Gjysma e KLP rrezikon shkarkimin, a kanë moral për të zgjedhur SPAK?

Nga Boldnews.al

Loading...

Të paktën 5 nga 6 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë rrezikojnë shkarkimin, ndërkohë që kjo strukturë po përgatitet të zgjedhë prokurorët që do jenë pjesë e strukturës së posaçme hetimore, SPAK

Kjo situatë vë në dyshim të fortë integritetin e trupës përzgjedhëse, e cila duhet të garantonte, më së paku, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Rasti më domethënës është ai i anëtarit Bujar Sheshi, prokuror në Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda. Autoriteti i Dosjeve konstatoi se Sheshi ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, situatë e cila është kusht ndalimi për të qenë pjesë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Dokumenti i Autoritetit të Dosjeve, i cili u publikua për herë të parë nga “Boldnews.al”, shkaktoi reagime të fuqishme publike. Pas shpërthimit të skandalit, Bujar Sheshi rrezikon jo vetëm shkarkimin nga KLP, por edhe një dënim penal, nëse Prokuroria e Tiranës konstaton falsifikimin e dokumentave, pas hetimit të nisur bazuar në një kallëzim të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Anëtarja Antoneta Sevdari, prokurore në Tiranë, pret të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në datë 13 Shkurt 2019. Ajo u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik nuk është dakord me këtë vendim. Me anën e një ankimi, të dorëzuar në fund të Gushtit 2018, Komisioneri kërkon nga Kolegji i Apelimit shkarkimin e saj nga detyra.

Për dy anëtarë të tjerë, gjithashtu prokurorë, janë dy struktura që kërkojnë shkarkimin e tyre nga detyra, Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

Gentian Osmani, anëtar i KLP, zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, u konfirmua në detyra nga Komisioni i Vetingut. Menjëherë pas këtij konfirmimi, ONM rekomandoi shkarkimin e tij nga detyra. Pas këtij rekomandimi dhe pas analizimit të rastit, Komisioneri Publik ankimoi zyrtarisht vendimin për prokurorin Osmani, ku i kërkohet Kolegjit të Apelimit shkarkimi i tij nga detyra.

LEXO EDHE  Si në filma/ Makina del nga rruga, përplaset me shtyllën pas disa saltrosh

Besnik Cani, anëtar i KLP, prokuror në Elbasan dhe njëkohësisht këshilltar i Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, do të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri publikoi kundërshtoi konfirmimin e tij në detyrë, duke u bazuar edhe në rekomandimin e ONM, në të cilin kërkohet shkarkimi i tij.

Listën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që rrezikojnë shkarkimin, deri më tani, e mbyll Arben Dollapaj, prokuror në Apelin e Shkodrës. Dollapaj mori “dritën jeshile” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Por, Komisioneri Publik nuk është dakord me vendimin e shkallës së parë të Vetingut dhe kërkon shkarkimin e tij nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Pesë anëtarët e listuar më sipër, së bashku me 6 të tjerët, në total 11, pritet që të shqyrtojnë kandidaturat për prokurorë të SPAK-ut, aplikimet për të cilin mbyllen në 21 Shkurt. Nga emrat e publikuar deri më tani si aplikantë, janë të paktën dy që kanë kaluar me sukses të gjithë hallkat e Vetingut, Dritan Prençi dhe Vatë Staka. Konsiderohet e pakuptimtë që 5 anëtarë të KLP-së, të cilët rrezikojnë shkarkimin për problemet e tyre, të vlerësojnë të paktën këta 2 kandidatë që kanë kaluar Vetingun. Por jo vetëm për ata të dy, por edhe për të gjithë kandidaturat e tjera.

Pasi të mbarojnë procesin e përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK, të njëjtët anëtarë do të jenë pjesë e përzgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, me mandat të plotë, procedurë e cila pritet të hapet në 19 Mars.

Loading...
Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here