FOTO/ Sirio Berati: Së shpejti në Shqipëri, ja projektet surprizë

Janë të paktë shqiptarët që arrijnë të identifikohen me talentin e pasionin e tyre në botë. Po aq të paktë janë edhe ata që arrijnë me shumë punë e përpjekje ta mbajnë gjallë e të bëhen dikushi falë pikërisht këtij talenti. Një ndër ta, edhe pse në moshë shumë të re është fotografi, ose më saktë artisti vizual/dixhital, Sirio Berati.

Në një intervistë për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, ai na rrëfen si lindi pasioni për foton dhe artin si dhe vështirësitë që ka kaluar për të arritur në hapat që është tani. I preferuar për punën edhe nga “Vogue Italia”, Sirio ka një vizion të afërt për fotografinë dhe projektet që dëshiron t’i jetëzojë në Shqipëri, duke sjellë frymën ndërkombëtare. Për më tepër në intervistën e mëposhtme:

Jeni një ndër fotografët më të vlerësuar për stilin e punës suaj si dhe imagjinatën që keni. Si lindi dëshira për të zgjedhur këtë rrugë?

Kam dashur gjithmonë të sjell diçka ndryshe dhe jam frymëzuar nga miqtë e mi të huaj në artin tim. Gjithmonë kam dashur të shkoj përtej fotografisë dhe të krijoj botën time. Të realizoj koncepte që janë vështirë për t’u konceptuar apo realizuar në jetën e përditshme. Unë nuk jam fotograf. Do e quaja më shumë veten një artist vizual/dixhital.

Jetoni prej kohësh jashtë Shqipërisë. Ju zgjodhi Kanadaja ju, apo ju atë?

Më zgjodhi ajo mua. Isha në një periudhë shumë të vështirë për zgjedhjen e degës dhe universiteteve. Unë studioja në Angli. Për mendimin tim, universitetet atje lënë shumë për të dëshiruar, janë më shumë biznes për ne studentët internacionalë. Nuk të japin mundësi, edhe pse unë dola me rezultate shumë të larta. Mjafton një refuzim nga një universitet prestigjioz që të refuzohesh te të gjithë të tjerët. Punë interesi. Aplikova më pas në Kanada, në universitetin nr.1, McGill dhe më pranuan, madje më dhanë mundësinë të hidhesha direkt viti i dytë. Për më tepër, pagesa është shumë herë më e konsiderueshme se sa në Angli.

Para pak kohësh keni prezantuar galerinë tuaj të punimeve në Ambigu. Si u prit dhe çfarë stili zotëronte në punimet tuaja?

Unë solla sërish në Ambigu ekspozitën që kam mbajtur në Angli, veç me më pak vepra. Ekspozita ime quhet “Afrohuni Kaosit”. Temat kryesore që paraqiten janë identiteti dhe kultura. Stili po surreal/fantazi. Një ekspozitë me mediume të ndryshme, nga piktura me akrilik, skulptura, video, fotografi e vizatime. Në Ambigu prezantova vetëm artin tim dixhital dhe të them të drejtën u prit shumë mirë, si nga shqiptarët e Montrealit, gjithashtu edhe të huajit.

Një ndër eksperiencat më të përfolura ka qenë ajo me “Vogue Italia”. Si erdhi propozimi? A do të ketë bashkëpunime të tjera?

Kanë qenë foto të miat personale, që i kam dërguar në portalin e tyre dhe nga selektimi i disa prej tyre, editoriali pranoi disa portrete. Kam shumë material që po mendoj ta vendos në “Vogue”. Jam duke diskutuar me disa modele dhe grimierë për konceptin mbrapa. Do pak kohë realizimi, sidomos tani në verë.

Kush, apo çfarë ju ka frymëzuar që të keni një stil të tillë në punët tuaja?

Muzika dark (e errët), filmat thriller dhe filozofia. Nuk e di, por në momentin kur shoh realizime kinematografike të tilla, ndikohem në konceptimin e ngjyrave dhe ideve. Filmat thriller/horror mbahen për narrativen dhe fantazinë. Deri diku më kanë influencuar. Më pas njohja me filozofinë dhe me disa artistë i ka dhënë një rafinim të mëtejshëm stilit tim. Jam akoma në gjetjen e vetes. Nuk e di akoma se ç’dua të bëj.

Me çfarë po merret tani Sirio? Keni ndonjë projekt të afërt me ndonjë figurë të njohur në Kanada?

Jam duke konceptuar ide. Po, kam disa projekte me disa njerëz të njohur këtu në Kanada. Gjithashtu, kam një bashkëpunim me “Goss Magazine” si kryeeditor dhe me një dizainer. Unë nuk kam shumë që jam shpërngulur në Kanada. Duhet akoma punë për më tej, por shoh që ka pafund mundësi.

Në një intervistë të mëparshme keni thënë se do bëni së shpejti një “fotoshooting” në Kanada në linjat e “Meet Gala”. Kur do të zhvillohet dhe kush artistë të njohur do të jenë pjesë e punës suaj?

“Fotoshooting” e kam menduar të bëhet në kuadrin e dërgimit të fotove në “Photo-Vogue” dhe disa revistave të njohura këtu si “Flanelle”, “Le Fronte” etj. Do të zhvillohet këtu dhe me modelë vendës. Në të kundërt, kam disa ide se me kë mund t’i zhvilloj në Shqipëri, por nuk mund të zbuloj surprizën për momentin.

A keni pasur ndonjë propozim nga ndonjë personazh i njohur VIP? Stilin e kujt parapëlqeni më tepër që do të preferonit të punonit?

Ka pafund artistë shqiptarë që mund të doja një bashkëpunim, sidomos me fotografë të rinj, njerëz me ide, që mund të identifikohem lehtësisht. Andi Deçani, Ilian Stërmolli e shumë të tjerë. Për sa u përket personazheve, preferoj të bashkëpunoj me njerëz që kanë guxim të sjellin diçka të re. Njerëz që e vlerësojnë një artist, një fotograf dhe nuk e shikojnë thjesht si një individ, që duhet të japë një produkt sepse po paguhet dhe jo për të sjellë diçka të tillë. Marrëdhënia fotograf-model është shume e rëndësishme. Madje s’do të thosha fotograf-model, por bashkëpunim midis dy artistëve. Zakonisht fotografët janë të nënshtruarit e personazheve VIP, duke u krijuar një formë hierarkie. Unë nuk mund të bashkëpunoj dot me dikë që krijon hierarki. Së fundmi kam bërë një bashkëpunim me Megi Pojanin. Absolutisht një njeri mendjehapur, që di të vlerësojë artin, di të kontribuojë në ide, di të komunikojë dhe guxojë, di të kritikojë dhe për më tepër, di të bëhet njësh me fotografin dhe tematikën. Një nga “photoshootet” e vetme të mija ku pragu klasik, ftohtësia, inferioriteti, linja që respektohet me rigorozitet midis fotografit me modelin, në sensin e hierarkisë që vendos në presion fotografin është zhdukur. Eksperiencë vërtet shumë produktive. Nëse do të bëja bashkëpunim me dikë tjetër, do të kërkoja pikërisht njerëz të tillë dhe janë shumë të paktë.

Sirio studion për drejtësi, por pasioni është fotografia. Ku e shihni veten më tepër në të ardhmen?

Gënjej nëse them që e di. I dua që të dyja, por mendoj se nuk ka më bukur se të identifikohesh si artist, të jesh artist. Politikanin dhe avokatin të gjithë e bëjnë. Unë jam shpirt i lirë. Do të doja shumë të kisha një karrierë si artist, gjithmonë pjesë e industrive të mëdha.

Sa e vështirë është të jesh një fotograf i huaj në Montreal të Kanadasë? Kush ka qenë mbështetësi juaj më i madh në pasionin tuaj?

Varet se çfarë fotografi. Unë e zhvilloj si pasion, nuk mund të them dot, por di që deri tani dyert më janë hapur. Është akoma shumë shpejt. Suporti më i madh janë prindërit, si gjithmonë. Në çdo hap dalin garant dhe janë aty për mua. Më pas miqtë e mi të ngushtë dhe sigurisht, njerëzit që më mbështesin çdo ditë në rrjetet sociale.

Së fundmi jeni duke u marrë me punimet tuaja në “Youtube” dhe me artin vizual. Si është e bukura e perceptuar në sytë e Sirios?

Unë kam dashur gjithmonë të krijoj një “network” në Shqipëri për fotografinë, duke qenë se nuk ka akoma. Askush deri tani nuk është munduar të jetë aty për pjesën tjetër që kërkon të dijë dhe të mësojë për fotografinë. Unë dua të ndaj me këdo të interesuar eksperiencat e mija, mendësinë time, idetë e mija dhe aftësitë e mija. Shqiptarët kanë nevojë dhe janë të gatshëm të mësojnë diçka të re, edhe pse unë kam qenë pak dyshues në fillim. E bukura për mua është diçka që fsheh dhe jo tregon. Në momentin kur dikush është konfuz dhe nuk e kupton menjëherë idenë pas një punimi, tregon që ai punim ka në brendësi shumë mendime kritike, që nuk janë të thjeshta për të dalë në sipërfaqe. Unë inspirohem nga artistët që janë të thjeshtë dhe pas thjeshtësisë së artit të tyre gjendet gjysma e fshehur e ajsbergut, dhe pse arti im deri diku në pamje të parë duket i komplikuar. Shumica e punimeve të mija kanë pasur ide. Nuk janë aty vetëm sepse duken bukur. Një vepër e bukur për mua është një vepër që ka kuptim, një vepër që të lë mbresë dhe të bën të jesh kurioz për më shumë. /Gazeta Shqiptare/