Nga Boldnews.al
Protesta e studentëve është në përfundim të ditës së nëntë të saj, duke vënë Edi Ramën përballë një presioni të panjohur më parë në 5 vitet e qeverisjes së tij. Të rinjtë, të cilët kërkojnë kushte më të mira për jetën e tyre studentore, janë treguar të vendosur që të mos i përkulen presioneve dhe joshjeve që vijnë nga Kryeministri, vartësit e tij, si edhe mediat në krah të pushtetit.
Gjatë këtyre 9 ditëve, studentët kanë arritur 9 fitore, dhe, falë këmbënguljes së tyre, ky numër mund të shtohet dita-ditës.
1. Studentët rikthyen vetëdijen rinore, të cilën Shqipëria e ka njohur rreth 30 vjet më parë, në kohën kur të rinjtë universitarë u vendosën në krye të protestave për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri;
Të rinjtë shqiptarë përbëjnë pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë për jetë dhe arsim më të mirë jashtë vendit. Studentët e Universiteteve publike në Shqipëri kanë vendosur që të qëndrojë, duke kërkuar me ngulm përmirësimin e kushteve të tyre.
2. Studentët po dëshmojnë një model proteste qytetare, paqësore dhe të vendosur, diçka të rrallë për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, i hoqën kryeministrit Edi Rama mundësinë për t’i përbuzur, ironizuar dhe tallur.
Slogani kryesor i protestës studentore është: “Pa politikë”, një formë e re manifestimi shoqëror. Ata kanë vendosur të marrin fatet në duart e tyre.
3. Studentët fituan përkrahjen qytetare.
Protesta disa-ditore e studentëve ka tërhequr plotësisht vëmendjen e opinionit publik. Në shumicë absolute, qytetarët shqiptarë janë në krah të kërkesave të drejta të studentëve. Edhe militantët qeveritarë, të cilët shohin se si po rrënohet pushteti i socialistëve nën këmbët e studentëve, janë në krah të të rinjve universitarë, të cilët po sfidojnë të ftohtin e Dhjetorit për të arritur qëllimin e tyre.
4. Studentët sfiduan dhe ia dolën të zbusin arrogancën e kryeministrit Edi Rama, i cili, duke pasur nën kontroll të gjithë pushtetet, prej kohësh ka marrë nuancat e drejtuesit autokrat;
Prej ditësh, kryeministri Rama, fshehur pas rrjeteve sociale, dërgon mesazhe lutëse për dialog me studentët. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, foli gati në ngashërim nga salla e Parlamentit, ku përbetohej se kishte punuar vetëm për të mirën e shkollave. Sjelljet e dy zyrtarëve të lartë shtetërorë janë injoruar plotësisht nga studentët, të cilët kërkojnë miratimin e 8 pikave të “projektit të tyre”.
5. Në pak ditë protestë, studentët detyruan Qeverinë të tërhiqet nga një vendim i saj, i cili rëndonte pozitat financiare të tyre dhe familjave të tyre;
Me një vendim të qershorit 2018, Këshilli i Ministrave vendosi të shtojë tarifat për studentët, të cilët paraqiteshin në provimet jashtë sezonit të rregullt. Kjo VKM shërbeu si shkëndijë për nisjen e protestës. Qeveria u mblodh me urgjencë dhe e shfuqizoi këtë vendim të sajin, me shpresën se do të qetësonin revoltën studentore. Por, reagimi i Qeverisë rezultoi shumë i vonuar. Studentët kanë edhe shumë probleme të tjera, për zgjidhjen e të cilave i kanë vendosur ultimatum Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
6. Studentët fituan sfidën me sheshet publike.
Prej 9 ditësh, studentët kanë bllokuar disa prej akseve kryesore të Tiranës, fillimisht në zonën e Ministrisë së Arsimit dhe më tej përballë Kryeministrisë. Forca e tyre ka detyruar edhe Policinë e Shtetit që të qëndrojë e tërhequr dhe të mos marrë asnjë masë penalizuese. Fillimisht, zyrtarë policorë shpërndanë në media se kishin nisur procedim penal ndaj disa studentëve, përfshirë edhe profesor Edmond Tupja. Ky zhvillim nuk shkaktoi asnjë ndjesi tek studentët, të cilët vijuan protestën e tyre me të njëjtin ritëm. Qëndrimi stoik i studentëve detyroi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, të përgënjeshtroi nga salla e Parlamentit lajmin e shpërndarë nga policia për procedimin e protestuesve. Studentët e kanë fituar tashmë sfidën me sheshet publike.
7. Studentët u hoqën frikën pedagogëve;
Në rrethana normale, kur diskutohet për përmirësimin e kushteve të arsimit të lartë, të parët që duhet të ngrenë zërin e protestës janë pedagogët. Por, në Shqipëri, kur pedagogët kërcënohen nga pushteti qeveritar me humbjen e vendit të punës, qëndrimi i tyre është i squllët. Gjithësesi, protesta e të rinjve i nxori një numër të konsiderueshëm pedagogësh nga letargjia e tyre dhe, megjithëse me ngadalë, kanë nisur t’i atashohen studentëve të tyre.
8. Studentët protestues u kanë mbyllur gojën “megafonëve” qeveritarë.
Gjatë këtyre ditëve të protestës studentore, Edi Rama është detyruar të përballet i vetëm me furinë studentore. Ai nuk ka mundur të përfshijë në krah të tij analistët “gjithologë”, të cilët pushtojnë studiot mediatike për të mbrojtur çdo gabim, gafë e faj të qeverisë shqiptare. Analistët “e pavarur”, të paguar nga qeveria, kanë vendosur të qëndrojnë të strukur. Askush prej tyre nuk do të preferonte që të gjendej përballë furisë studentore.
9. Studentët fituan betejën në rrjete sociale.
Mandati i dytë i Edi Ramës vjen rrotull rrjeteve sociale dhe paraqitjes së një panorame të rreme. Kryeministri është një prej atyre drejtuesve ballkanikë, të cilët i përdorin rrjetet sociale si një mjet për të bërë politikë e për të mbledhur vota. Por, përballë të rinjve, të cilët janë të gjithë të brezit të internetit, Edi Rama duket shumë i plakur për t’i sfiduar.
Protesta vijon dhe premisat janë që studentët do të shtojnë numrin e fitoreve. Nga ana tjetër, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë arritur ende të kuptojnë se u ka ardhur koha të bëjnë bilancet e humbjes.