Ish-deputeti i LSI-së Endrit Braimllari ka dhëdë detaje lidhur me çka pritet të ndodhë gjatë protestës, që zyrtarisht nis në orë 18.
Në një intervistë për “Ora News”, u shpreh se leja nga policia është dërguar për të qenë pa afat dhe se pritet një numër i madh protestuesish.
Lidhur me deklarat e kryeministrit, i cili është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme, ish-deputeti tha: “Nuk na intereson se çfarë thotë Edi Rama. Për ne Edi Rama është i pa besueshëm. Tani më sovrani vendos mbi Edi Ramën”.
DEKLARATA
“Në orën 18:00 keni paralajmëruar një protestë përpara Kryeministrisë.
Nuk ka më asnjë rëndësi ora e protestës. Tashmë e rëndësishme është që qytetarët anë e mbanë vendit i janë drejtuar Kryeministrisë. Nga raportimet tona do të jetë një uragan popullor, i cili do të jetë i vendosur përpara Kryeministrisë kundra Edi Ramës, kundër keqqeverisjes së Edi Ramës, kundër varfërisë që Edi Rama ka mbjellë në këtë vend dhe ajo që është me më shumë rëndësi në këto momente, është që nuk ka skemë të policisë apo operacione që tani më mund të ndalë qytetarët.
Më e rëndësishmja është që nga raportimet tona, i janë përgjigjur pozitivisht qytetarët thirrjes tonë qytetarët e Tiranës. Kjo tregon edhe njëherë që Edi Rama është një grahmat e tij të fundit, sepse ka varfëruar shqiptarët, i ka larguar të rinjtë dhe të rejat nga vendi, ka mbjellë pasiguri në vend, cenohet siguria kombëtare dhe nuk merret asnjë lloj përgjegjësie. Shqiptarët tanimë janë në mazhorancë, në raport me minorancën e Edi Ramës dhe qeverisë të tij e cila për fatin tonë të keq ka varfëruar vendin dhe është i lidhur me krimin e organizuar”.
Cili është skenari i protestës do të qëndroni gjatë natës?
“Leja është dërguar për të qenë pa afat, e rëndësishme është që qytetarët do të marrin pjesë masivisht. Ju ka thënë dhe në protestën e fundit, raportimet janë të jashtëzakonshme. Është e njëjta situatë, mendoj do jetë shumë herë më mirë sepse çdo ditë që Edi Rama rri në qeverisje aq më shumë varfërohen shqiptarët dhe aq më shumë urrejtja e tyre kthehet kundër Edi Ramës”.
Mbështetësit tuaj që po vijnë drejt Tiranës kanë pasur pengesa gjatë rrugës?
“Ka skema nga më të ndryshme që përdor policia e Edi Ramës. Urdhëron shoqëritë e autobuzave dhe furgonave që mos të kontraktohen por ky nuk është problem për ne sepse qytetarët i janë drejtuar Tiranës, dikush me mjet privat, dikush me autobus. Të gjithë do të jenë aty kundër Edi Ramës. Nuk ka skemë që do të tremb qytetarët e këtij vendi”.
Ju vazhdoni të protestoni përpara Kryeministrisë, përpara Parlamentit. Kjo është protesta e nëntë. Ndërkohë që kërkoni largimin e Kryeministrit Rama, por ai në deklaratat e tij publike ka deklaruar që po bëhemi gati për zgjedhjet e 30 qershorit dhe ndërkohë zgjedhjet parlamentare do zhvillohen vetëm në 2021, pra jo zgjedhje të parakohshme ashtu siç keni kërkuar ju?
“Nuk na intereson fare se çfarë thotë Edi Rama. Na interesojnë hallet dhe shqetësimet e qytetarëve. Sot jemi krah qytetarëve të lirë të këtij vendi, jemi njerëz të lirë që protestojnë si qytetarët e këtij vendi. Krahas problemeve që ata hasin përditë, mungesës së vendeve të punës, largimit të të rinjve, taksave të larta, shkatërrimit të biznesit. Ju e keni parë që fermerët janë në protestë kudo. Pra çdo shtresë e shoqërisë proteston kundër këtij kryeministri. Nuk na intereson se çfarë thotë Edi Rama. Për ne Edi Rama është i pa besueshëm. Tani më sovrani vendos mbi Edi Ramën”.
Sot edhe moti nuk është në favorin tuaj. I keni bërë gati çadrat?
“Nuk e shikoj motin e keq. Mendoj se ky nuk është problem për ne. Qytetarët janë drejtuar drejt Kryeministrisë dhe ju do shikoni një protestë të jashtëzakonshme dhe madhështore. Ky nuk është një problem për ne dhe nuk shqetëson qytetarët që kanë një revoltë të brendshme kundër Edi Ramës. Mendoj që varfëria ekstreme, largimi i të rinjve, papunësia, taksat e larta, nuk ka shi dhe breshër që t’i ndalë qytetarët që të protestojnë për këto shqetësime të përditshme që Edi Rama i ka sjellë atyre dhe vendit”.