Nga Boldnews.al
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i heq shpresat Donika Prelës që të zgjidhet prokurore e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Drejtuesja e Krimeve të Rënda është një ndër 23 aplikantët për 10 vende në Prokurorinë e Posaçme. Ajo, sipas njerëzve pranë saj, ka pasur shpresa që jo vetëm të zgjidhet si prokurore e SPAK, por të arrinte të merrte edhe votat e mjaftueshme për të qenë drejtuese e parë e institucionit më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi.
Por, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ia ka ndalur hovin drejtuese kontraverse të Krimeve të Rënda. KLP ka hartuar një Rregullore të veçantë për mënyrën e verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave për të qenë pjesë e SPAK-ut.
Në nenin 4 të kësaj Rregulloreje, parashikohet se një ndër kushtet thelbësore që duhet të përmbushë prokurori për të qenë pjesë e Prokurorisë Speciale është “kalimi me vendim të formës së prerë të procesit të rivlerësimit (Vetingut)”.
Donika Prela nuk i ka mbyllur ende përfundimisht llogaritë me Vetingun. Ajo u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 5 Shkurt 2019, pavarësisht problematikave të shumta që iu konstatuan sa i përket kriterit të pasurisë dhe integritetit profesional.
Drejtuesja e Krimeve të Rënda zhvilloi një debat me vëzhguesin ndërkombëtar të ONM, Teo Jacobs, gjatë seancës dëgjimore, lidhur me taksat e papaguara të bashkëshortit të saj.
Por, pavarësisht shkëmbimit të batutave, z. Jacobs nuk e konsideroi të arsyeshme që të rekomandonte shkarkimin e saj, pas vendimit të dyshimtë të konfirmimit të dhënë nga Komisioni i Vetingut.
Hezimit të z. Jacobs dhe kolegëve të tij të ONM-së iu përgjigj institucioni i Komisionerëve Publikë, të cilët ankimuan vendimin e konfirmimit të Donika Prelës në 10 Prill 2019.
Tashmë, Donika Prela duhet të qëndrojë në pritje të shqyrtimit të rastit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). Nga praktika e deritanishme e KPA, seancat zhvillohen rreth 7-8 muaj pas dorëzimit të ankimeve.
Bazuar në këtë praktikë, rasti i Donika Prelës pritet të shqyrtohet diku rreth fundit të vitit 2019, duke ndikuar në këtë mënyrë që ajo të mos jetë pjesë e garimit në fazën e parë.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka deklaruar publikisht se institucioni që ai drejton pritet që të zgjedhë prokurorët e SPAK-ut brenda muajit qershor. Në këtë mënyrë, Donika Prela, do të vështrojë nga larg përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë Speciale, ndërkohë që do të jetë me shpresën e konfirmimit në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbylli procesin e pranimit të kandidaturave për 15 prokurorë të SPAK-ut në 19 Shkurt 2019. Deri në përfundim të afatit, ishin dorëzuar 28 aplikime.
Në vijim, KLP skualifikoi nga gara 3 aplikantë, e konkretisht Fatmir Hoxhaj, Irena Nino dhe Gëzim Cenaj, me argumentin se nuk janë pjesë e sistemit të drejtësisë.
Më pas, nga gara u larguan edhe dy prokurorë. Konkretisht, dha dorëheqjen nga kandidimi prokurori i Shkodrës, Vatë Staka, për shkak se u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë; dhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota, për arsye familjare.
Në përfundim, në garë mbetën 23 kandidatë. Prej aplikantëve të mbetur në garë, dy janë konfirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë nga organet e Vetingut. Konkretisht, Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Dritan Prençi, prokuror tek Krimet e Rënda.
Bashkë me Donika Prelën, në pritje të vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. Ai u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik e ankimoi këtë vendim në 31 Tetor 2018.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e aplikantëve për një vend në SPAK ende nuk është përballur me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Më poshtë është lista e plotë e aplikantëve për të qenë në radhën e 15 prokurorëve të SPAK-ut.
1. Klodjan Braho, Krimet e Rënda, ende pa Veting
2. Besnik Muçi, Krimet e Rënda, në proces në KPA
3. Anton Martini, Krimet e Rënda, ende pa Veting
4. Edvin Kondili, Krimet e Rënda, ende pa Veting
5. Ened Nakuçi, Krimet e Rënda, ende pa Veting
6. Eugen Beci, Krimet e Rënda, ende pa Veting
7. Doloreza Musabelliu, Krimet e Rënda, ende pa Veting
8. Arben Kraja, Prok. Përgjithshme, konfirmuar me vendim të formës së prerë
9. Vladimir Mara, Krimet e Rënda, ende pa Veting
10. Dritan Prençi, Krimet e Rënda, konfirmuar me vendim të formës së prerë
11. Shkëlzen Cena, Prok. Tiranë, ende pa Veting
12. Behar Dibra, Krimet e Rënda, ende pa Veting
13. Besim Hajdarmataj, Krimet e Rënda, ende pa Veting
14. Dorina Bejko, Prok. Pogradec, ende pa Veting
15. Altin Dumani, Apeli Tiranë, ende pa Veting
16. Enkeleda Osmani(Xhengo), Prok. Durrës, ende pa Veting
17. Elida Kackini (Selami), Prok. Tiranë, ende pa Veting
18. Enkeleda Millonai, Prok. Elbasan, ende pa Veting
19. Donika Prela, Krimet e Rënda, në proces në KPA
20. Elisabeta Imeraj, Krimet e Rënda, ende pa Veting
21. Manjola Kajana, Krimet e Rënda, ende pa Veting
22. Ndini Tavani, Prok. Tiranë, ende pa Veting
23. Anita Jella, Prok. Durrës, ende pa Veting