Institucionet tolerojnë në heshtje dypunësimin e forcave të sigurisë

Policia e Shtetit apo Garda e Republikës në të cilat ky dypunësimi është i ndaluar me ligj deklarojnë se gjatë pesë viteve të fundit nuk kanë evidentuar asnjë të tillë ndërsa realiteti tregon të kundërtën.

Të fortë fizikisht dhe mirëstërvitur, me armë që mund ti mbajnë me vete në çdo kohë, me një pagë e cila nuk ju mundëson shpenzime të shumta dhe me një ofertë gjithnjë prezente, forcat shqiptare të sigurisë shpesh dypunësohen në kundërshtim me ligjin.

Fenonomi i cili ka qenë prezent prej dekadash në institucione si Polica e Shtetit është ulur me kalimin e viteve, por një investigim i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësorore, tregon se ai është ende prezent, me një potencial të madh për të cënuar integritetin dhe efektshmërinë e forcave të sigurisë në vend.

Punët e dyta më të shpeshta janë ato si “bodyguards” (punonjës sigurie) në klubet e natës, ose si shoqërues të biznesmenëve dhe personave të tjerë të rëndësishëm. Nuk janë të pakta rastet kur dypunësimi bëhet edhe pranë grupeve kriminale në vend, të cilët kërkojnë siguri dhe mbrojtje nga grupet rivale.

Më të preferuarit janë punjësit e sigurisë të reparteve speciale të ndërhyrjes dhe forcave komando, për shkak të përgatitjes së tyre të lartë fizike dhe faktit se në punën shtetërore janë të angazhuar vetëm në raste të emergjencave.

Dypunësimi ndalohet me ligj në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, në një kohë kur burimet thanë për Qendrën se rreth 20 përqind e efektivave të këtyre institucioneve janë të dypunësuar.

Në Forcat e Armatosura shqiptare ku dypunësimi lejohet, vitet e fundit është vërejtur tendenca e abuzimit me këtë fenonmen kur efektivë të ushtrisë shqiptare besohet se janë përshirë edhe në ngjarje kriminale si pasojë e “punës së dytë”.

Në të gjithat rastet dypunësimi i forcave të sigurisë konsiderohet nga ekspertët si i rrezikshëm pasi i shtyn efektivat e sigurisë që të përfshihen në aktivitete kriminale dhe sjell performancë të ulët të institucioneve në sigurimin e qytetarëve.

Por pavarsisht rreziqeve që ky fenomen mbart për institucionet e sigurisë duket se nuk kanë asnjë plan konkret për ndaljen e tij.

Investigimi zbulon se gjatë pesë viteve të fundit asnjë nga institucionet e sigurisë në vend nuk ka identifikuar efektivë të dypunësuar, duke lënë të kuptohet se fenomeni tolerohet në heshtje. Lufta ndaj këtij fenomeni do të kërkonte rritjen e nivelit të pagave dhe infrastukturës mbështetëse për këtë kategori.

Rreziku i kriminalizimit

Në këndet e njoftimeve të komisariteve të Policisë në Tiranë qëndron dukshëm një urdhër me porosi të Ministritë të Brendshëm me 19 pika i përditësuar në Tetor të vitit shkuar, kur ish gjenerali i Ushtrisë shqiptare Sandër Lleshi u zgjodh minister i Brendshëm.

Urdhëri ka si qëllim t’ju kujtoj efektivave të Policisë disa nga detyrat e tyre funksionale.

“Të identifikohen punonjësit ‘badigart’ që shërbejnë në lokale (ushtarak, të Gardës, punonjës policie, Renea, FNSH etj,” theksohet mes të tjerash në pikën 16 tëtij.

Policia e Shtetit zyrtarisht nuk e lejon dypunësimin e efektivëve që shërbejnë në të dhe përjashtim bëhet vetëm në rastet e mësimdhënies.

“Dy-punësimi për punonjësit e Policisë së Shtetit është i përcaktuar në procedura standarde për dy-punësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, ku përcaktohet se: Punonjësit të Policisë i lejohet të dypunësohet vetëm në fushën e mësimdhënies,” thekson ky institucion për Qendrën.

Kategorisht i ndaluar dypunësimi është edhe për punonjësit e Gardës së Republikës, një strukturë kjo e posaçme nën varësi të ministrisë së Brendshme që ka si mision ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe rezidencave të tyre.

Por pavarsisht kësaj, ish drejtues të Policisë së Shtetit dhe oficerë aktual të këtij institucioni bëjnë të ditur se fenomeni i dypunësimit është ende prezent dhe tolerohet në heshtje nga eprorët për shkak të pagave të ulta.

Ndërkaq, Policia e Shtetit theksoi për Qendrën për Gazetari Cilësore se prej “vitit 2014 e deri sot nuk ka pasur asnjë punonjës të proceduar” për dy punësim.

Po kështu Garda e Republikës deklaron se pavarësisht se organizon vazhdimisht kontrolle për shkeljet ligjore, duke përfshirë dhe dypunësimin “gjatë viteve 2014 – 2018 nuk ka patur raste të evidentuara nga ana jonë për punonjës konkrete të Gardës se Republikës që janë të dypunësuar.”

Nga ana tjetër Forcat e Armatosura Shqiptare deklarojnë se legjislacioni nën të cilën ato veprojnë nuk e ndalon dypunësimin, përsa kohë ushtaraku i përgjigjet institucionit brenda apo jashtë orareve të punës. I vetmi kufizim për këtë dypunësim është mosshkelja e ligjit për Konfliktin e Interesit, një ligj ky me një fushë të gjerë veprimi dhe cilësime të përgjithshme.

Ushtria e Shqipërisë nuk shpjegon nëse ka një rregullore të brendshme e cila shpjegon kufizimet për punën e dytë, por theksohet se “për periudhën Janar 2014- Tetor 2018 nuk ka patur procedime ndaj oficerëve për shkelje të kuadrit ligjor për dypunësimin”.

Pavarisht kësaj, në 4 Tetor të vitit të kalur, efektivi xhenio i forcave speciale Komando të Forcave tëArmatosura, Mevjol Billo në një lokal të zonës së ish-Bllokut në Tiranë ekzekutoi një person dhe plagosi dy të tjerë.

LEXO EDHE  Ndahet nga jeta ish-zyrtari i lartë i SHISH! Emri (Foto)

Sipas mediave në vend, Billo u përfshijë në incident për shkak të punës së tij si ‘bodyguard’ i këngëtares Elvana Gjata dhe partnerit të saj Ervin Mata.

Nikollë Ndoci, ish drejtues i lartë i Policisë së Shtetit me 20 vite eksperiencë në institucion dhe pesë të tjera si pjesë e Gardës së Republikës thekson se një vend me kriminalitetit të lartë si Shqipëria oferta për të pasur punë të dyta shpesh “i vendos këta efektivë nëpozita te bashkëpunëtoreve në krim”

Shërbimi i tyre, prezenca e tyre dhe përfitimi i pagesës nga individë të botës së krimit dhe konflikteve, i bën këta efektive po aq të inkriminuar sa dhe “bosët” e tyre qe i paguajnë,” theksoi ai.

Eksperti i kriminalistikës, profesor Luan Veliqoti thekson të njejtën ide, duke e konsideruar punën e dytë shpesh si futjen në një rreth vicioz që i kriminalizon forcat e sigurisë.

“Punëmarrsi mund të jetë një person me precedent penal dhe mund të kërkojë favore ndaj të punsuarit dhe ky i fundit detyrohet ti plotësoj ato në mënyrë që të arrij të mbaj punën,” tha ai.

Sipas Veliqotit, një tjetër efekt negative që vjen nga puna e dytë është edhe humbja e interesit për punën bazë në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

“Efekt tjetër negative është edhe në performance. Një punë e dytë ndikon në performancën e punonjësve prandaj dhe ndalohet me ligj në rastin e efektivëve të sigurisë,” thekson ai.

Nikollë Ndoci i cili është edhe një përfaqësues i shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim gjithashtu thekson se dypunësimi i bën këta efektive pothuajse të paaftë të kryejnë shërbimin e tyre për te cilën paguhen nga shteti.

Pagat e ulta favorizojnë dypunësimin

Sipas vendimit të qeverisë së vitit 2017, paga bruto baze e një ushtaraku nis nga 33,600 Lekë dhe shkon deri në 49,650 Lekë. Pavarësisht gradës edhe në rastet kur ushtaraku ka mbi 10 vite angazhim paga nuk e kalon kufirin e 59,800 Lekë. Shtesat për vështirësi në pune gjithashtu janë të një kufiri të ulët.

Ekspertët e sigurisë përgjigjen një zëri se një nga arsyetqë i shtyn efeketivët e institucioneve të Sigurisë drejt dypunësimit janë pagat e ulta për një punë të vështirë.

Policia e shtetit ka një nivel pagash bruto që nis nga 50,000 Lekë për inspektorët dhe kulmon në 125,000 Lekë për drejtuesit madhor. Shtesa për gradat kap nivelin më të lartë për drejtuesit e reparteve speciale si RENEA prej 40,000 Lekë-sh dhe dhe një mesatare prej rreth 12,000 Lekë-sh për funksionet e tjera të veçanta.

Efektivat e njësisë së posaçme të Gardës së Republikës kanë një nivel pagash bruto që nis nga 40,500 Lekë dhe shkon deri në 115,000 drejtuesit madhor. Shtesat për gradat kanë një mesatare prej 17,500 Lekë-sh.

“Rroga jonë shkojnë diku te 54,000 mijë Lekë neto, e pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet për të bërë një jetë normale, përpos orareve të tejzgjatuar dhe rrezikut që ka kjo punë,” thekson oficeri i Policisë në Tiranë.

Sipas tij, situata bëhet më e vështirë kur efektivat e forcave të sigurisë kanë për të paguar qera banimi.

Eksperti i kriminalistikës, profesor Luan Veliqoti thekson për Qendrën se Shqipëria është një nga vendet e pakta në botë ku pagat e ulta tek punonjësit e sigurisë nuk kompensohen me shërbime të tjera në ndihmë të kësaj kategorie.

“Ajo që ata bëjnë është është një punë me risk dhe kudo në botë pagesat janë dinjitoze dhe plus tyre punonjësit e sigurisë përfitojnë bonese të tjera. Në Turqi, p.sh. kur pagat e policisë janë më të ulta se ato në vendet e Perëndimit, shteti siguron për këtë kategori shërbime spitalore falas, pushime, shtëpi etj,” theksoi ai.

Aktualisht forcave të Policisë në vend nuk ju paguhen as orët shtesë të shërbimit, një problem i cili ka qënë prej vitesh prezent në Policinë e Shtetit. Një urdhër i mujit shkurt i lëshur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu thekson se si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm orët shtesë së efektivave të policisë gjatë vitit 2018 nuk do të paguhen por do të shpërblehen vetëm me ditë pushimi.

Me protestat partiake të vazhdueshme në vend, zgjedhjet lokale dhe fluksin që krijon stina e verës ky vendim pritet të dekurajoj edhe më shumë forcat e sigurisë në vend.

Gjithsesi Nikollë Ndoci, i shoqatës se Punonjësve të Policisë në Lirim thekson se dypunësimi i forcave të sigurisë nuk mund të përligjet në asnjë rast, për pasojë të rreziqeve të shumta që ai mbart.

Sipas Ndocit arsyea e vërtetë pse ky fenomen vijon është fakti se asnjëherë ndaj tij nuk ka pasur një luftë serioze.

“Ata përdorin forcën fizike, pushtetin e armës që mbajnë me leje, funksionin shtetror ku shërberjnë dhe faktin që askush nuk i ka penguar apo penguar të dypunësohen,” theksoi ai.

Sipas tij, fenomeni i dypunësimit në strukturat e sigurisë ka qenë dhe vijon të kryhet në dijenisë e plotë të eproreve, përveç ndonjë rasti sporadik./ AlbaniaQualityJorunalism