e hetimit apo konkluzionet e pritshme të hetimit mbi të cilin u bazua artikulli./Reporter.al