Mediat ekuadoriane raportojnë se ka shkuar në 11 numri i të arrestuarve për trafikun ndërkombëtar të kokainës. Janë arrestuar 8 shtetas në Ecuador dhe 3 në Greqi.
Droga do të nisej nga Santa Elena, Ecuador në Australi përmes korridorit të Paqësorit. Dy ditë më parë një prej të arrestuarve ka kërkuar leje në kapitenerinë e Puerta de Salinas për të nisur anijen por leja iu mohua.
Ndërkohë kur është kryer operacioni, sapo kanë vënë re policinë, një person ka tentuar të manovrojë velierën. Sipas policisë ekuadoriane, organizata drejtohej nga një shqiptar e dy grekë, ndërkohë që koordinimin në Ecuador e bënin dy grekë të tjerë.
Prej të arrestuarve në Greqi, është një shqiptar i quajtur Ilia, 41 vjeç, me shtetësi shqiptare e kombësi greke. Ai dyshohet se në bashkëpunim me grekun e arrestuar një 63-vjeçar, ishin krerët e grupit kriminal dhe përgjegjës për planifikimin, organizimin, financimin dhe modifikimin e transportit detar me velierë.
Ekuadorianët e arrestuar kishin rolin e transportuesve, magazinuesve dhe kujdestarëve të drogës. Gjatë operacionit në Ecuador u sekuestruan gjithashtu edhe 30.705 dollarë dhe 2 armë zjarri.