Nga Boldnews.al
Një vit më parë, kur BE vendosi të shtyjë datën e hapjes së negociatave me Shqipërinë, për në qershor të vitit 2019, kryeministri ynë tha trumfalisht: “Negociatat i morëm, ato hapen pas një viti”… Mashtrimi ditor nuk shkoi gjatë, si gjithnjë propaganda e ulët qeveritare u hodh si ushqim i “helmuar” për qytetarët, por e vërtetë është krejt ndryshe.
Vendi rrezikon seriozisht të mos marrë hapjen e negociatave si vend kandidat për në BE. Holanda, vetëm tre ditë më parë votoi për rikthimin e vizave me Shqipërinë, me argumentin e kriminalitetit të shtuar dhe emigracionit ilegal. Rezuluta e parlamentit i kalon qeverisë së Holandës dhe kjo e fundit vendos nëse do e dërgojë ose jo propozimin në Këshillin e Europës.
Fakti që janë disa hallka, mund të mos e rrezikojnë izolimin e shqiptarëve në mënyrë të menjëhershme, por ky është një sinjal i fortë se Holanda është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, një vendim që pritet të merret në qershor të këtij viti.
Krahas Holandës, edhe Franca është skeptike, madje që tani kanë nisur të bëhet fakt i kryer që sërish Franca do jetë nga ato shtetet që e sheh me shumë dyshim plotësimin e kushteve nga Shqipëria. Gjermania gjithashtu e ka bërë të qartë se pa plotësuar kriteret dhe dhënë argumenta bindëse se Shqipëria (qeveria), ka bërë hapa të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, trafiqet e paligjshme dhe funksionimin e një shteti ligjor që mbron liritë themelore të njeriut, nuk mund të qaset as në korridoret e BE-së, jo më të jetë në paradhomën e saj.
Arsyet tashmë dihen, por po manipulohen në mënyrën më të ulët nga qeveria jonë. Çështja e krimit të organizuar, emigracionit ilegal i shqiptarëve dhe sidomos kërkesat e shumta për azil, janë elementë të cilët në çdo rast do penalizonin vendin tonë, pasi kryeministri dhe qeveria ka shpresuar vetëm në “lëmoshën” e BE-së. Rama nuk është në gjendje që të përballet me liderët europianë dhe t’i numërojë arritjet që ka pasur Shqipëria.
Për gjashtë vite më shumë se 450 mijë shqiptarë janë larguar për shkak të varfërisë së tejskajshme jashtë vendit dhe kanë kërkuar azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Çmund të thotë kryeministri për lidhte e politikës me krimin e organizuar? Nëse monologjet e tij i beson vetëm ministresha Elisë, kjo nuk do të thotë se propagandën e Ramës do e marrë të mirëqenë Angela Merkel.
A ka bilance Rama që tua përplasë në tavolinë krerëve politik të BE-së për luftën kundër korrupsionit? Kjo do ishte çmenduria më e madhe, shifra Rama nuk mund të shpikë. Çdo raport ndërkombëtar, përfshi edhe atë të Departamentit Amerikan të Shtetit, e konsideron Shqipërinë problematike për çështjen e trafikut të drogës, korrupsionin në nivelet e larta shtetërore dhe lidhjet e politikës me një pjesë të botës oligarkike të biznesit, duke mbytur konkurencën e ndershme dhe sjellë si pasojë braktisjen nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare.
Rama nuk mund të shkojë në Europë dhe të mburret me investimet me lulishte në qëndrën e Poliçanit, të Librazhdit, apo të Maliqit. Nuk kanë vlerë në Bruksel as kullat e Lali Erit në Tiranë, nuk vlen as propaganda se kryeqyteti shqiptar po lulëzon nga gjelbërimi.
Nuk është “kriter vlerësimi” prishja e trashëgimisë kulturore dhe dhënia e lejeve të ndërtimit për kulla e pallate. Ndaj kryeministrit këtë herë nuk i shkon më as propaganda publike, si “piktor funeralesh” thjesht e ka kthyer Shqipërinë në një tablo të frikshme, pasojat e së cilës po i vuajnë qytetarët.