“Porsi flet e Ejllit te Zotit”

Deklarata e ish-anëtarit të partisë që dekonspiroi skenarin e Sigurimit të Shtetit për armët në Kishë: “Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret… Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E. Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm”.

“Lamtumirë, ma bani hallall shokë!” ndërsa në oborrin e Degës së Brendshme, nis të zhurmojë motorri i një makine që largohet dalëngadalë. Nëpër qeli bie heshtje varri… Ishin fjalët e fundit tëPjerin Kçirës, çastet e fundit para pushkatimit. Ishte pjesë e grupit “armiqësor” që dekonspiroi skenarin e Sigurimit të Shtetit për fshehjen e armëve në Kishë në Shkodër, në vitin 1948. Është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të krimeve të komunizmit. Dhjetëra klerikë e qytetarë të Shkodrës shkuan drejt pushkatimit. Studiuesi Pjetër Pepa e ka pasqyruar këtë ngjarje përmes dokumenteve, por edhe dëshmive të të mbijetuarve të asaj ngjarje. Libri “Dosja e Diktaturës”, shkruar nga Pjetër Pepa është një ndër materialet që na ka lënë trashëgim dhjetëra dëshmi autentike që na rrëfejnë krimet  e komunizmit. Më poshtë, publikojmë një pjesë nga libri i Pjetër Pepës, “Dosja e Diktaturës”, momentin e vrasjes së klerikëve dhe grupit të personave që ishin anëtarë të partisë, por që nuk pranuan të bëhen pjesë e planit të egër për vrasjen e klerikëve dhe zbuluan skenarin e Sigurimit të Shtetit për futjen e armëve në kishë.

Dosja e Diktaturës

11 mars 1948, ora 5 e mëngjesit… Burgu i fretërve ka lëvizje e zhurmë më shumë se asnjëherë tjetër… Hekura duarsh e shula dyersh, zhurmë makinash e trokitje çizmesh përbëjnë sfondin e atij mëngjesi të vrenjtur… Te vendi tashmë tradicional i pushkatimeve janë rreshtuar 16 vetë, ndër ta 4 janë klerikët më në zë, imzot Gjini e Deda, at Prendushi e Nikaj… 12 të tjerët janë qytetarë që nga gjyqet e mëparshme, janë dënuar për kryengritjen e Postribës: Abdulla Kazazie Guljelm Suma, Xhelal Hardolli e Bilbil Hajni, Fahri Rusi e Caf Dragusha, Cin Sereqi e Dulo Kali, Kol Prela e Pjetër Pali, Paulin Pali e Murat Haxhia. Pra, drejtësia e historia i është borxh edhe atyre për të provuar përfundimisht të vërtetën e për të zbuluar pafajësinë e tyre. Ata janë intelektualë e inxhinierë, avokatë e deputetë, por mbi të gjitha, janë patriotë e martirë të demokracisë shqiptare.
Një shi i imët i shtohej atij sfondi vajtues në orët e para të mëngjesit… Ashtu flokëthinjur, të lidhur pranë njëri-tjetrit, klerikë, myslimanë e të krishterë qëndrojnë para një grope të madhe që ngjason me një gojë të hapur e gatshme për t’i përpirë. Një heshtje si vetë vendi në të cilin ndodheshin, varret ……

Akti i dytë – zbulohet e vërteta 

Të vërtetën e dinte vetëm Zoti e frat Ndou, portieri, të cilit i kishin kërkuar çelësat… por tashti edhe ai nuk mund të fliste, sepse e kishin çuar edhe atë tek Zoti… Çfarë mund t’i ketë mbetur pa thënë kësaj drame të përgjakshme? Nuk kanë kaluar as katër muaj nga pushkatimi, dhe një valë e re arrestimesh shpërthen sërish në Shkodër, e bujshme dhe tepër e veçantë për llojin e saj. E veçanta konsistonte tek të arrestuarit. Është një grup tashmë të rinjsh, 20-25 vjeçarë, tre nga të cilët janë jo vetëm anëtarë partie, por edhe punonjës të Sigurimit të Shtetit. Më 28 korrik 1948 do të arrestohen:
1. Pjerin Kçira – 25 vjeç, anëtar partie, aspirant në seksionin e sigurimit Shkodër, korrespondent i “Zërit të popullit”.
2. Gjovalin Mazreku – 20 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër.
3. Lin Çollaku- 23 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër.
4. Zef Bardhoku – 24 vjeç, anëtar partie, nëpunës.
5. Nush Simoni – 22 vjeç, nëpunës banke.
Edhe për ta – rituali i zakonshëm. Po cila ishte akuza? Natyrisht, do të bëhej shpejt e shpejt edhe për ta një…
Procesverbal
Prokuroria ushtarake e Tiranës me funksion në Shkodër, me Aktakuzën e saj datë 26.5.1949 i sjell për gjykim kësaj gjykate çështjen penale për të pandehurit Pjerin Kçira… me shokë se:
– Kanë qenë anëtarë të një grupi të organizuar në mbledhje të fshehta.
– Kanë bërë agjitacion e propagande me gojë e me shtyp.
– Kanë marrë vendime që të kryejnë atentate kundër funksionarëve të partisë e të pushtetit dhe kanë kërkuar të bëjnë atentat kundër një anëtari të sigurimit, por që nuk e kanë kryer nga frika se mos diktoheshin… etj.

Kur u formua dhe çfarë ishte ky grup?

Mbi bazën e dokumenteve rezulton që grupi u krijua më 18 korrik 1948, dhe se në një mbledhje të rregullt me votime kanë zgjedhur kryetar Pjerin Kçirën.
“Koçi Xoxe nuk ka dominuar mbi sekretarin e parë të partisë, E. Hoxhën, prandaj ky i fundit është fajtor e përgjegjës për gjithçka që po ndodhte në Shqipëri”. Ishte ky mendimi i anëtarëve të këtij grupi në atë periudhë të turbullt, kur një “tradhti” zbulohej në Shqipëri e që me vonë (3 mars 1949) u hiqej mandati edhe vetë Koçi Xoxes e Pandi Kristos (Arkivi i Kuvendit Popullor). Pra, veprimtaria e grupit rezulton të jetë zbuluar në krye të dhjetë ditëve… Të ishte një armiqësi apo truk që organizonte Sigurimi, i cili nuk kursente as edhe shërbëtorët e vet kur duheshin zhdukur gjurmët?… Dhe, hetimet do të zgjasin njëmbëdhjetë muaj, e natyrisht edhe torturat me devocion të posaçëm po i realizonin Ali Xhunga, Kasem Troshani e shumë të tjerë, që deri dje kishin qenë shokë të tyre… Madje, gjatë procesit gjyqësor, të pandehurit akuzojnë për këto tortura dhe të mësipërmit detyrohen të vijnë dhe të dëshmojnë në gjyq siç e ka kërkuar mbrojtja. Por natyrisht, as që mund të ndodhte ndryshe. U provua “katërcipërisht” se deklaratat e të pandehurve ishin marrë “pa asnjë detyrim e presion”… Akuzohen gjithashtu për atentate që kishin dashur të bënin kundër Abaz Lazes, Lilo Zenelit, Ali Begut etj.
Dhe… një procesverbal tjetër:
“Sot, më datën 28.5.1949 trupi gjykues, i përbërë nga kapiten i parë, Vangjel Kocani, kryetar, dhe toger Haxhi Beqiri e kapter Ali Tirana, anëtarë, me prokuror, kapiten i parë, Harito Nashin, hapin gjyqin kundër të pandehurve…”
…për të arritur kështu në pretencën e prokurorit që dënon Pjerin Kçirën e Nush Simonin me 20 vjet, Zef Bardhokun me 15 vjet, Gjovalin Mazrekun me 13 vjet e Lin Çollakun me 8 vjet. Të nesërmen, më 11.6.1949, pas mbrojtjes formale, gjykata vendos për Pjerin Kçirën dënim me vdekje, me pushkatim e gjithçka merr fund. Kjo, së paku zyrtarisht në bazë të dokumenteve të arkivuara.
Pjerin Kçira dërgohet tek Zalli i Kirit e pushkatohet, siç ishin pushkatuar shumë të tjerë para tij e siç do të pushkatoheshin edhe shumë të tjerë pas tij.
Ku qëndron e veçanta? Fatkeqësisht, dokumentet e arkivit nuk na
ndihmojnë… Ato ose janë zhdukur, ose me qëllim janë ndryshuar që të mos përmendet fare ai sekret që lidh bashkë këto dy akte të kësaj drame të përgjakshme.
Ndoshta e veçanta kishte filluar që më herët… Ajo kishte filluar që atëherë kur Pjerin Kçira, nga A-P kthehej në a-p po me një ndryshim tepër të madh… Pra, nga anëtar partie, në armik i popullit. Dikur, anëtar partie me privilegje e favore. Dikur, aspirant i sigurimit të shtetit e përgjegjës i burgut të kishës. Dikur, hetues i At Mark Harapit, dom Anton Muzajt e sa e sa të tjerëve. Dikur, i njohur e i fuqishëm me miq e shokë, oficerë e hetues të sigurimit. E tashti, përsëri a-p, por me vulën e zezë si armik i popullit. Pra, antipod i asaj çka kishte qenë dikur; nga persekutor, në i persekutuar e kaq menjëherë e papritmas…
Për hir të së vërtetës duhet pohuar që të rinjtë kishin qëlluar trima dhe realizuan një gjyq që do të kujtohej për shumë kohë për llojin e vet. Të 16 seancat do të vazhdonin njëra pas tjetrës, për të arritur në pikën kulmore, kur kryetari i gjykatës do t’i mbyllë gojën Pjerin Kçirës. Ai, për të pastruar ndërgjegjen, nxjerr një sekret që e digjte prej kohësh, por që do të binte si bombë mbi trupin gjykues e mbi të gjithë sallën:
“Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret… Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E. Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm!”.
Natyrisht, kjo shokoi plotësisht kryetarin e trupit gjykues, që deri atëherë me zor po e mbante veten e po zotëronte situatën. Nuk kishte rrugë tjetër. Seanca duhej të mbyllej.
– Neve që kishim radhën të gjykoheshim mbas Pjerinit, – dëshmon Ernest Përdoda, – gjyqi do të na bëhej me dyer të mbyllura… Deklarata e tij për futjen e armëve në kishë i kishte futur frikën…
– Pjerini ka qenë nxënësi im, – dëshmon at Leon Kabashi. – Në vitin 1947, ndërsa torturohesha nga Anesti Kopali për të vërtetuar akuzat e paqena mbi armët, isha i lidhur për shtyllë pa hangër, pa pirë e pa fjetë. E pranë meje kalon Pjerini, të cilit iu drejtova me fjalët: “A ky është komunizmi i vërtetë, me zhdukë të pafajshmit”? Ai më hodhi një vështrim dhe iku pa folë asnjë fjalë. Mbas pak erdhi roja me pak ujë e ushqim dhe më zgjidhi… Munda të kuptoj që ai diçka ishte rrezikuar. Me fjalën e fundit ai nxori në dritë të vërtetën e madhe se, armët i kishte futur vetë sigurimi dhe për këtë u pushkatua duke u bërë martir i së vërtetës…” Ndërsa bashkëvuajtësi i qelisë, zoti Ahmet Bushati kujton çastet e fundit:
-Erdhën duke kënduar himnin kombëtar e menjëherë sapo e futën në birucë, me sinjalin që kishim filloi menjëherë të më tregojë për qëndrimin e tij dhe vendimin e gjyqit… U përpoqa t’i mbush mendjen se nuk mund ta pushkatojnë, por ai fare i qetë m’u përgjigj: – Jo, jo! Që do të më pushkatojnë atë e di mirë, jam i sigurt, sepse i kam dekonspiruar aty ku atyre u djeg më fort, por unë e bana timen.
– Të nesërmen ne u ndamë se Pjerinin e çuan në Burgun e Gestapos. – Ishte viti 1949, – kujton ish-i burgosuri Gjon Ljarja. Gjendesha i arrestuar në burgun e sigurimit, të quajtur Burgu i Gestapos. Tek një birucë-nevojtore, ku zakonisht ndrynin të dënuarit me vdekje, ato ditë kishin futur të dënuarin me pushkatim Pjerin Kçira…Një paradite dëgjova që u hapën hekurat e dyert dhe dikush u fut tek ai e sapo u largua, Pjerini filloi të këndojë me zë të lartë: “Por si fleta e ejllit të Zotit” e këngë të tjera patriotike… Nga darka mundi të më tregojë se i kishin komunikuar pushkatimin e se në drekë ishte takuar edhe me nënën dhe të fejuarën për të fundit herë para pushkatimit.
-Deshëm t’i japin shpresë, – vazhdon një tjetër dëshmitar, – duke i thënë se kemi ndërhyrë te Tuk Jakova e se do t’i falej jeta, por përsëri jo!
– Gjithçka ka marrë fund! – ishte përgjigjja e Pjerinit, – veç ju lutem më sillni një prift që të rrëfehem për të fundit herë. E nëse nuk do ta lejojnë si prift, le të maskohet e të veshet si fshatar e të vijë tek unë, se e pres patjetër për rrëfimin e fundit”. Më tej zoti Gjon Ljarja vazhdon: -Rreth orës 22 dëgjuam sërish zhurmë çelësash e dyersh, na e mori mendja. Pjerini filloi të thërrasë me zë të lartë: “Lamtumirë, ma bani hallall shokë!” E kështu, doli në oborr ndërsa zhurma e motorit të një makine që u nis përfshiu gjithçka. Pastaj, prapë heshtje varri…

LEXO EDHE  Ç’po ndodh me policinë? Polici heq kapelen dhe thërret ‘Rama Ik’ (VIDEO)

Shënim: Pjesa e mësipërme është përzgjedhur nga botimi i ri i dr. Pjetër Pepës,
“Dosja e diktaturës”./Kujto.al/