Makina e përdorur nga autorët në atentatin ndaj Edison Harizajt dhe mikut të tij Genci Çaci, e cila u gjet pas ngjarjes e shkrumbuar pranë varrezave të Shën Vlashit, është lënë e braktisur në trotuar pranë godinës së Policisë së Durrësit.
Ky mjet, që deri më tani konsiderohet si e vetmja provë për ngjarjen, është lënë në mes të trotuarit, duke sjellë impakt negativ edhe për vetë banorët e Durrësit. Pasi ekspertët e Policisë kryen ekspertizën e nevojshme, e braktisën atë në një ambient publik pa marrë parasysh se kanë bllokuar trotuarin.
Vendi ndodhet në një zonë mjaft të populluar dhe veç ndotjes së shkaktuar, ka impakt negativ edhe në psikologjinë e banorëve. “Policia nuk po tregohet serioze në lidhje me hetimet që po zhvillon për atentatin e ndodhur dhe ky fakt konstatohet nga braktisja e makinës, e cila duhej të ishte transportuar në një vend të posaçëm dhe jo këtu në mes të rrugës (trotuarit).
Një pamje e tillë, përveçse është e shëmtuar dhe ndotëse për ambientin, ka impakt negativ edhe psikologjikisht për ne banorët”, u shpreh një qytetar i Durrësit, banesa e të cilit ndodhet mjaft afër vendit ku është transportuar makina e shkrumbuar nga atentatorët.
Ndërkohë, kur kanë kaluar 12 ditë nga vrasja e dyfishtë, blutë e Durrësit nuk kanë asnjë të ndaluar. Edison Harizaj, i njohur edhe si “padrino i Vlorës”, u ekzekutua me breshëri armësh në dalje të Durrësit pasi u ndoq nga autorët teksa udhëtonte nga Tirana për në Vlorë.
Bashkë me 39- vjeçarin humbi jetën nga plumbat edhe shoku i tij Genci Çaci, i cili ndodhej në makinë me objektivin e atentatit. Edison Harizaj është hetuar nga Policia dhe Prokuroria e Vlorës për disa ngjarje të rënda në këtë qytet, përfshirë edhe zhdukjen e Albano Xhaferrit në qershor të këtij viti, por pa gjetur prova për ta arrestuar. Prandaj edhe Policia ka ngritur disa pista hetimi, ku më kryesoret mbeten ato të hakmarrjes dhe konflikteve mes bandave rivale të Vlorës për territore.
Kjo ngjarje kriminale është shumë e vështirë për t’u zbardhur, ndërsa dyshohet se autorët mund të ishin vrasës me pagesë, duke marrë parasysh faktin se kanë vepruar me përpikmëri dhe nuk kanë lënë asnjë provë në vendin e krimit. Makinën që përdorën e shkrumbuan disa kilometra larg vendit të ngjarjes, ndërsa në vendin e krimit nuk kishte kamera sigurie, duke e bërë edhe më të vështirë punën e hetuesve për zbardhjen e këtij atentati mafioz.
Më shumë se 40 persona janë shoqëruar pas atentatit të ndodhur gjashtë ditë më parë, por më pas janë lënë të lirë, pasi Policia nuk ka gjetur prova për implikimin e tyre.
Një burim i tha gazetës “Panorama”, se grupi hetimor ka dyshime se porosia për atentatin ndaj Harizajt ishte porositur nga Belgjika. Edison Harizaj mori katër plumba dhe humbi jetën menjëherë, ndërsa miku i tij, Genci Çaci, u plagos me nëntë plumba dhe ndërroi jetë disa orë pasi u sulmuan me breshëri automatiku në afërsi të mbikalimit të Plepave.
Shënjestra u dyshua për vrasjen e gjyqtarit në Vlorë
Edison Harizaj, pronar i kompleksit “Oslo” në Vlorë, njihej si një person mjaft i kujdesshëm, që nuk ekspozohej dhe mbante gjithnjë njerëz të armatosur me vete. Ai njihej në Vlorë me nofkën “Il Padrino”, pasi kishte nën kontroll mjaft të “fortë” dhe ushtarë të tij. Gjithashtu, njihej edhe si “Edison Faqedjeguri”, pasi në moshë të vogël kishte pësuar një djegie në faqe, si dhe “Edisoni i shtatë pallateve”, pasi rrinte te zona e njohur si “Shtatë pallatet” në Vlorë, aty ku kishte dhe biznesin e tij. Por emri i tij ishte i njohur për drejtësinë, jo vetëm si i dënuar për vrasje e plagosje, por edhe si i dyshuar për disa krime të rënda, përfshirë edhe atentatin ndaj gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi.