Drejtuesja e Prokurorisë së Apelit të Korçës, Irma Balli do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Drejtuesja e Prokurorisë së Apelit të Korçës, Irma Balli do të përballet të martën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Ballin përfaqësohet nga Olsi Komici, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.
Irma Balli e ka nisur karrierën si prokurore në shkurt të vitit 1999. Ajo ka punuar si prokurore e Apelit të Korçës për gati 20 vjet dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin e drejtueses së kësaj prokurorie. Balli ka qenë gjithashtu anëtare e Këshillit të Prokurorisë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Irma Balli nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Irma Balli zotëronte pasuri familjare me vlerë 17.2 milionë lekë në vitin 2003. Sipas deklaratës së parë të dorëzuar në ILDKPKI, Balli dhe bashkëshorti i saj zotëronin ¼ e një pike karburanti dhe një dyqani në qytetin e Korçës me vlerë 10 milionë lekë, një apartament prej 6 milionë lekësh, një automjet “Benz”, ndërkohë që bashkëshorti ishte aksioner me 25% të një kompanie në tregtimin e karburantit.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurores Balli është rritur me 2.5 herë dhe kap vlerën e 42.9 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore të aseteve me 19.4 milionë lekë. Likujditetet bankare janë 11.2 milionë lekë ndërsa kursimet e akumuluara në cash kapin vlerën e 9.7 milionë lekëve. Familja Balli zotëron gjithashtu një automjet, ndërsa pjesa në kapital e bashkëshortit vlerësohet në 1.3 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 56.3 milionë lekë. 85% e të ardhurave burojnë nga paga e prokurores dhe e bashkëshortit të saj, ndërsa 5.3% e të ardhurave ka si burim biznesin e pikës së karburantit. Megjithatë, duket se familja Balli ka fituar më shumë pas dhënies me qera të pikës së karburantit, duke siguruar 9% të të ardhurave totale në vitet 2011-2016.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat nuk rezulton asnjë vit me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve.
Megjithatë, BIRN ka identifikuar disa flamuj të kuq gjatë analizës së pasurisë së drejtueses së Prokurorisë së Apelit të Korçës, të cilat lidhen kryesisht me investimet në pikën e karburantit si dhe një huamarrje të pashlyer nga prindërit.
Më konkretisht, Balli ka deklaruar se bashkëshorti i saj zotëron ¼ e pikës së karburantit dhe dyqanit si dhe 25% të aksioneve të kompanisë së shitjes së karburantit. Subjekti nuk deklaron megjithatë se sa ka qenë investimi në ndërtimin e kësaj prone, ndërsa si burim shënohet emigracioni në Greqi.
Gjithashtu në vitin 2015, subjekti ka deklaruar një shtesë parafingo prej 24.9 m2 të legalizuar në pikën e karburantit, por mungon kostoja e këtij ndërtimi.
Në vitin 2004, subjekti deklaron një hua prej 1 milion lekësh nga prindërit e bashkëshortit, borxh i cili nuk deklarohet të jetë shlyer deri në fund të vitit 2017.
Kursimet e mbajtura jashtë sistemit bankar janë një tjetër “flamur i kuq” në pasurinë e prokurores Irma Balli. Referuar deklaratave të saj, kursimet e akumuluara në cash janë 9.7 milionë lekë, ndërkohë që vlera e lejuar ligjore është 1.5 milionë lekë.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
/Reporter.al/