Presione dhe favore, Arta Marku kërkon në KLP tre “besnikët” e saj (Emrat)

Nga Boldnews.al

Pak ditë para zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, ka nisur një fushatë presionesh dhe premtim favoresh ndaj vartësve të saj, me qëllim që në strukturën që do të vendosë mbi karrierën e prokurorëve të zgjidhen “besnikët” e saj.

Në listën e të preferuarve të Arta Markut për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) janë prokurorët Besnik Cani, Gentian Osmani dhe Antoneta Sevdari.

KLP përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve prokurorë. Anëtarët prokurorë zgjidhen sipas skemës-një anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme, dy anëtarë nga Apelet dhe tre nga prokuroritë e shkallës së parë.

Nga Prokuroria e Përgjithshme janë dy kandidatë, Kosta Beluri dhe Anila Leka. Gara për këtë nivel nuk pritet të ketë rivalitet të lartë, pasi kandidatura e Belurit duket thuajse absolute për të fituar.

Në Prokuroritë e Apelit nuk ka garë, pasi, për dy poste në KLP, janë vetëm dy kandidatë, të cilët fitojnë automatikisht-Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi.

Gara më e fortë bëhet për anëtarët e KLP nga prokuroritë e rretheve gjyqësore. Në garë për 3 vende janë 6 prokurorë. Pikërisht, garën për këtë nivel prokurorie ka nisur ta kompromentojë Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku.

Prokurorë të ndryshëm, në shumë qytete të Shqipërisë, kanë marrë mesazhe orientuese nga vetë Arta Marku, stafi i saj i ngushtë dhe drejtuesit e prokurorive të disa rretheve të rëndësishme, për të votuar prokurorët Besnik Cani, Gentian Osmani dhe Antoneta Sevdari për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Të tre këta prokurorë kanë disa gjëra të përbashkëta.

Vetingu

Të tre e kanë kaluar fazën e parë të procesit të Vetingut, me pikëpyetje të mëdha. Prokurorja e Tiranës, Antoneta Sevdari është në pritje të shqyrtimit të rastit të saj, pasi Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e konfirmimit në detyrë dhe kërkon shkarkimin e saj.

Për prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, gjithashtu i konfirmuar nga shkalla e parë e Vetingut, kërkohet shkarkimi bashkërisht nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik, i cili ka depozituar ankimin zyrtar pranë Kolegji të Posaçëm të Apelimit.

LEXO EDHE  A përfitojmë gjë nga fondet e qeverisë?

Prokurori Besnik Cani, aktualisht këshilltar i afërt i Arta Markut, u konfirmua së fundmi nga shkalla e parë e Vetingut, por me një seri pikëpyetjesh të vendosura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Nisur nga qëndrimi i vëzhguesit ndërkombëtar gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar ndaj Canit, pritet që ONM të rekomandojë shkarkimin e tij.

Afërsia me pushtetin dhe Arta Markun
Të tre këta prokurorë konsiderohen si afër pushtetit të Partisë Socialiste apo Kryeprokurores Arta Marku. Prokurori Besnik Cani është njeriu më i besuar i Arta Markut. Prania e tij në KLP do e ndihmonte Kryeprokuroren e Përkohshme që të merrte mandatin e Përhershëm, duke pasur në konsideratë se Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh Prokurorin e Përgjithshëm.

Prokurori Gentian Osmani, zv.drejtues i Krimeve të Rënda, pak kohë më parë ndihmoi Fatmir Xhafajn, Ministër i Brendshëm në atë kohë, të shpëtonte nga “sikletet” me të vëllain trafikant, Geron Xhafaj. Hetimi i zhvilluar nga prokurori Osmani ndihmoi jo vetëm Xhafajn, por edhe vetë kryeministrin Edi Rama, i cili e përdori tezën e “pastërtisë” së Geron Xhafaj si një komardare shpëtimi përballë opozitës dhe opinionit publik.

Prokurorja Antoneta Sevdari njihet nga kolegët e saj në Prokurorinë e Tiranës si një mbështetëse e fortë e partisë në pushtet. Pak vite më parë, Sevdari udhëhoqi hetimet dhe arrestoi kryebashkiakun e djathtë të Kamzës, Xhelal Mziu. Gjithashtu, ajo ishte prokurore e çështjes CEZ-DIA, në kohën kur nga dosja hetimore rrodhën disa elementë, të cilat vunë në siklet Ilir Metën, në atë kohë aleat, por edhe armik i kryeministrit Edi Rama.

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, po synon të kompromentojë garën për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke synuar që të ruajë dhe të forcojë pushtetin e saj në krye të institucionit të Akuzës. Ajo ka punuar prej kohësh për këtë projekt, të cilin e ka zbatuar duke lëvizur në mënyrë të kundërligjshme drejtuesit e prokurorive kryesore, si edhe duke realizuar transferime favorizuese për një numër të lartë prokurorësh, e “degdisje” për ata që nuk iu bindën vullnetit të saj.

Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve për zgjedhjen e 6 anëtarëve prokurorë të KLP është parashikuar të zhvillohet në datën 11 Dhjetor 2018.


PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here