Afro dy muaj pas masakrës në ish-Bllok, ku fillimisht u tha se gjithçka kishte ndodhur për këngëtaren Elvana Gjata, hetimet duket se po hedhin poshtë dita-ditës këtë pistë, duke u përqendruar te prishja e pazareve të drogës.
Grupi hetimor po arrin drejt këtij përfundimi, pasi ka arritur të mbledhë të dhëna të dobishme që konfirmojnë një konflikt për çështje kokaine mes Ervin Matës, të fejuarit të Elvana Gjatës dhe një biznesmeni që së fundmi është shpallur në kërkim policor. Bëhet fjalë për Eldi Dizdarin, i cili është bashkëshorti i ish-miss-it Suada Sherifi.
Ai ishte identifikuar nga grupi hetimor prej disa javësh, por vetëm dy ditë më parë Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij e për rrjedhojë Policia e ka shpallur në kërkim, pasi nuk e ka gjetur në banesë. Burimet thanë se Dizdari ka lidhje farefisnore edhe me Arbër Çekajn, pronarin e kontenierit me banane, ku u zbulua disa muaj më parë sasia prej 613 kg kokainë në Portin e Durrësit.
Nga ana tjetër, oficerët që kanë kryer verifikimet, në kuadër të hetimit për vrasjen e ndodhur më 4 tetor te ish-Blloku, kanë siguruar të dhëna që flasin për një krisje marrëdhëniesh mes Ervin Matës dhe Eldi Dizdarit. Dikur, miq të ngushtë, ata së fundmi ishin përfshirë në një konflikt për çështje kokaine. Të paktën në këtë përfundim kanë arritur deri në këtë fazë hetimi oficerët e Policisë së Tiranës.
IDENTIFIKIMI
Në dosjen e Prokurorisë, të publikuar disa ditë më parë edhe nga gazeta “Panorama”, shpjegoheshin veprimet hetimore dhe e gjithë dinamika e ngjarjes. Aty theksohej se para vrasjes, para lokalit të Redi Popeskut, kishte pasur një konflikt, në kohën kur Elvana Gjata kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj Ervin Mata.
Bëhej fjalë për disa persona që ndodheshin brenda një automjeti, që kishte ndaluar paralel me makinën e këngëtares, për drejtuesin e së cilës Ervin Mata ishte shprehur se ishte mik i tij. Ndonëse nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar të ketë pasur sjellje miqësore mes këtyre dy personave. Tashmë, burimet thonë se është identifikuar personi që drejtonte këtë automjet dhe është pikërisht biznesmeni Eldi Dizdari, i cili është shpallur në kërkim.
DOSJA E PROKURORISE
Sipas dosjes së Prokurorisë, mësohet se nga këqyrja e pamjeve filmike të subjekteve dyqan “Monopol” dhe “KFC” dhe nga krahasimi edhe me aktet e tjera procedurale, është ndërruar edhe dinamika e ngjarjes. Më datë 04.10.2018, në orën 18:54, shtetasit Ervin Mata, Geldo Hoti (Liçaj), Fabio Allushi, Mevjol Bilo kanë hyrë brenda në ambientet e dyqan “Monopol”. Rreth orës 20:37, nga dyqan “Monopol”, ka dalë shtetasi Ervin Mata, i cili ishte duke folur në telefon dhe, sipas deklarimit të shtetasit Redi Popesku, Ervini doli jashtë për t’u takuar me të fejuarën e tij, shtetasen Elvana Gjata, për të shkëmbyer një çelës shtëpie.
Ajo e kishte parkuar automjetin e saj në rresht për dy. Në momentin që Ervini ka qenë duke bashkëbiseduar me të fejuarën, në rresht të tretë, ka kaluar një automjet dhe personi/personat që kanë qenë brenda tij kanë ngacmuar të fejuarën e Ervinit. Ky automjet ka vazhduar qarkullimin drejt “KFC” dhe për një moment ka ndaluar dhe ka kryen manovrën e ecjes mbrapa dhe pasi qëndroi aty, u afrua shtetasi Ervin Mata, pamje të cilat janë regjistruar nga DVR e subjektit “KFC”.
Rreth 10 sekonda më pas, te vendi ku automjeti kishte ndaluar dhe bisedonte me Ervin Matën, afrohet edhe shtetasi Mevjol Bilo dhe bisedojnë me personin/personat që ndodhen brenda në automjet, ku vërehet se Ervini e shtyn me dorë shtetasin Mevjol Bilo me qëllimin për ta larguar. Po, sipas deklarimit të Redi Popeskut, ku shprehet se ka dëgjuar nga Ervini se personi që ishte në drejtim të automjetit ishte ish-shoku i ngushtë i tij dhe kjo duket edhe nga pamjet filmime, ku Ervini largon Mevjolin me qëllimin për t’u sqaruar vetë, megjithëse Mevjoli nuk largohet, por i qëndron aty pranë.
Pasi shkëmbejnë disa fjalë, rreth 1 minutë më pas, Ervini me Mevjolin largohen në drejtim të dyqan “Monopol”, ndërsa automjeti vazhdon në drejtim të “Sky Tower”. Automjeti në dukje është i markës “Mercedes Benz”, tipi “G – Class”, ngjyra e zezë me disqe të zezë, por pa targë të identifikueshme, tashmë është mësuar se drejtohej nga Eldi Dizdari.