Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri ka patur aktivitet të lartë sizmik, ku në fund të marsit pati disa lëkundje përgjatë bregdetit shqiptar dhe dy ditë më parë në Leskovik, të gjitha lëkundjet me magnitudë jo më shumë se 4.
Duke folur për tirananeës.al, prof. Edmond Dushi sizmiolog pranë Institutit të Gjeoshkencave, Energjise, Ujit dhe Mjedisit, IGJEUM, thotë se vetëm gjatë lëkundjeve në Leskovik ka pasur 300 mikrotërmete. Ai sqaron se në bazë të studimeve statistikore tërmetet e mëdha e kanë periudhën e përsëritjes çdo 30-40 vjet. Në Shqipëri vendin kryesor e zënë tërmetet e viteve 1956-1979, çka do të thotë se po hyjmë në një periudhë ku pritet një rritje e aktivitetit sizmik.
“Pjesën e periodës nuk duhet ta ngatërrojme me periudhën e ndodhjes. Pra, periodën e kanë 100 vjet e më shumë, sipas magnitudës, pra M6 çdo 100 vjet, M7 çdo 450 vjet e me radhë. Kjo do të thotë që do të duheshin 100 vjet që në një zonë të dhënë të përsëritet i njëjti tërmet që ka ndodhur para 100 vjetësh. Por ne nuk e dimë se kur ka ndodhur tërmeti X me atë magnitudë që të dimë se edhe sa kohë i ka mbetur, për një rajon Y…ne dimë që për gjithë territorin e vendit çdo 30-40 vjet kanë ndodhur tërmete të fortë, por ata nuk kanë ndodhur në të njëjtin vend dhe nuk kanë përsëritur veteveten për arsyen që theksova, që akumulimi i energjisë starton në kohë të ndryshme, vazhdon me ritme të ndryshme akumulimi dhe çlirohet po në kohë dhe mënyre të ndryshme nga një rajon në tjetrin.”, thotë prof. Dushi.
Profesori thotë se viti 2019 është karakterizuar deri më tani nga një mikroaktivitet intensiv që është karakteristikë për territorin shqiptar. Dy pikat kulminante janë pikërisht seria e 31 Marsit , në Detin Adriatik rreth 14 km ne perëndim të gjirit të Lalezit dhe seria e 15 Prillit, në kufirin Shqipëri-Greqi në juglindje të Leskovikut. Seria e parë është karakterizuar nga një numër i vogël tërmetesh, kryesisht mikrotërmete, ndërsa seria e dt. 15 Prill, numëroi rreth 300 mikrotermete. Këto seri sizmike kanë të përbashkët faktin që janë tërmete natyror, tektonik dhe që nuk e kalojnë magnitudën 4 sipas shkallës Rihter.
Sipas sizmiologut këto tërmete kanë dallim nga njëra-tjetra sepse janë shkaktuar në kushte të ndryshme tektonike.
“Ndërkohë dallojnë nga njëra-tjetra sepse janë shkaktuar në kushte të ndryshme tektonike, ku seria e detit Adriatik lidhet me aktivizimin e një segmenti të thyerjes detare të tipit kundër-hedhje ( blloku tektonik i Adrias i mbihipën struktures perëndimore të Albanideve të jashtme në trajtën e një përplasjeje), ndërsa seria në zonën e Leskovikut është shkaktuar nga thyerje sizmike të tipit normal, ku strukturat tektonike i largohen njëra-tjetrës. Për rrjedhojë seria e detit Adriatik karakterizohet nga thellësi më e madhe e vatrave se sa seria e Leskovikut. Efekti i tyre ka qenë i ndryshëm pikërisht për këtë fakt. Pra seria e Leskovikut është ndjerë lokalisht. Në përgjithësi, territori i Shqipërisë është tektonikisht dhe sizmikisht aktiv, si dhe rajoni ku ndodhemi. Historia sizmike e Shqipërisë flet për tërmete të forte me M 6 deri 7, Rihter. Ky është një fakt që rreziku sizmik për territorin tonë është shumë i lartë, kur njihet tashmë në shkencën e sizmologjisë që tërmetet ndodhin përgjatë thyerjeve tektonike të cilat janë zona të dobësuar e me rezistencë të vogel ndaj sforcimeve tektonike”, thotë prof. Dushi.
Sa i përket rajonit mesdhetar ku bëjmë pjese, natyrisht vendin kryesor e zë bregdeti Jonian (Greqia). Gjatë periudhës 2018-2019, janë regjistruar 28 tërmete të fortë me Magnitudë 4 e më shumë në rajonin mesdhetar, ku aktiviteti kulmon me tërmetin e tetorit 2018, me Magnitudë 6, në detin Jon, në kontaktin tektonik midis pllakës Euroaziatike dhe asaj Afrikane. Aktiviteti sizmik në zonën hypoqendrore të këtij tërmeti vazhdon ende.
Sipas sizmiologut, janë regjistruar edhe nga rrjeti ynë kombëtar mijëra mikrotërmete dhe disa qindra tërmete të moderuar. “Kjo është një shprehje e qartë e relaksimit tektonik të rajonit tonë që normalisht do të akomodohet edhe në pika të tjera tektonike përfshirë edhe Shqipërinë. Pra, në mbyllje, kemi dhe do vazhdojmë të kemi aktivitet sizmik dhe natyrisht duhet të bashkëjetojmë me këtë dukuri natyrore që karakterizon vendin tonë”, thotë ai.
Për profesorin e rëndësishme është të njohim dhe ta studiojmë këtë dukuri me shpeshtësi ndodhje ndoshta më të rrallë se dukurite e tjera si psh. ato atmosferike, por me impakt shumë herë më të lartë dhe me shtrirje të madhe gjeografike. “Rrjeti sizmologjik kombëtar e ka kryer dhe e kryen më së miri këtë detyre, por natyrisht nevojitet edhe vëmendje më e madhe nga shteti në këtë drejtim, me synimin e mirë dhe final, të parandalimit ose minimizimit të impaktit të katastrofave natyrore”, përfundon sizmiologu.
Dy fjalë për rrjetin sizmiologjik shqiptar (tirananeës.al)
Stacioni i parë është themeluar në 1968. Që atëherë janë bërë përpjekje për të ngritur rrjetin dhe aktualisht numërohen tetë stacioni, ku ai i Tiranës është pjesë e rrjetit Euro-Mesdhetar. Informacioni i IGJEUM ndahet dhe me qendrat ndërkombëtare si IRIS, ISC dhe EMSC.
Investimi i fundit në këtë strukturë është bërë në vitin 2003, ndërkohë që ka 16 vjet që ka munguar vëmendja për vendosjen e parametrave bashkëkohore dhe në të vetmin institucion shqiptar që studion aktivitetin sizmik në Shqipëri. Si i tillë, duke qenë një aset kombëtar, ka ardhur momenti per nje rifreskim te infrastrukturës së tij.