Përplasje të forta mes krerëve të Burgjeve. Balkanweb siguron emailet zyrtare të shkëmbyera mes Drejtorit të Përgjiithshëm, Agim Ismaili dhe atij të Policisë, Bardhul Kaçori. Emailin e parë në adresë të Kaçorrit dhe drejtuesve të IEVP-ve në vend e dërgon Ismalili, i cili e mori drejtimin e institucionit pas largimit të Stefan Çipës.
Në emailin që disponon BalkanWeb, ndër të tjera, Ismaili flet për takime të padokumentuara të zyrtarëve të burgut me të dënuar VIP. Këto zyrtarë ai i paralajmëron me burg.
“Kam informacion që nga drejtues e funksionarë kryhen takime jo institucionale dhe të padokumentuara me të burgosur të caktuar, kryesisht VIP. Varianti i menaxhimit të burgut, ruajtjes së qetësisë e normalitetit aty, përmes kreditimit e trajtimit preferencial të VIP-ve është efektivisht një transferim i pushtetit të administrimit të burgut tek ata. Çdokush që i takon konfidencialisht ka kryer një shkelje shumë të rëndë dhe goditje të fortë ndaj punonjësit të policisë, i cili gjatë këtyre takimeve të shefave rri si kaqol mbas dere. Ata janë të burgosur si gjithë të tjerët, respekti ndaj integritetit të tyre e lirive e të drejtave të parashikuara në aktet rregullative është busulla e veprimit tonë, poooor takime joinstitucionale, konfidenciale, të padokumentuara përbëjnë një akt që nuk ka lidhje me detyrën, por edhe drejtpërdrejtë kundër saj.
Të burgosurit janë të barabartë pavarësisht krimit të kryer forcës fizike, fuqisë ekonomike, mbështetjes kriminale apo ndryshe nga jashtë burgut.
Nëse nuk i trajtojmë kështu, efektivisht jemi bërë pjesë e suportit ndaj tyre dhe efektivisht duhet të jemi aty me ta (në burg) e jo duke qeveris burgun.
Është evidente sesa i motivuar do jetë një polic, apo oficer trupe përballë të burgosurve VIP gjatë veprimeve që kryhen për ditë, ndërkohë që x apo y drejtor i takon konfidencialisht ata?
Çfarë ju thotë ky drejtor? Ku e dokumentoi veprimin? Çfarë zgjidhi?
Do marr masa për të verifikuar raste kësisoj dhe padyshim që reagimi im do jetë “propozim për shkarkim”, por ky është vetëm fillimi”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të Policisë së Burgjeve, i cili informon Ismailin se ka vepruar konform ligjit, duke dëgjuar nga afër problematikat e të dënuarve. Kaçorri i përgjigjet edhe kërcënimit të eprorit për burgun.
“Nuk dëshiroj të jem me ta (në burg), pavarësisht eksperiencave negative që kanë ndodhur me Drejtorët e Përgjithshëm (nënkupton Arben Çukon, i cili u arrestua pas dyshimeve për korrupsion shën.redaktori), fatkeqësisht kohët e fundit. Nuk mendoj se ju e keni këtë mundësi për të më bërë edhe mua banor të përkohshëm të ndonjë IEVP për shumë arsye”, shkruan Kacorri. Më poshtë emaili i plotë.
“Në përgjigje të informacionit të përcjellë nga persona anonim dhe pa karakter dhe vazhdimisht tek ju për takimet VIP (të cilët i cilësoni në mënyrë të përsëritur të tillë) dhe i quani jo institucionale, ju bëj me dije se: Nuk quhen takimet, por kontakte me të dënuarit, se janë të paparashikuara pavarësisht problematikave që ata i kishin përcjellë para shumë kohësh. Varianti i menaxhimit të burgut përmes kreditimit e trajtimit preferencial ka të bëjë më shumë me paaftësinë për t’u përballur Ju dhe ndonjë tjetër me këta VIP-a për problematikat që ata kanë dhe i shprehin në mënyrën e tyre kur rregulli ja parashikon dhe mospërballja me to ju jep kredite dhe autoritet falls. Unë gjithmonë i trajtoj të dënuarit të barabartë në të drejta dhe zbatueshmëri ligjore. Takimet konfidenciale nuk arrita t’i kuptoj në këtë email, kur unë shoqërohem nga një staf policor sic do person tjetër që ligji lejon hyrjen ne IEVP pa autorizim, mos vallë ju duhet të më autorizoni mua për të bërë detyrën time dhe më shumë tuajën për këto kohë? Nuk dëshiroj të jem me ta (në burg), pavarësisht eksperiencave negative që kanë ndodhur me Drejtorët e Përgjithshëm, fatkeqësisht kohët e fundit. Nuk mendoj se ju e keni këtë mundësi për të më bërë edhe mua banor të përkohshëm të ndonjë IEVP për shumë arsye. Përsa i përket motivimit të punonjësve ato shohin vazhdimisht aftësinë time për t’u përballur në mënyrë të drejtpërdrejtë duke argumentuar me zë të lartë të drejtat dhe detyrimet me persona të cilët janë problematikë në shumë aspekte, ku takimet e mia janë dhe të orientuara shumë herë nga ata si një nevojë për t’ju dhënë autoritet të gjithë punonjësve.
Ky, Drejtori ju thotë atyre që do drejtoj me mend, me qetësi, pa korrupsion, me korrektësi, barazi dhe trimëri. Që të mos lodhesh duke verifikuar kontaktet e mua, po ju listoj të gjithë personat që takova sipas informacionit tuaj anonim: Alfred Shkurti, Enver Dondollaku, Viktor Imeri, Denis Shtraza, Selman Myrto, Astrit Peqini, Eduart Peqini, Altin Kodra, Gazmend Braka, Agim Pepa, Fredi Aliaj, Armand Hasani, Dritan Dajti, Hektor Voci, Klajdi Sherrmadji, Arben Grori, Dritan Kateshi, Taullant Balliu, Alfred Qefalia, të gjithë të dënuar të sigurisë së lartë.
Ndërsa super VIP-i ishte Dejvis Rustemi, i cili më ngatërroi me Drejtorin e Përgjithshëm duke me kërkuar konfidencialitet pasi po fliste me një nipin tuaj në telefon me mbiemrin Bushati (nëse është i vërtetë).
Drejtor paraprakisht duhet të konsultoheshe me mua, përpara se të përcillje email-in. Ju akuzoni padrejtësisht, kërcënoni padrejtësisht, ofendoni padrejtësisht. Unë kisha shumë gjera për Ju dhe të tjerë, por mendoj pas një periudhe 3 mujore, Ju detyrimisht do ta ndryshoni këtë STIL pune si një periudhë stanjacioni, pasi burgu nuk është magazinë kavanozësh, por një jetë me problematike ku zgjidhjet priten më shumë nga ju, përveç stuhisë ndëshkimore që po kalojmë me shumë dhimbje dhe stres. Nuk di sa sintetik ishte me këtë përgjigje. Por të garantoj vetëm sinqeritet për sa të shktuajta”.
Të tjera emaile janë shkëmbyer mes dy krerëve të burgjeve, të cilët në vend që të menaxhojnë situatën në të gjitha IEVP në vend, që për hir të vërtetës siguria në to lë shumë për të dëshiruar dhe ka një mal probleme, për shkak se shumë të dënuar VIP bëjnë ligjin brenda mureve, harxhojnë kohë dhe energji duke kërcënuar njëri-tjetrin me burg, apo etiketuar policët si “kaqol” apo institucionin si “magazinë kavanozësh”.