Nga Boldnews.al
Gjyqtari i Apelit Administrativ, Arjan Qafa, është një prej atyre zyrtarëve të sistemit të drejtësisë që ka blerë apartament me dhuratat që ia dhënë nga familjarët. Dhe, nuk janë pak, por Qafa ka marrë rreth 35 mijë euro dhurata nga vëllai e motra, shumë e cila i siguroi atij mundësinë për t’u sistemuar e për të jetuar në një prej zonave të frekuentuara të kryeqytetit.
Arjan Qafa, i cili deri në vitin 2007 ishte gjyqtar në Bulqizë e më pas inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, është kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për “fshehje të pasurisë”, në vitin 2014.
Një ndër problematikat e evidentuara në kallëzimin që ILDKPKI dorëzoi ndaj ish-inspektorit të KLD, sot gjyqtar në Apelin Administrativ, ishte fakti që ai kishte blerë një shtëpi 40 mijë euro nga “dhuratat”, për të cilat nuk kishte dhënë asnjë shpjegim bindës dhe ligjor.
Tre muaj pas kallëzimit, e konkretisht në qershor 2014, Prokuroria e Tiranës vendosi pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarit Arjan Qafa. Prokuroria e Tiranës, në vendimin e saj, argumenton se ka siguruar të dhëna “bindëse” që gjyqtari Qafa ka blerë apartamentin me dhuratat e siguruara nga familjarët e tij të afërt.
Prokuroria ka administruar një deklaratë noteriale, të nënshkruar nga vëllai dhe motra e gjyqtarit Arjan Qafa, të cilët konfirmojnë faktin se i kanë dhënë ndër vite “dhurata” në vlera monetare, shuma e të cilave deri në vitin 2010 ishte 35.500 euro.
Më konkretisht, sipas deklaratave të pasurisë së gjyqtarit Qafa, të konfirmuara edhe me deklaratën noteriale të familjarëve të tij, rezulton se: në vitin 2005, Arjan Qafa ka marrë dhuratë 3500 euro; në vitin 2006 ka marrë 1000 euro; në vitin 2007, 8000 euro, me rastin e fejesës; në vitin 2008 ka marrë dhuratë 16.000 euro me rastin e martesës; në vitin viti 2009 ka marrë 400 euro dhuratë për lindjen e vajzës; dhe në vitin 2010 ka marrë 3000 euro dhuratë, që në total përbëjnë 35.500 euro.
Këto dhurata në euro, sipas vendimit të pushimit të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës- konfirmohen me deklaratën noteriale nr.8487 rep, 1898 kol, dt.18.10.2012, e bërë nga Petrit Qafa dhe Vjollca Kola (vëllai dhe motra e Arjan Qafës).
Por vendimi i pushimit të Prokurorisë së Tiranës ka një seri pikëpyetjesh, të cilat kanë shkuar të gjitha në favor të personit nën hetim, Arjan Qafa. Kështu, nga vendimi i pushimit, rezulton se prokuroria nuk ka kryer veprime verifikuese mbi faktin nëse vëllai dhe motra e Qafës kanë pasur apo jo mundësi financiare për të bërë këto “dhurata”.
Nga ana tjetër, nuk është kryer asnjë hetim për mënyrën se si janë dorëzuar këto dhurata, të cilat janë në vlera shumë të konsiderueshme, aq sa kanë qenë të mjaftueshme për t’i siguruar gjyqtarit Arjan Qafa blerjen e një apartamenti.
Në bazë të hetimit dhe deklarimeve të personave të përfshirë në veprimet e Prokurorisë, rezulton se “dhuratat” janë marrë pa një dokument të shkruar. Kjo konfirmohet edhe nga fakti që vëllai dhe motra e gjyqtarit kanë bërë një deklaratë noteriale në vitin 2012, në të cilin pranojnë se i kanë dhënë dhurata prej vitit 2005 deri në vitin 2010. Edhe kjo deklaratë noteriale, siç rezulton nga hetimi, përbën një dokument “justifikues”, të cilin Arjan Qafa e ka përdorur kur ishte në kontroll të plotë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, në përfundim të të cilit ndaj tij u dorëzua kallëzim penal.
Prokuroria e Tiranës është mjaftuar vetëm me deklaratën noteriale dhe, pa kryer asnjë veprim mbi mundësitë e familjarëve të Arjan Qafës për të bërë dhurata, i ka marrë të mirëqena deklarimet e vëllait e motrës së tij e, në përfundim, ka vendosur pushimin e hetimeve.
Rasti i Arjan Qafës ka ngjashmëri të mëdha me atë të ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha, i cili deklaroi se kishte marrë dhurata për dasmën e tij. Madje, gjyqtari Hoxha kërkoi nga Komisioni i Vetingut që të administrohej kaseta e dasmës, për të parë se sa para ishin “hedhur” nga dasmorët. Kjo kërkesë e gjyqtarit kushtetues, Hoxha, nuk u mor parasysh nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili vendosi shkarkimin e tij nga detyra.
Ndërkohë, gjyqtari i Apelit Administrativ, Arjan Qafa, është në pritje të procesit të Vetingut, në të cilin, me shumë mundësi, do të duhet të shpjegojë edhe burimin e “dhuratave”. Gjuithashtu, ai do të duhet të bindë trupën e rivlerësimit për mundësitë financiare të familjarëve të tij për t’i bërë “dhurata”. Pra, duhet të japë shpjegime për ato pikëpyetje që ka lënë pa përgjigje hetimi i zhvilluar ndaj tij nga Prokuroria e Tiranës.