Nga Boldnews.al
Dy-tre shtëpi në Romë, një magazinë në Bergamo dhe një shkollë në Palermo kishte projektuar studio italiane “Misalab”, para se të projektonte kompleksin rezidencial me vlerë 60 milionë euro të Mond Begos në Tiranë, të cilën e konsideron si krenarinë e saj në faqen e internetit me informacione të vakëta.
“Misalab” është me seli në Romë dhe drejtohet nga dy arkitekte, Michela Ekstrom dhe Sara Ceçoli. Nga informacionet zyrtare, kjo studio projektimi është angazhuar kryesisht në arredimin e hapësirave të brendshme të shtëpisë. I vetmi projekt madhor është ai që ka porositur është kompania “Inerte Express” e ish-narkotrafikanti, sot biznesmen, Edmond Bego.
Partia Demokratike e Shqipërisë publikoi mesditën e së Mërkurës planin korruptiv, sipas saj, të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për devijimin e planit rregullues të kryeqytetit, për të mos prekur projektin e Mond Begos, i njohur dhe pranuar publikisht si mik familjeje i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardhi nga Partia Demokratike, deklaruan në një konferencë të posaçme për median se “Rama e Veliaj kanë ndryshuar projektin e Unazës së Re, me qëllim që të favorizonin Mond Begon, në dëm të rreth 200 familjeve”, të cilat rrezikohet t’u shkatërrohen shtëpitë, me justifikimin zyrtar “për interes publik”.
Pas këtij denoncimi publik, “Boldnews.al” verifikoi të dhënat zyrtare të studios arkitekturore që ka projektuar kompleksin rezidencial “Tirana Splendor” që synon të ndërtojë Mond Bego në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.
Nga informacionet publike, “Misalab” duket se nuk ka aspak përvojë në ndërtime të mëdha. Për shkak të volumit të ulët të punimeve, ajo mund të konsiderohet si “studio anonime”, qindra prej të cilave nuk arrijnë të hapen përtej një zone të ngushtë ku ushtrojnë aktivitetin.
Por, “Misalab” duket se ka fituar “peshkun e artë”, kur në dyert e saj ka trokitur kompania “Inerte Express” e Mond Begos, e cila ka kërkuar projektimin e një kompleksi gjigand rezidencial, në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.
Gjithnjë sipas të dhënave publike, projekti i hartuar nga “Misalab” për llogari të “Inerte Express” do të niste zbatimin në Tetor 2018. Ky afat kohor rastist pikërisht në kohën kur Edi Rama dhe Erion Veliaj nisën me zhurmë të madhe zbatimin e prishjesh së banesave të qindra banorëve në zonën e Unazës së Re.
Sipas dokumentave të publikuar nga Partia Demokratike, projekti i kërkuar nga “Inerte Express” është parashikuar të zbatohet nga një tjetër kompani në pronësi të plotë të Mond Begos, “Alsion Albania”.
Kjo kompani e dytë është regjistruar në Shtator të vitit 2018, pak kohë pasi emri i Mond Begos dhe kompanisë së tij, “Inerte Express” u përfshinë në akuzat që opozita i drejtonte zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste, përfshirë Taulant Ballën.
Opozita akuzoi Ballën se, me ndërmjetësinë e tij, “Inerte Express” e ish-narkotrafikantit Mond Bego kishte fituar tendera publikë në vlerë disa milionë euro. Pas një hezitimi disa-ditor, Taulant Balla u detyrua të pranonte në atë kohë miqësinë me ish-trafikantin, të dënuar me 20 vjet burgim nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Por, Balla u betua publikisht se ai nuk kishte ndërhyrë në asnjë rast që Bego të përfitonte fonde publike.
Pas mohimit të Ballës, i cili nuk u besua aspak nga oponioni publik, tashmë emri i Mond Begos shfaqet në një tjetër projekt gjigand, për realizimin e të cilit janë investuar kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës, duke ndryshuar planin rregullues të Tiranës.