Nga Boldnews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, duke justifikuar çdo transaksion të saj me pasuritë e paluajtshme, të cilat, për nga forma e kryer, janë nga ato raste tipike që manualët e pastrimit të parave i shënojnë me “sinjal të kuq”.
Në një Udhëzim të vitit 2009, të Ministrisë së Financave, për mënyrën e raportimit për rastet e dyshuara të pastrimit të parave, konsiderohet si rast për t’u ndjekur nga autoritetet edhe “transaksionet që nuk i përmbahen praktikës normale të tregut (psh….shpeshtësisë, çmimeve…), veçanërisht kur përfshihen para në dorë ose çeqe për palë të treta”
Donika Prela rezulton se gjatë periudhës 2007-2018 ka kryer katër blerje në pasuri të paluajtshme, të cilat, në çdo rast, kanë pasur vlera më të ulta se çmimi i referencës apo kostos së ndërtimit, në disa raste edhe me pagesa jashtë sistemit bankar.
Të gjitha këto veprime përfshihen në sferën e rasteve të dyshimta, që duhen raportuar e ndjekur. Por, siç rezulton nga hetimi i Komisionit të Vetingut, transaksionet e kryera nga Donika Prela ndër vite nuk janë raportuar. Për më tepër, KPK i ka justifikuar këto veprime, duke kryer një hetim sipërfaqësor.
Apartamenti 95.6 m2 në Tiranë
1. Në vitin 2007, Donika dhe Vangjel Prela blejnë një apartament me sipërfaqe 95.6 m2, në Tiranë, me vlerë 32 mijë euro. Në bazë të gjetjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, çmimi i blerjes së këtij apartamenti është më i ulët se sa ai i referencës.
Donika Prela e ka paguar çmimin e blerjes jashtë sistemit bankar (me mandat-arkëtime tek kompania ndërtuese). Një pjesë të këtyre parave, rreth 15 mijë euro, Donika Prela i ka marrë hua, pa asnjë dokumentacion provues.
Komisioni i Vetingut ka kryer disa verifikime mbi burimin e kësaj pasurie, përfshirë edhe mundësitë financiare të huadhënësit. Në përfundim, KPK e ka konsideruar blerjen e këtij apartamenti me burime të ligjshme, ndërkohë që në vendimin e zbardhur rezulton se verifikimet janë kryer me shumë boshllëqe.
Së pari, KPK është mjaftuar me deklaratën e kompanisë ndërtuese, e cila ka konfirmuar se këtë apartament ia ka shitur Vangjel Prelës me çmim preferencial, për faktin se ai ka qenë punonjës i kësaj kompanie.
KPK nuk rezulton të ketë kryer verifikime në bilancet e kompanisë, nëse e ka deklaruar këtë “sjellje preferenciale” dhe si e ka justifikuar vlerën nën çmimin e referencës tek administrata tatimore. Gjithashtu, Donika Prela nuk rezulton ta ketë deklaruar këtë “trajtim preferencial”, siç është detyrimi ligjor, në rubrikën e posaçme të deklaratës së pasurisë, dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Së dyti, KPK ka pranuar se huadhënësi S.P ka pasur mundësitë financiare për t’i dhënë hua pa interes Donika e Vangjel Prelës shumën prej 15 mijë eurosh. Sipas KPK, megjithëse nuk ka arritur të provojë me dokumenta ligjorë aftësinë paguese të S.P., gjithësesi e ka marrë të mirëqenë faktin që ai ka pasur para për të dhënë hua, për shkak se ka qenë emigrant.
Sipas verifikimeve të KPK, rezulton se huadhënësi S.P. ka kaluar zyrtarisht në Greqi, për qëllime emigrimi, një herë me vizë 90-ditore dhe njëhëre me vizë 1-vjeçare, në periudhën 1994-1996. KPK thotë që ai ka punuar emigrant dhe ka siguruar të ardhura, pa përcaktuar se sa është kjo vlerë, sa ka shpenzuar për përditshmërinë e tij dhe se sa ka arritur të kursejë, aq sa t’i japë hua Donika Prelës.
Për këtë shtetas, KPK ka konfirmuar se ai, në vitin 1996, ka pasur një depozitë bankare në vlerë 1 milion lekë. Por, nga viti 1996 deri në 2007 kur i ka dhënë hua Donika Prelës, pra pas 11 vitesh, KPK nuk ka qenë në gjendje që të konfirmojë nëse huadhënësi S.P. i ka pasur më këto para, i ka shtuar apo pakësuar.
Megjithatë, KPK ia ka konsideruar burim të ligjshëm financiar Donika Prelës, pavarësisht se nuk arriti të provojë aftësinë paguese të S.P, i cili deklaroi për trupën gjykuese se kishte krijuar të ardhura të mjaftueshme si emigrant. Në një rast të ngjashëm, KPK shkarkoi nga detyra prokurorin e Tiranës, Dritan Rreshka, për shkak se trupa gjykuese nuk arriti të sigurojë prova të plota për punësimin e tij rreth dy-vjeçar si emigrant në Greqi.
Në përmbledhje, rasti i blerjes së apartamentit 95.6 m2 përfshihet në rastet me “sinjal të kuq” të pastrimit të parave; çmim nën kosto, pagesë e kryer jashtë sistemit bankar dhe burim financiar i pakonfirmuar.
Toka në Petrelë 1000 m2
Bashkëshorti i Donika Prelës, Vangjeli, në vitin 2013, ka blerë një tokë 1000 m2 në Petrelë të Tiranës, me çmim 350 lekë m2. Inspektori i Deklarimit të Pasurive, në raportin e tij në kuadër të Vetingut, ka ngritur dyshimin për çmimin anomalisht të ulët, me të cilin familja e prokurores është bërë pronare e kësaj pasurie. Vlera e këtij apartamenti është paguar jashtë sistemit bankar.
KPK deklaron se ka kryer verifikimet e saj, nga të cilat rezulton se çmimi i blerjes është thuajse i njëjtë me çmimet e referencës, së përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Së pari, siç rezulton nga vendimi i zbardhur, KPK nuk ka kryer asnjë verifikim për çmimet e shitjes në zonën përreth pronës së blerë nga Vangjel Prela. Në bazë të një verifikimi të tillë, me shumë mundësi, do të zbulohej se çmimet e tregut në atë zonë janë rreth 10 herë më shtrenjtë se sa ai që ka paguar Donika dhe Vangjel Prela.
Së dyti, KPK nuk rezulton të ketë kryer asnjë verifikim, për të shuar çdo dyshim se përse shitësit e kësaj toke kanë preferuar t’ia shesin pronën e tyre familjes së prokurores me çmim “tejet preferencial”. Pra, nuk rezulton, ndër të tjera, që KPK të ketë kryer verifikime nëse shitësit e kësaj prone mund të kishin ndonjë rast procedimi penal në Prokurorinë e Durrësit, në të cilën zonja Prela ka qenë prokurore në Njësinë e Anti-krimit ekonomik për shumë vite.
Apartamenti në Plazh, Durrës
Në Shkurt 2014, Vangjel dhe Donika Prela blejnë një apartament me sipërfaqe 60 m2, në Plazh Durrës, me vlerë 1.4 milionë lekë të reja. Ky çmim është anomalisht i ulët, jo vetëm me çmimet e referencës, por edhe më poshtë se kostoja e ndërtimit. Gjithësesi, KPK ka arritur në konkluzionin se “nuk rezultojnë probleme” në këtë transaksion. Pagesa për blerjen e këtij apartamenti është kryer jashtë sistemit bankar.
Kompania ndërtuese ka deklaruar për trupën gjykuese se ia ka shitur këtë apartament Vangjel Prelës me “çmim preferencial”, për shkak se ai ishte punonjës i saj. Për të faktuar këtë pretendim, kompania ka paraqitur edhe një tjetër kontratë, me “çmim preferencial”. KPK është mjaftuar me këtë argumentim, pa kryer asnjë verifikim tjetër shtesë.
Së pari, “Boldnews.al”, si edhe media të tjera, kanë publikuar një seri kontratash, në të cilat konstatohet se banorë të tjerë, në të njëjtën godinë dhe për të njëjtën sipërfaqe, i kanë blerë apartamentet e tyre me vlerë 3 herë më shtrenjtë.
Së dyti, KPK nuk rezulton të ketë kryer asnjë verifikim shtesë se përse kompania ndërtuese ka zgjedhur që të trajtojë në mënyrë preferenciale Vangjel Prelën. Gjithashtu, KPK nuk ka kryer verifikime se si e ka justifikuar kompania e ndërtimit këtë “sjellje preferenciale” përballë administratës tatimore.
Apartamenti është shitur nën kosto, gjë e cila i ka sjellë humbje kompanisë. A e ka deklaruar kompania si “humbje” këtë transaksion të kryer me Vangjel Prelën? Përgjigja e kësaj pyetjeve, si edhe të tjera pikëpyetjeve mbi raportin e Vangjel Prelës me kompaninë “Bruci” shpk, nuk është kërkuar nga ana e Komisionit të Vetingut.
Së treti, Donika dhe Vangjel Prela e kanë shitur këtë apartament pas 10 muajsh, me vlerë 3 herë më të lartë se çmimi i blerjes, 4 milion lekë. Ky transaksion “bli lirë e shit shtrenjtë” është elementi ‘A’ në të gjithë manualet e pastrimit të parave. KPK nuk e ka parë në këtë këndvështrim, por e ka konsideruar të rregullt këtë transaksion tërësisht të dyshimtë.
Apartamenti 110 mijë euro në Tiranë
Në mesin e vitit 2018, Donika dhe Vangjel Prela blejnë një apartament 135 m2, me vlerë rreth 840 euro/m2, me një çmim total prej 110 mijë euro, pranë shkollën “Ismail Qemali” në Tiranë. Në këtë zonë, çmimet e apartamenteve janë disa herë më të lartë dhe variojnë në shumën 1200-1400 euro/m2.
KPK ka pranuar argumentat e paraqitur nga prokurorja Donika Prela, e cila, sipas trupës gjykuese, ka qenë bindëse në provat e depozituara. Por, edhe në këtë rast, KPK nuk ka kryer verifikime të plota, për të shuar çdo dyshim mbi këtë transaksion, që lidhet jo vetëm me çmimin, por edhe me një hetim penal të nisur dhe të zhvilluar nga Donika Prela.
Së pari, KPK rezulton që nuk ka kryer asnjë verifikim për të konstatuar se sa është çmimi i apartamenteve në atë zonë, një prej më të shtrenjtave dhe më të preferuara të Tiranës.
Së dyti, dhe më e rëndësishmja, KPK nuk ka kryer asnjë verifikim për lidhjet e shitësit F.H me firmën ndërtuese të godinës. Sipas shpjegimeve të Donika Prelës, ajo ia ka blerë apartamentin biznesmenit F.H, i cili nga ana e tij kishte blerë disa apartamente dhe dyqane në kohën kur po ndërtohej pallati, nga kompania ndërtuese ‘Lim-Em” shpk.
Administratori i kompanisë ndërtuese, në bazë të të dhënave të siguruar në mënyrë ekskluzive dhe të bëra publike nga “Boldnews.al”, ka qenë nën përgjim nga prokuroria e Durrësit, në kohën kur drejtohej nga Donika Prela, në kuadër të një hetimi për pastrim parash të nisur ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Hetimi, përfshirë edhe përgjimet për Llallën dhe persona të tjerë, nisën në Mars 2018. Disa muaj pas realizimit të këtyre përgjimeve, konkretisht në Korrik 2018, Donika Prela blen një apartament, me çmim shumë të ulët, pikërisht në pallatin e ndërtuar nga ‘Lim-Em”, administratorin e të cilës e kishte vendosur vetë nën përgjim.
KPK, megjithëse është vënë në dijeni të këtij fakti, nuk rezulton të ketë kryer asnjë verifikim për lidhjet e mundshme mes personit që i shiti me çmim të ulët apartamentin Donika Prelës, shtetasit F.H. me administratorin e kompanisë së ndërtimit të pallatit, i cili ishte nën përgjim për disa kohë nga vetë prokurorja.
KPK nuk krijoi dhe nuk verifikoi asnjë dyshim se përse, Donika Prela, në mijëra apartamente që janë në shitje në Tiranë, zgjodhi pikërisht të blinte në pallatin e ndërtuar nga një person, të cilin ajo vetë e kishte nën hetim dhe nën përgjim.
Në një analizë përfundimtare, është e dukshme se transaksionet e kryera ndër vite nga prokurorja Donika Prela përfshihen në atë që manualet e pastrimit të parave e shënojnë me “alarm të kuq”: “transaksione që nuk i përmbahen praktikës normale të tregut (psh….shpeshtësisë, çmimeve…), veçanërisht kur përfshihen para në dorë ose çeqe për palë të treta”
Donika Prela ka kryer 4 blerje të pasurive të paluajtshme, të cilat nuk i përmbahen praktikës normale të tregut:
– tre apartamentet dhe toka në Petrelë janë blerë nën çmim e tregut, madje nën çmimin e referencës dhe, në një rast, edhe nën kosto;
– Transaksionet me pasuritë e paluajtshme janë të shpeshta (vetëm në një periudhë 10-vjeçare janë blerë 3 apartamente, një tokë, si edhe janë shitur dy apartamente)
– Pagesat për disa prej pronave janë kryer me para në dorë, jashtë sistemit bankar (blerja e apartamentit 95 m2 në Tiranë; blerja e tokës 1000 m2 në Petrelë; dhe blerja e apartamentit në Plazh, Durrës
Pavarësisht të gjithave, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokuroren Donika Prela. Tashmë është radha e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe/ose Komisionerit Publik për të vendosur, brenda 15 ditëve, nëse do të ankimojnë këtë vendim të dyshimtë të trupës gjykuese të përbërë nga Roland Ilia, në cilësinë e kryesuesit, Valbona Sanxhakari relatorë dhe Olsi Komici anëtar.