Nga Boldnews.al
Ben Blushi, ish-deputet i PS-së, ish-ministër i Fatos Nanos në një nga qeveritë e tij, ish-mik me Edi Ramën dhe më pas ‘armik’ i tij në rradhët e socialistëve, sot në detyrën e drejtorit të një prej televizioneve kombëtare, duket se po rikthen balancën e raporteve me kryeministrin.
Pak ditë më parë, ai u shfaq në krah të Samir Manes, një prej biznesmenëve të njohur shqiptarë, duke hyrë në godinën e kryeministrisë.
Mediat raportuan se ata mund të jenë takuar me kryeministrin Edi Rama, por ndoshta mund të kenë takuar çdokënd tjetër që punon në atë godinë, pavarësisht pozicionit.
Foto e Manes me Blushin qarkulloi me shpejtësi, ndoshta jo për faktin se në të ishte një prej ish-politikanëve aktivë të PS-së, por se në krah të tij ishte një biznesmen që njihet për raportet shumë positive me drejtuesit më të lartë të politikës shqiptare, që drejtojnë apo kanë drejtuar.
Në një artikull të botuar në gazeta-shqip, jepet idea se Ben Blushi, dy vjet larg politikës aktive, po përgjohet nga gazetarët apo persona të tjerë. Në artikull jepen disa raste kur Blushi ka qenë duke drekuar me anëtarë të gjykatës së lartë, këshilltarin e kryeministrit, ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, apo me figura të njohur të ekranit.
Shkrimi trajton Blushin si një viktimë, që edhe si qytetar i lirë nuk po lihet i qetë, duke përmendur këtu faktin se ai prej dy vitesh është shkëputur nga politika aktive dhe drejton një media.
Në fund shkrimi mbyllet me një paralajmërim që po shkelet privatësia e individit, që mund të dënohet sipas nenit 108 të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore të aplikuar në vendet e BE, ku Shqipëria aspiron të bëhet pjesë.
Në fakt një gjë të tillë e ka bërë Endri Fuga, ose më saktë e ka paralajmëruar, pasi mediat publikuan foto nga dreka që ai kishte pasur me Ben Blushin, kohë më parë.
“I keqardhur për shpifjet e disa portaleve lidhur me një nga dhjetëra takimet e mia te ditës së punës, kërkova nga Departamenti Antishpifje formulimin e padive civile përkatëse. Me leket e fituara do propozoj realizimin e një Abetareje Speciale për humbësit e gjyqeve për shpifje”, shkruante Fuga në Tëitter.
Në fakt në të gjitha rastet Blushi mund të ketë qenë ‘viktimë’, pasi ndoshta jo për faj të tij, personat që ka pasur në krah duke drekuar, pirë kafe apo ecur, në rrethana dhe momente të caktuara mund të kenë qenë më të njohur se Beni, të kenë pasur pozicione më të mira se ai, apo të kenë qenë në një fokus më të madh se ish-ministri apo ish-deputeti.
P.sh takimi i një anëtari të Gjykatës së Lartë, mund të tërhiqte vëmendjen edhe nëse nuk takohej me Blushin.
Ecja në rrugë e një biznesmeni të njohur, që ka lidhje me qarqet politike, mund të tërheqë vëmendjen edhe kur në krah të tij nuk është Beni.
Një drekë apo një takim i këshilltarit të kryeministrit, Endri Fuga, ka tërhequr vëmendjen edhe kur s’ka qenë Blushi, sikundër fotot e Agron Llakajt, aktorit të njohur të humorit, apo gazetares Sonila Meço, janë publikuar edhe kur s’ka qenë Blushi.
Nisur nga kjo, duket sikur Blushi mbivlerëson veten dhe i duket sikur po e gjurmojnë, kur në fakt vëmendja mund të jetë te personazhet që ai takon, ose po tenton të shfaqet si një viktimë, që media nuk e lë rehat as kur është qytetar i lirë.
Çuditërisht media, të paktën në këto dy vite, nuk ka botuar foto të ish-deputetit Blushi, bie fjala kur del shëtitje me familjen, kur darkon apo drekon me personazhe të panjohur mediatikisht apo publikisht.
Nëse do të ndodhte kjo, atëherë Beni mund të shqetësohej se dikush po e përgjonte, gjurmonte, apo fotografonte.
Por në të gjitha rastet kur mediat kanë publikuar foto, në to ka qenë një personazh i njohur që shoqërohej nga Blushi.
Ndoshta ky është problemi që sot mund të ketë Beni, ai ka kaluar personazh i dytë ose shoqërues i personave që shfaqen në krah të tij. Këtë ai nuk e duron dot, sepse po ta duronte sot mund të ishte pjesë e PS-së, mund të ishte në vend të Erjonit, dhe ndoshta i përzgjedhuri i Ramës.