Beqir Balluku erdhi dy herë për vizita mjekësore në Paris, në vitin 1973 dhe 1974, ku e njoha për herë të parë. Më bëri përshtypje se qe njeri fare rrogoz, siç thuhet në popull, si një fëmijë bullafiq, i thjeshtë, i muhabetit, me humor, i thjeshtë pa ndonjë kompleks madhështie si zyrtar i lartë”.
Kështu vijon rrëfimi për “Albanian Free Press”, i Hasan Luçit, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë, mbi anëtarët e Byrosë Politike të kohës së komunizmit që kryenin vizita në këtë vend të Evropës. Dedikuar këtë herë, pikërisht ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, më vonë i dënuar pas të ashtuquajturit “puç ushtarak”…
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi
Z. Luçi, a vinte Beqir Balluku për vizita mjekësore në Paris?
Beqir Balluku erdhi dy herë për vizita mjekësore në Paris, në vitin 1973 dhe 1974, ku e njoha për herë të parë. Më bëri përshtypje se qe njeri fare rrogoz, siç thuhet në popull, si një fëmijë bullafiq, i thjeshtë, i muhabetit, me humor, i thjeshtë pa ndonjë kompleks madhështie si zyrtar i lartë. Ecnim shumë në këmbë se donte të dobësohej, por ecja s’i bënte asnjë dobi, siç thoshin edhe shoqëruesit e vet, sidomos Gani Kodra, me të cilin njihesha prej vitesh në Tiranë dhe si korrier diplomatik.
Në darkë ulej në tavolinë, hante një pjatë me kos e një fetë bukë, që s’i shkonte as në vesh dhe pastaj uleshim e luanim letra. Flinim nga ora 23.30-24.00. Në darkë e linim mirë e bukur me shëndet, ndërsa në mëngjes ankohej se gdhihej pa qejf. Nuk po kuptoja se çfarë ndodhte, se apartamentet i kishim ngjitur në katin e 5-të. Ai ngrihej herët dhe i binte shpesh derës time, që ia hapja dhe vinte tek unë në sallën e ndenjies, si tek halla. Një ditë, enigma u zgjidh rastësisht.
Rreth orës 2.30 të mëngjesit, dëgjova një zhurmë në korridor, megjithëse dhomën e kisha thellë në drejtimin e kundërt. U ngrita shpejt i shqetësuar, se ç’po ndodhte. Hapa ngadalë zinxhirin e derës së jashtme dhe tërthorazi pashë kuzhinierin e tij, që kishte hapur derën e jashtme të apartamentit ngjitur dhe mbante një pjatancë me mish në dorë, duke dalë nga kuzhina për t’ia çuar atij në sallonin e bukës. “Ja pra, -thashë, -pse gdhihej keq”.
E kuptova se vuante nga hamësia dhe nuk i treste dot ato që kullufiste dhe rrufiste. “I gjori që s’ka vullnet”, mendova dhe u ktheva i qetë për të vajtur në krevat, por u përplasa me gruan, që ishte ngritur edhe ajo pas meje pa u ndjerë.
“Çka bërë vaki, -pyeti ajo me zë të mekur, -se mendja na shkonte për keq”. “Asgjë”, -i thashë dhe ia dhashë të qeshurit pa zë të fortë. “Thashë ç’bëri vaki, -shtoi ajo, -se na bëtë me hije me rojet në korridor ditë e natë, me porosi etj”. I tregova çfarë pashë, por s’më mbahej gazi. “Mos thuash gjë, -më porositi ajo, -puna e tyre ç’hanë e pinë, ti s’pe gjë”. “Hajde ta festojmë se shpëtuam, -u talla unë, -ti shiko kuzhinën e varfër, lëreni politikën për ne të thekurit”. Ia tregova ambasadorit dhe grave tona.
Javeri nuk e besoi, më tha se më kishin bërë sytë. “Ti je kaqol, – i tha Vera, gruaja, nuk vë re fare çfarë bëhet, ti ia fut gjumit. Ky është shejtan, ka gjumë të lehtë, ashtu është, siç e tregoi”. ”Po ti nga e di?” -pyeti Javeri. “Po i kam parë që gatuajnë natën, pse ç’bëj unë, vetëm filma shoh kur ti gërhet?”. “Mbahu mos biesh, avash”, -e ironizoi, siç e kishte zakon Javeri me këtë shprehje. “Po ai sëmundjen e të ngrënit ka, more Javer, s’e sheh ti?” -shtoi ajo. “Aq, se s’është Javeri fajtor, e bëre pestil, o Vera”, -qeshëm ne.
Plasi gazi më shumë. Vera nuk gaboi, mjekët përfunduan analizat dhe e këshilluan të ulte peshën se sëmundje tjetër nuk kishte. Dëgjova më vonë, pasi u kthye në atdhe se e kishte kritikuar Enver Hoxha pse ankohej, kur s’kishte gjë tjetër, përveç oreksit të madh dhe vullnetit zero për ta luftuar e kuruar veten. Kësaj here, Beqir Balluku la edhe këtë histori.
Duke shëtitur në një rrugë afër banesës, ai pa një kasap, i cili me shkathtësi priste mishin sipas ndarjes anatomike dhe qëndroi duke e parë, sikur do t’i merrte zanatin. Këtë veprim e bëri disa herë, sa kasapi u bë kurioz dhe pyeti Javerin, që rrinte afër Beqirit, se kush ishte ky zotëria kureshtar? I tha funksionet e Beqirit dhe ai i habitur e i nderuar i solli karrige për t’u ulur. Ky veprim tregonte një neps të veçantë, që ai s’e kënaqte gjithnjë.
Çfarë vure re tek Beqir Balluku?
Kisha vënë re se Beqir Balluku nuk e zinte në gojë emrin e Enver Hoxhës, siç e kishin majë gjuhës të tjerët. Kjo shenjë tregonte diçka, se ishte fillimi i 1974-tës, por në korrik 1974 dhe më pas e mora vesh enigmën e këtij qëndrimi të Beqirit. Thonë se kuzhinieri, një burrë rondokop, veshprerë, kishte qenë ballist, por e kishte marrë kuzhinier personal, ky ishte njeri krejt i thjeshtë dhe i heshtur si peshk.
Gruaja e Beqirit qe e urtë, e thjeshtë dhe s’i dëgjohej zëri, grua shtëpie tironse. Në janar 1974 erdhën në Paris, veç Beqir Ballukut për vizitë mjekësore, edhe një grup gjeneralësh, që kishin qenë në Kinë për bisedime. Na bëri përshtypje pse vinin gjithë këta këndej kur rruga qe e gjatë dhe rregullat e lëvizjeve strikte?! Javeri më pyeti, se ç’mendoja. Iu përgjigja: “Për turizëm, do parë edhe Parisi nga të gjithë, jo vetëm nga unë e ti”. “Gjete kohën të bësh shaka, o lab”. “Po veç turizmit, s’ka motiv tjetër, aq më pak politiko-ushtarak’, – shtova unë.
Gjeneralët i pritëm në aeroport, në sallonin e nderit se na patën njoftuar. Më bëri përshtypje që në fillim qëndrimi i tyre i ngrehur. Me mua në veturë hipën 4 vetë, Hito Çakua para. Kur po dilja nga salloni i nderit, në aeroportin “Orli”, vetura ime preku pak anën e ngushtë të trotuarit dhe u tundën pak gjeneralët. “Avash se na vrave shofer”, – më sulmoi Hito Çako. “Shoku Hito, jam shofer pa shkollë të madhe, na falni, po siç e shihni ky shtegu është bërë i ngushtë nga frëngu”. “More, qenke shakaxhi, more djalë”, – sulmoi sërish ai. Nuk e ngava më tej bisedën, ishte e kotë. Veçse fillova të bëja ciceronin, se u nisëm për në Paris. Rruga kaloi pa ndonjë incident tjetër dhe mbetën të kënaqur nga ciceroni shofer.
Iu përgjigja edhe pyetjeve të tyre për çka shikonin nga vetura. I lamë valixhet në hotel, vajtëm pak në shtëpinë e pritjes, ku rrinte Beqir Balluku, i ardhur më parë nga Kina, ku i kishte lënë gjeneralët. Stilian Sallabanda, që i njihte mirë të gjithë, i ftoi të gjithë për drekë, para se të dilnim për shëtitje. Grupit që mora, unë i propozova një udhëtim për të parë në pak kohë më shumë qytetin.
“Ti e di, more djalë, -theksoi Hito, -por kujdes se s’dihet në na bie më llotaria të dalim këtej, si i thonë, o Paris, o bjerë e dis! (kjo parullë qe bërë modë atëherë në Bllok). “Këtë dëshirë do t’ua plotësoj se edhe vetë kam vuajtur në fillim sa e mësova, pastaj më kritikoni”. “Ç’na duhet kritika neve, ne duam të shohim sa më mirë, xhani i vëllait”, – ia priti njeri.
Bëra rrugë më të shkurtër dhe vërtet e ndjeva se ata mbetën të kënaqur në tërësi. U ngjitëm lart për drekë, por ajo paskësh filluar dhe vura re se i prisnin dhe i prishën turinjtë të dy palët, sidomos shefi i madh, që kishte filluar të ngrënit. Stiliani më ftoi edhe mua, por i thashë: “Kënaq miqtë, se ne këtu jemi”. Në fakt, Stiliani ma shpifte me atë sjelljen e tij prej alkoolisti, erën e rakisë dhe të duhanit.
Por kryesorja u bë, ai që u tall me Stilianin e hëngri drekën e tij dhe i bëri mirë. Unë nuk ia thashë Stilianit thagmën e mikut të tij, por vetëm Javerit e gruas së tij, por një ditë Stiliani m’i shau ata persona përsa kishin thënë, por unë shtova se ata qenë miqtë e tij, jo të mitë.
Ai prapë turfulloi, por s’bënte dëm… Së dyti, mësova se jo çdo gjë mes tyre shkonte vaj. Unë i ziu, thosha me vete, me njëqind pleq, kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq, siç thoshin pleqtë në Kuç. Pasdreke dolëm sërish vizita jashtë Parisit në Versajë, parkun Sen-Klu, pyllin e Bulonjës etj, dhe nuk patëm asnjë incident. Kur u ktheva në mbrëmje, më kërkonte ambasadori.
Për çfarë arsye?
Kur vajta, ai më tha se Tirana donte të dinte se kush i lejoi gjeneralët të kalonin nga Parisi. E pyeta: “Kush nga Tirana?”. “Ç’thua, ç’ia fut kot, -u nxeh ai, -Enveri”. “Ti mos i jep përgjigje vetë, por jepi radiogramin Beqirit dhe t’i jap ai përgjigjen si ministër i tyre”, i thashë. “Po jam unë ambasadori”, -u nxeh më keq Javeri, që e kishte humbur arsyetimin. “Po ti s’je ambasadori i gjeneralëve që vijnë nga Kina, – ia prita dhe unë i nevrikosur nga Javeri, – ti fshihu pas gaxhit. Ai është ministër dhe anëtar i Byrosë Politike, i mban kurrizi. Ti thuaj vetëm se unë e mora vesh kur erdhën këtu, siç është e vërteta”. Këtë ide ia përforcoi edhe Labua. Kështu Javeri i tha Beqirit. U bë njoftimi, por klima u nxeh tepër, filluan grindjet në sytë tanë. Por shyqyr, u shpejtua kthimi i tyre në atdhe.
Po atë natë, L.Abazi më thirri dhe duke qeshur më tha: “Hitua të ka marrë për shofer dhe më tregoi “tronditjen” në aeroport. Paskësh dyshuar kur i ke dhënë përgjigjen, por u sqarua dhe mos ki merak!”. “Pse?”, – e pyeta unë. “Se ai është gjeneral!”, – kërcënoi Labua. “Po edhe unë jam gjeneral, paçka se u hoqën gradat!”, -ia prita unë. “Mos u bëj trim, o i zi!”, -ma preu Hajria, e shoqja (lushnjare), -ku u dihet atyre”. “Po, po, -u thashë, -mos kini merak”. Të nesërmen para nisjes, Hitua, më tha: “Pse s’thua a derëzi, ne u vramë me njëri-tjetrin?”. “Po ju s’më pyetët as qysh as tek, more vëlla, nxorët shpatën”, ia prita unë. Kështu u mbyll kjo histori me gjeneralët, që më lanë shije jo të mirë. Shtoj se i gjori Kozma Zagali, llogaritar i grupit, hoqi keq se u bënë ca muhabete edhe para nesh, por ai ua dha mirë përgjigjet. Siç dihet, Enver Hoxha ua ktheu në akuzë vizitën në Paris dhe të gjithë e pësuan shtrenjtë. U doli nga hunda ky turizëm…
Pasi u kthye nga Kina në Paris, Beqiri mburrej se kolegu i vet kinez, i kishte bërë dhuratë një palë zhapa të lidhura me lecka bezesh të grisura (një budallallëk i tërë, siç i grisin fëmijët). Ai i vishte ato dhe vinte vërdallë në shtëpinë time dhe bënte sullaco në dhomën e ndenjies, duke u shkrirë në gaz i tërë grupi. Ai vazhdonte të tregonte me humor sesi qe puna që ia dhuroi zhapat. Pastaj na tregoi historinë si kinezët rrinin me kostum në të ftohtë.
Në mëngjes të nesërmen herët, Beqir Balluku i ra ziles së shtëpisë time, por shyqyr që isha ngritur, rruar e veshur si gjithnjë herët kur ishin grupet e Tiranës. Ia hapa derën dhe ai hyri, siç qe me pizhame pa kërkuar falje. U ankua se nuk kishte mbyllur sy dhe u ul në kolltuk. Unë hapa televizorin dhe vajta në kuzhinë e vura xhezven për kafe. Pasi bëra kafen, ia çova me bisht (thuhej atëherë), d.m.th. me alkool dhe ia çova tërë shishen e uiskit. “Ku është gruaja, -tha ai, -pse shërbeve vetë, thuaj të ngrihet”. Vajta në dhomën e gjumit, ia bëra me shenjë mos fliste, por ajo e kishte dëgjuar bisedën, i thashë të mos ngrihej.
U ktheva dhe i thashë se ajo po flinte ende, se shohin filma vonë natën, se këtë punë kanë gratë këtu, punët i bëjnë në një çerek ore me gaz. Më pa si me inat, duke rrudhur buzët, por nuk tha gjë. Piu kafen e pak uiski dhe iku pa humor, i pakënaqur për mossajdisje, siç duhej. Unë mendoja pse e bënte veten kaq harbut kur ai kishte dy apartamente për qejf të tij?! Pas dy ditësh, në këtë janar 1974, shkova me Javerin për ta shoqëruar në paraqitjen e letër-kredencialeve tek mbreti i Belgjikës. Kësaj here morëm edhe gratë. Para se të nisesha vjen Labo Abazi dhe më tha se i kishte thënë shoku Beqir t’i lija apartamentin tim, për kohën që isha në Belgjikë.
Çfarë ndodhi në shtëpi pas largimit? Si e gjete shtëpinë kur erdhe?
I nxehur, ia prita Labo Abazit: “më fal, i thuaj, ai është apartamenti im personal ku jetoj tani, s’më duket me vend t’ia lë as atij, as grupit, se i kanë boll shtëpitë e pritjes. Unë po t’i lë çelësat e tij, siç bëjmë zakonisht, për çdo urgjencë tjetër”. Ia përsërita mos t’i jepte çelësat dhe ai më siguroi, por më dogji çështja se e dija që Labua nuk përballej me asnjë superior e jo më me Beqirin. Kur u ktheva me gruan, ata i gjetëm në shtëpi. U qëndrova rëndë, pa u thënë gjë. E panë që vara turirin dhe ikën.
Vumë re se kishin përdorur enë kuzhine, banjën, por asgjë s’kishte humbur, por s’kishin pastruar. I thashë Labos pse s’ma la mua përgjegjësinë e mos t’u thoshte se i kisha lënë çelësat. Ai u mbrojt se i paskëshin dhënë urdhër pa diskutim dhe se e merrte Beqiri përgjegjësinë, se shtëpia quhej e shtetit. Më la të kuptoja se Beqiri kishte thënë edhe një fjalë tjetër, por ma mohoi kur e pyeta direkt se çfarë kishte thënë. “Ç’të tha tjetër”, -iu kanosa unë Labos. “E dija, se kështu do bëje”, – klitha unë. “Ankohu”, -ma priti ai me inat. “Kujt t’i ankohem? -klitha, -ti Labo je i pari, se je edhe sekretari i organizatës bazë të partisë, po ti e dredh,- e sulmova. Ambasadori do të thotë, ti dhe ti, askujt s’do t’i thuash se s’ta mban”, – dhe ika.
U ankova edhe te Javeri, i cili më dha të drejtë në parim. Ia thashë edhe përgjegjësit të grupit shoqërues, por ai më tha t’i drejtohesha vetë Beqirit. Kështu bëra dhe ia shtrova në parim. Ai pa takt më tha: “Dua hapësirë të lëviz, por unë i porosita të gjithë mos bënin asnjë dëm, po të kenë bërë dëme, më thuaj”. “Kanë djegur një tenxhere në kuzhinë dhe bërë pis, por nuk jam keq për këtë, më duket i padrejtë veprimi pa lejen time”, shtova unë. “Po ja, e bëmë”, – ngriti zërin ai. E pashë se logjika e tij, e të madhit, qe e çalë dhe gjëra të tilla qenë bërë zakon në bllok e gjetkë, me zengjinët e rinj, pra e mbylla çështjen me një shikim direkt dhe tundje koke. I vura pikë: qëndrova i ftohtë më tej me ta, nuk vija për të luajtur letra, shmangia vajtjen në shoqërim direkt me ta kur mundja. Më parë bënim edhe shaka në njëfarë mënyre se ishim edhe krushq, në fisin e tij kishte marrë një vajzë një krushku im. Më vonë, edhe për disa çështje të tjera i vura në dukje, në një raport, por kurrë nuk pata përgjigje, por fjala u hap se unë isha i ftohtë me të mëdhenjtë.
Të tjerët më jepnin të drejtë kur ishim vetëm për vetëm. Vetëm Llambi Peçini, drejtori i shoqëruesve, më kërkoi të isha më elastik me njerëzit, kurse Servet Backa, zv/drejtor bëri sulm të hapur, siç do ta përmend veçmas dhe pastaj bëra një raport të gjatë në rrugë zyrtare e partie për sjelljet e pahijshme dhe gabimet në politikën e shoqërimit në Paris.
“Puçi ushtarak”, zyrtari francez: Çudi, si s’u zbuluan më parë?
Në fund të qershorit 1974 mora pushimet dhe shkova më fëmijët në plazhin e Durrësit. Atje nga shokët nuhata mbledhjen e famshme në korrik 1974, si fillimin e kalvarit për Beqir Ballukun etj. Kështu që i doli tymi edhe enigmës së radiogramit të Enver Hoxhës me gjeneralët në Paris. Por edhe këtë radhë s’qe e thënë të bëja ca ditë pushimi se më nisën në Paris urgjent, se duhej informacion për ngjarjet në zhvillim. Kjo ishte një bombë tjetër, pas të tjerave, por unë si të tjerë dëgjonim gjëmimet, se ishim larg. Partia na thoshte si shkonin punët në atdhe. Pasi u zyrtarizua arrestimi në 16.12.1974 dhe u publikua “puçi ushtarak”, që bëri bujë në vend e në botë, një mik francez, më tha: “një gjë e çuditshme, si s’janë zbuluar më parë?”.
Kush qe kërkesa më bombastike e Beqirit
Kërkesa për qenin e Beqir Ballukut na bëri që të vizitonim dyqanet e qenve në Paris dhe rrethina. Kjo ishte një fushë e re e panjohur, por luks për ne, por jo për Bllokun. Më në fund u ble qeni, një vogëlush i bardhë si arushë e vogël, që u bë objekt bisede dhe të cilin Gani Kodra e lavdëronte tej mase, duke iu marrë goja edhe më shumë, siç e kishte zakon kur fliste, ngaqë kërkonte edhe epitete më të goditura për qenushin. Ne kërkonim rritje rrogash pa u lodhur edhe nga udhëheqësit që vinin në Paris, por halli ynë binte në vesh të shurdhër, kurse ai blinte qen me parat e shtetit”.