Tregu dhe marketet shqiptare janë të mbushura më produkte mishi importi pa etiketë, si për origjinën, ashtu dhe për importuesin, përdorimin etj, të tjera produkte importi vazhdojnë të tregtohen si prodhim i kompanive vendase.
Megjithëse ky rast është denoncuar disa herë nga AlertNeës.al, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk merr asnjë masë, ndërkohë që, duket qartazi që tallet edhe në përgjigjet për informacion që kthen, ose do të shmanget nga përgjegjësia e saj për të ndërhyrë në treg.
AlertNews.al i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së informacion zyrtar se, përse në marketet dhe frigoriferët e tyre qarkullojnë produkte, si fileto pule apo pjesë të tjera, të ngrira, me origjinë nga Brazili dhe që në etiketa shënohen si si prodhues emra kompanish shqiptare. Ndërkohë që, VKM për etiketimin, Nr 434, datë 11.07.2018, neni 26, pika 3, germa c e ka të qartë që, produkti i importuar dhe që ambalazhohet në vendin tonë, duhet të shënojë mbi etiketë vendin e origjinës ose vendin e prejardhjes dhe emrin e operatorit të biznesit ushqimor që e ka ambalazhuar.
AlertNeës.al monitoroi disa markete në Tiranë dhe veç produkti vazhdon të tregtohet me mbishkrimin “Prodhuar nga ….”, kompani shqiptare të njohura të përpunimit të mishit, por që në rastin konkret mashtrojnë konsumatorin, pasi ato nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë ambalazhuar.
Veç kësaj, frigoriferët janë të mbushura me fileto, cung (kofshë) apo krahë pule të importuara nga Brazili apo vende tjera, por që për konsumatorin nuk kanë asnjë të dhënë. Siç shihet edhe në foto, ato tregtohet me një mbishkrim, “Fileto e fresket” ose Fileto e Fresket…” dhe vendoset emri i marketit, ndërkohë që vendi i prodhimit të produktit nuk ka asnjë lidhje me marketin apo kompani shqiptare të përunimit të mishit.
Për këto problematika, që në të vërtetë mashtrojnë konsumatorin, por edhe rrezikojnë sigurinë e tij ushqimore, i kërkuam përgjigje AKU-së, e cila në e-mailin e saj, të datës 15.02.2018, duket qartë që ka vënë në vështirësi personat që duhet të kthehin përgjigje.
Përgjigjia e pakuptimtë e AKU
“Për sa i përket pjesës së parë në lidhje me tregtimin e produkteve të mishit të pashoqëruara me etiketë ju informojmë si me poshtë vijon:
Me marrjen e informacionit nga emaili zyrtar, si dhe kërkesës së ardhur në adresë të Drejtorit të Përgjithshëm se nga subjekti XXXX tregtohen produkte shtazore me mungesë të etiketës dhe informacioneve të tjera të dhëna në të, menjëherë nga DRAKU Tiranë u krye inspektim në të dyja subjektet nga të cilat janë dërguar fotot e ardhura në denoncim dhe konkretisht:
marketi “xxxx” me adresë: Pazari i Ri, Tirane,
marketi “yyy” me adresë: Rruga. Komuna e Parisit.
Theksojmë faktin se vete Subjekti “xxx” i cili ka si aktivitet specifik ”Prodhim, përpunim produktesh shtazore” nuk ka stabiliment të rritjes së shpendëve me destinacion tregun.
Nga kontrollet zyrtare të kryera në këto subjekte ka rezultuar se: Në subjektin xxx me adresë Pazari i Ri është konstatuar: Produktet, Cung (kofshe) pule dhe krahë pule të cilat tregtohen të pa-ambalazhuara, në etiketën e ekspozimit për shitje, kanë të shkruar vendin e origjinës dhe emrin e tregtuesit. Gjithashtu nga subjekti ruhej ambalazhi primar nga është importuar produkti me qëllim identifikimin e origjinës së këtij produkti. Në lidhje me produktin fileto pule në momentin e inspektimit nuk u gjet gjendje për tregtim në market. Por nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se për këtë produkt subjekti xxx i cili e ambalazhon paraprakisht ka notifikuar etiketën që nga data 02.04.2015. Në etikete janë cilësuar vendi i origjinës dhe kushtet e ruajtjes. (Etiketa bashkëngjitur).
Në subjektin “xxx” me adrese: Rruga. Komuna e Parisit është konstatuar se:
Produktet, Cung (kofshe) pule dhe krahë pule të cilat tregtohen të pa-ambalazhuara, në etiketën e ekspozimit për shitje, kanë të shkruar vendin e origjinës dhe emrin e tregtuesit. Gjithashtu nga subjekti ruhej ambalazhi primar nga është importuar me qëllim identifikimin e origjinës së këtij produkti. Ndërsa për produktin fileto pule i ambalazhuar paraprakisht nga “xxxx”, etiketa është e notifikuar me date 02.04.2015, dhe në të janë cilësuar vendi i origjinës dhe kushtet e ruajtjes së produktit.
Bazuar në nenin 36 të Ligjit Nr.9863 date 28.01.2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar, si dhe kërkesave ligjore të Rregullores Nr.1344 datë 10.10. 2008, Për Miratimin e Rregullave “Për Etiketimin e Produkteve Ushqimore”, produkti plotëson të gjitha kërkesat e nenit 4 të po kësaj rregulloreje si dhe nenit 36 të ligjit Nr. 9863, date 28.01.2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar.
Pra ajo që konstatohet në këtë rast është se: Gjatë momentit të inspektimit është konstatuar se subjekti tregton produktet me kundër etikete ku cilësohet edhe vendi i origjinës, ndërkohe që në subjektin Pazari i Ri konstatohet se tregtohet produkti me etikete në të cilën shënohet origjina Gjermani dhe Irlandë dhe ruhet ambalazhi primar për çdo produkt të importuar deri në momentin e përfundimit të tij, etiketat e ambalazhit bazë janë të vendosura pranë produktit.
Për më tepër sqarojmë faktin se në nenin 28, pika b, të VKM 1344, datë 10.10.2008 ,”Për miratimin e rregullave për etiketimin e produkteve ushqimore”, ku citohet se në pikën e shitjes tek konsumatori i fundit, produktet ushqimore nuk janë të ambalazhuara paraprakisht, por të ambalazhuara me kërkesën e blerësit, ose janë para-ambalazhuara për shitje të menjëhershme”. Këto thuhet ndër të tjera në shkresën e AKU. Por, në asnjë vend, ky institucion nuk sqaron se, përse në etiketën e miratuar në 2015, edhe pse haptazi në kundërshtim me ligjin, thuhet “prodhuar nga xxxx”, ndërkohë që fileto është e prodhuar në Brazil dhe jo në Tiranë??!! Përse në ambalazhin e filetos shkruhet “Data e prodhimit” dhe jo e ambalazhimit, përsa kohë, kompania në fjalë dhe ato shqiptare të përpunimit të mishit, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse ambalazhojnë??!!
Padyshim, as në filetot gjoja të prodhuara në Shqipëri dhe as në ato masive, sasia e lagështisë (ujit të shtuar) nuk deklarohet. Kjo presupozon se, sasia nuk e kalon 5 %. Por, sa e vërtetë është përqindja e lagështisë, sasia e ujit të shtuar? Është në të vërtetë 5 % e poshtë apo edhe më shumë? Po freskia e këtyre produkteve?
Për këto arsye, AlertNews.al kërkoi bashkëpunimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me qëllim marrjen e disa mostrave (kampionëve) në markete të ndryshme për profuktet e larpërmendura dhe analizimin e tyre për freskinë dhe lagështinë (praninë e ujit të shtuar). Qëllimi i kërkesës për marrjen e mostrave në bashkëpunim me AKU ishte dëshira për ta kryer këtë process sipas rregullores dhe procedurës standard e për të mos lënë vend për kontestime. Ndërkohë që, analizat e kërkuara do të kryheshin me kostot financiare të AlertNeës në laboratorët e AKU, ISUV apo në ndonjë tjetër privat.
Por, përgjigjia e AKU erdhi siç pritej. AKU nuk mund të hapë luftë me kompanitë e mëdha, nga të cilat ka ndoshta dhe të “ardhurat kryesore”, edhe pse kjo bie ndesh me sigurinë ushqimore të konsumatorit.
Ja përgjigjia vijimi i përgjigjes së AKU, të cilës duket se, denoncimi i AlertNeës nuk i përbën indicion e duhur, apo e ka të pamundur të caktojë një trupë inspektuese për t’I marrë këto mostra:
“Ne lidhje me pjesën e dytë për mundësimin e bashkëpunimit për disa mostra (kampione) filetosh ne 4,5,6 markete te ndryshme, ai dhe kofshë e krah pule për ti analizuar për freskinë dhe lagështinë ju bëjmë me dije se:
AKU i kryen kontrollet zyrtare ne zbatim te “Planit Kombëtar të kontrolleve zyrtare me bazë risku dhe i marrjes së mostrave” . Gjate kryerjes së këtyre kontrolleve merren edhe mostra zyrtare me qellim verifikimin nëse treguesit fiziko-kimike apo mikrobiologjike te produktit janë në përputhje me standardet e parashikuara ne legjislacionin ne fuqi. Gjithashtu AKU merr mostra te produktit sa here qe ka një indicie nga qytetaret apo mediat për: një incidence ushqimore, produkt qe ruhet ne kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, afat përdorimi të kaluar.
Për më tepër ne një subjekt qoftë edhe për marrjen e mostrave, proces qe është pjese e kontrollit zyrtar, duhet qe trupa inspektuese të ketë autorizimin, dokument në të cilin është përcaktuar qartë objekti i inspektimit por edhe emrat nominal të inspektorëve që do te kryejnë inspektimin, pasi mos pajisja e trupës së inspektimit me autorizim mund të sjellë mosrealizimin e këtij inspektimi pasi subjekti nuk lejon hyrjen në ambientet e subjektit të personave të paautorizuar.
Për këtë arsye AKU nuk mund të marrë mostrat në një subjekt me përfaqësues të medias, pasi e ka praktikisht te pamundur që të përfshijë në autorizimin e lëshuar nga kryeinspektori rajonal, përfaqësuesit e kësaj të fundit”.
Në këto kushte, konsumatorët janë më të pasigurtit nga konsumi i produkteve ushqimore, të cilat iu serviren pa etiketë dhe pa asnjë të dhënë, ndërkohë që prodhimet nga Brazili, Zelanda e Re ose gjetkë tregtohen si prodhime vendase e të freskëta.
AKU jovetëm që nuk ndërhyn apo nuk merr masa, lejon që të punojnë ende me etiketa që edhe vetë inspektorët e dinë që janë të parregullta ose më e keqja, marketet e dyqanet janë të tembushura me prodhime brazili, veçanërisht pule, pa asnjë etiketë.