“Bossi” i Vetingut, Lulzim Hamitaj, 400 mijë euro apartamente

Nga Boldnews.al

Një numër i konsiderueshëm dokumentash zyrtarë, në dispozicion të “Boldnews.al” dëshmojnë për pasurinë gjigande të komisionerit të Vetingut, Lulzim Hamitaj.

I konsideruar nga kolegët e tij si “njeriu i Ëngjëll Agaçit” në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Hamitaj rezulton të jetë pronar i 4 apartamenteve dhe një toke në Mullet, Tiranë, vlera e të cilave arrin në mbi 400 mijë euro.

Hamitaj ka punuar prej vitesh avokat në Itali. Burime të ndryshme deklarojnë se ai ka qenë bashkëpunëtor me zyrën avokatore të Agaçit, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrit Edi Rama.

Megjithatë, “Boldnews.al” nuk ka arritur të sigurojë me dokumenta të plota bashkëpunimin Hamitaj—Agaçi në Itali. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit refuzoi një kërkesë të redaksisë për të vënë në dispozicion biografinë e plotë profesionale të Lulzim Hamitaj, në të cilën duhet të përfshihet edhe emri i zyrës avokatore, në të cilën ai ka punuar në Romë.

Gjithësesi, “Boldnews.al”, pas një kërkimi të nisur disa kohë më parë, ka arritur të sigurojë dokumenta që hedhin dritë mbi pasurinë shumë të madhe të komisionerit të Vetingut, Lulzim Hamitaj.

Në bazë të këtyre dokumentave rezulton se komisioneri i Vetingut është pronar i një apartamenti me vlerë 180 mijë euro, si edhe të një garsoniere, me vlerë 60 mijë euro, të cilat ndodhen në kryeqytetin italian, Romë.

Po ashtu, Komisioneri Hamitaj rezulton gjithashtu pronar i dy apartamenteve në Tiranë. Njëri, me vlerë 70 mijë euro, është blerë prej tij në vitin 2010, si edhe një tjetër apartament në Farkë, me vlerë 34 mijë euro.

Krahas apartamenteve, komisioneri Lulzim Hamitaj rezulton që ka blerë edhe një tokë në zonën e preferuar të Tiranës, në Mullet, me vlerë totale 70 mijë euro.

Në përmbledhje, pasuria e paluajtshme, e blerë nga komisoneri Hamitaj arrin në vlerë rreth 400 mijë euro.

LEXO EDHE  Basha mbledh aleatët/ Çfarë diskutohet...

Krahas pasurive të paluajtshme, Hamitaj rezulton edhe një i apasionuar pas mjeteve motorike. Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Targave, komisioneri është pronar i një motori tip BMW, vlera e të cilit është 4500 euro.

Gjithashtu, Lulzim Hamitaj ka në pronësi të tij edhe një automjet tip Jeep, me vlerë 14 mijë euro.

Komisioneri Hamitaj, në bazë të shpenzimeve të kryera, duket se ka pasur aktivitet të zgjeruar avokator në Itali. Megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë nëse ndonjë prej institucioneve shqiptare ka kryer verifikimin e pasurisë së tij dhe burimet e ligjshme të krijimit të saj.

Komisionerët e Vetingut duhet të ishin të parët që duhet të kalonin në filtrat e “verifikimit të hollësishëm”, para se ata të merrnin detyrën për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Por, të dhënat mbi biografinë e tyre profesionale janë të cunguara. Ndërkohë që mungojnë të dhënat publike mbi pasurinë e tyre.

Megjithatë, “Boldnews.al” po punon prej kohësh për të verifikuar pasuritë e komisionerëve të Vetingut.

Një pjesë e tyre, si në rastin e komisionerit Lulzim Hamitaj, duken se përfshijnë tek radha e shqiptarëve me pasuri gjigande.

Lulzim Hamitaj është aktualisht nga Prokuroria e Tiranës, si i dyshuar për veprën penale të ‘Fallsifikimit të dokumentave”. Ky hetim nisi pasi “Boldnews.al” fillimisht e më tej Partia Demokratike publikuan disa dokumenta, në të cilat krijoheshin dyshime se Hamitaj kishte falsifikuar çertifikatën e njohjes së gjuhës së huaj, me të cilën ai konkuroi për anëtar të Komisionit të Vetingut.

Burime nga Prokuroria e Tiranës deklaruan për “Boldnews.al” se hetimi është ende në vijim dhe prokurorët e çështjes janë në pritje të letër-porosisë së dërguar autoriteteve angleze, për të kryer verifikimet përkatëse në Universitetin e Kembrixhit, një zyrë bashkëpunëtorë e të cilit ka pajisur me çertifikatë komisionerin Lulzim Hamitaj.