Sulmet e vazhdueshme në media, vend e pa vend, pa asnjë arsye dhe fakt, të Kryeministrit dhe tashmë të ministres së Arsimit, nuk janë gjë tjetër, veçse përfundimi i një skenari të shkruar, ideuar, instrumentuar dhe drejtuar nga vetë qeveria.
Kështu thuhet në një reagim zyrtar të Mynyr Konit, Rektorit të Universitetit të Tiranës, i pezulluar nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Koni thekson se karrierën e tij akademike, fatmirësisht, nuk e ka të lidhur as me karrigen e rektorit dhe as me të qenurit rektor.
“Nëpërmjet kësaj deklarate, dua t’i kërkoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që me seriozitetin dhe gjakftohtësinë që e karakterizon, ta shikojë me shumë kujdes këtë rast, jo për Mynyr Konin, por për Universitetin e Tiranës, për vetë rëndësinë, historinë dhe domethënien që ka ai në arsimin e lartë në vend”, thekson Koni.
Ndërkohë, ai shprehet se në cilësinë e Rektorit dhe të detyrimit ligjor dhe moral ndaj institucionit, të gjitha shkeljet ligjore të disa dekanëve, të ish- autoriteteve apo autoriteteve të tjera të UT-së, i kam kallëzuar me prova dhe fakte konkrete në prokurori, dhe aktualisht ndodhen në hetim pranë kësaj të fundit.
Deklaratë e Mynyr Konit
Ndjej detyrim moral për të bërë këtë deklaratë dhe për të sqaruar edhe një herë, sado pak qoftë, të gjithë ata që duan të dëgjojnë apo të kuptojnë të vërtetën; të gjithë ata që u “dhemb” me të vërtetë Universiteti i Tiranës, kolegët dhe studentët e UT, por së pari, familjen time dhe bashkëpunëtorët e mi, që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim të vështirë, që ka filluar që nga momenti i marrjes së detyrës si Rektor i Universitetit të Tiranës.
Në fakt ishte e pritshme nga ana ime që situata do të shkonte deri këtu, pas gjithë atyre sulmeve të pashembullta që prej shumë kohësh, janë adresuar ndaj personit tim.
Deklaratën e saj, Ministrja e fillon me protestën e studentëve, pastaj vazhdon me ligjin e arsimit të lartë 80/2015 dhe risitë që paskërka sjell ky ligj; tek zbatimi korrekt i tij nga të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe ndalet tek Universiteti i Tiranës, duke theksuar se: ” …..Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk është mjaftuar vetëm me kompetencat akademike, por ka synuar edhe kompetenca administrative…….” dhe vazhdon dhe flet e flet, por pa thënë asgjë konkrete dhe asgjë të provuar, por vetëm duke kryer detyrën dhe porosinë që ka marrë dhe që me patjetër, duhet ta përfundojë atë…..
Sikurse e kam thënë, përpara se të merrte një vendim të tillë, minimalisht, Ministrja duhet të më kishte dëgjuar, por siç duket, e tremb e vërteta, sepse, sikurse edhe vetë e deklaroi, institucioni i Rektorit, dhe sidomos ai i Rektorit të Universitetit të Tiranës, është një institucion jo vetëm i rëndësishëm për arsimin e lartë, por është një institucion që del nga zgjedhjet dhe nga votat e më shumë se 25 mijë votuesve. Dhe kjo, është mjaft e rëndësishme për shumë arsye dhe nënkupton dhe shumë gjëra, sidomos atë që artikulohet edhe më shumë sot … “autonomia e IAL-ve”.
Që prej emërimit të saj si Ministre, pavarësisht se ajo ka qenë pjesë e drejtimit të MASR, dhe besoj se shumë gjëra mund t’i ketë dëgjuar, po sigurisht varet sesi dhe çfarë ka dëgjuar, kishte detyrimin institucional t’u kthente përgjigje shkresave dhe kërkesave zyrtare që i kam përcjellë, dhe ato nuk janë të pakta në kaq javë që ajo është në këtë detyrë.
Kështu, në mënyrë të përsëritur, i kam kërkuar të shprehet në mënyrë institucionale dhe kam kërkuar ndërhyrjen e saj për çështje mjaft të rëndësishme për Universitetin e Tiranës, siç është zgjedhja e Komisionit të Përhershëm në nivel njësie kryesore për marrjen e gradës shkencore “Doktor”; apo zbatimi i VKM nr.782 datë 26.12.2019 për zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Administrimit të UT-së, nga studentët; e kam vënë në dijeni zyrtarisht për shkeljet ligjore nga ana e dekanëve të disa fakulteteve të UT-së, të cilët nuk kishin zbatuar detyrimin ligjor për të përcjellë të dhënat e kërkuara për hedhjen e tyre në portal apo për bibliotekën online që aq shumë është përfolur kohët e fundit dhe për të cilën jam akuzuar unë sikur jam arsyeja e mosvënies së saj në punë; etj. etj,,, Dhe të gjitha këto, janë me prova dhe fakte konkrete.
Por në asnjë rast, kjo Ministre, nuk ka denjuar të kthejë as përgjigje, dhe as të ndërhyjë apo të shprehë qëndrimin e saj institucional. Ajo ka zgjedhur të heshtë, dhe tashmë është e kuptueshme që me heshtjen e saj, ka “gatuar” dhe ka përgatitur vendimin e pezullimit tim.
Atëhere përse çuditet Ministrja, që unë nuk i kam përcjellë një propozim konkret për masë disiplinore për ndonjë nga dekanët, kur ajo kishte një sjellje të tillë; kur ajo nuk kishte dhe nuk tregonte asnjë frymë bashkëpunimi apo bashkërendimi të punëve me Rektorin e UT, gjithmonë në të mirë të institucionit dhe në zbatim të ligjit; kur ajo dilte hapur në mbrojtje të tyre; kur ajo vetë organizonte takime me këta dekanë dhe Rektori i Universitetit nuk ishte askund dhe nuk ftohej, por vetëm fajësohej, fajësohej prej saj dhe prej Kryeministrit?
Sigurisht që, nuk mund të përcillja tek Ministrja një propozim të tillë. Për më tepër, dua të theksoj se Statuti i UT-së, i miratuar nga Ministrja e Arsimit, nuk i ka lënë asnjë kompetencë Rektorit për ta bërë këtë gjë, dhe jo vetëm për dekanët por edhe për personelin tjetër të UT-së, pavarësisht se Rektori është punëdhënësi dhe nënshkruan kontratat e punës me ta.
Siç duket, për këtë arsye është miratuar në këtë mënyrë Statuti i UT-së!!!
Por, ju siguroj se, në cilësinë e Rektorit dhe të detyrimit ligjor dhe moral ndaj institucionit, të gjitha shkeljet ligjore të disa dekanëve, të ish- autoriteteve apo autoriteteve të tjera të UT-së, i kam kallëzuar me prova dhe fakte konkrete në prokurori, dhe aktualisht ndodhen në hetim pranë kësaj të fundit.
Por, le të ndalemi pak tek inspektimi që përmend Ministrja në muajin Shkurt 2018 nga një grup inspektimi i MASR, për vlerësimin e zbatimit të ligjshmërisë nga autoritetet dhe organet drejtuese të UT-së, i cili në përfundim të tij, ka lënë 14 rekomandime për autoritetet dhe organet drejtuese të UT dhe se sipas Ministres, vetëm Rektori nuk i paskërka zbatuar ato. Sapo është përcjellë raporti nga ish-Ministrja, pas analizimit të rekomandimeve të lëna për Rektorin (gjithsej 6 prej tyre), me shkresë zyrtare i jam drejtuar ish-Ministres duke i raportuar në lidhje me masat që ishin marrë dhe/ose ishin në proces zbatimi. Nuk kam pranuar të zbatoj vetëm ato rekomandime të cilat binin në kundërshtim të hapur me ligjin dhe për të cilat gjykatat kishin vendosur vlefshmërinë e tyre. Pikërisht, për këto vendime, grupi i punës kishte rekomanduar shfuqizimin e tyre nga Rektori si të nxjerra jashtë kompetencave. Për këto, kam bërë me dije ish-Ministren si edhe grupin e punës gjatë verifikimit prej tyre të zbatimit të rekomandimeve në vjeshtën e vitit 2018.
Më vjen shumë keq, pasi nuk është as në edukatën dhe as në natyrën time, por më duhet të them se Ministrja jo vetëm tjetërson të vërtetën por edhe mashtron në lidhje me këto fakte.
Sulmet e vazhdueshme në media, vend e pa vend, pa asnjë arsye dhe fakt, të Kryeministrit dhe tashmë të Ministres, nuk janë gjë tjetër, veçse përfundimi i një skenari të shkruar, ideuar, instrumentuar dhe drejtuar nga vetë qeveria.
Karrierën time akademike, fatmirësisht, nuk e kam të lidhur as me karrigen e rektorit dhe as me të qenurit rektor. Në jetën time jam edukuar dhe formuar, të jem njeri i drejtë, parimor dhe me principe dhe i tillë do të vazhdoj të mbetem.
Nëpërmjet kësaj deklarate, dua t’i kërkoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që me seriozitetin dhe gjakftohtësinë që e karakterizon, ta shikojë me shumë kujdes këtë rast, jo për Mynyr Konin, por për Universitetin e Tiranës, për vetë rëndësinë, historinë dhe domethënien që ka ai në arsimin e lartë në vend.
Gjithashtu, dua të shpreh gadishmërinë time për çdo sqarim me institucionin e Presidentit në lidhje me këtë çështje kaq delikate dhe të rëndësishme dhe mbetem i gatshëm për të vënë në dispozicion çdo dokument zyrtar që unë disponoj.