Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, e cilëson tejkalim kompetencash kushtetuese mosdekretimin e Sandër Lleshit nga Presidenti i Republikës.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Abdiu shprehet se përveç që tejkaloi kompetencat kushtetuese në mosdekretimin e kandidatit për ministër, ai nuk e shoqëroi këtë vendim me arsyetimin e plotë të argumenteve që e çuan në këtë vendim. Sipas tij, kontrolli që Presidenti i Republikës duhet t’i bëjë kandidatit për ministër, duhet t’i referohet nenit 103 të Kushtetutës, sipas të cilit ai mund të interesohet nëse a i përmbush kandidati cilësitë që duhet për një deputet, sepse nëse kandidati për ministër është deputet, ai nuk ka asnjë kontroll për të. “Kontrolli presidencial është një kontroll formal, juridik, i shpejtë, operativ, sepse ka raste kur emërimi i një ministri lidhet me interesa kombëtare të një vendi”, shprehet Abdiu.
A kishte të drejtë Presidenti i Republikës të mos e dekretonte kandidatin për ministër të Brendshëm?
Lidhur me rrëzimin e kandidaturës të paraqitur nga Kryeministri për ministër të Brendshëm, ka ngjallur shumë debate, kureshtje, interes këto ditëK për shumë arsye. Së pari, sepse me sa duket është një ngjarje që nuk ka ndodhur më parë. Së dyti, sepse ashtu siç është paraqitur dhe njohur nga opinioni publik, informacioni i saktë real dhe i plotë për këtë çështje mungon dhe së treti, sepse precedentët që ekzistojnë për këtë problem janë të ndryshëm. Aspekti kryesor është ai kushtetues. Sipas nenit 98 të Kushtetutës, ministri shkarkohet dhe emërohet nga Presidenti i Republikës me propozimin e Kryeministrit.
Zbërthimi i kësaj dispozite mund të bëhet në disa aspekte, por ne na duhet t’i përgjigjemi pyetjes nëse kishte të drejtë Presidenti i Republikës për të refuzuar kandidatin për ministër të Brendshëm e mbase është e nevojshme të bëjmë një parantezë. Në lidhje me praktikat kushtetuese për formimin e qeverisë ka qëndrime të ndryshme, veçanërisht me praktikat e emërimit dhe shkarkimit të ministrave. Kushtetuta jonë është ndër Kushtetutat e rralla që ka imponuar tre faktorë shumë të rëndësishëm që të merren me emërimin dhe shkarkimin e një ministri.
Veç së drejtës të Kryeministrit për ta propozuar kandidatin si anëtar i kabinetit të tij, Kushtetuta jonë ka përfshirë dhe Presidentin, dhe Parlamentin në këtë proces. Ky qëndrim edhe nga Komisioni i Venecias nuk është konsideruar shumë aktual dhe pragmatist, sepse krijon mjaft probleme politike, juridike dhe zvarritje mes institucioneve dhe organizmave. Shumë vende këtë procedurë e kanë nga Kryeministri, i cili propozon, dhe Parlamenti miraton, duke e shmangur Presidentin. Edhe Kushtetuta e Kosovës, që është më e reja, e ka këtë risi, kur e shmang Presidentin në dekretime.
Sipas pikëpamjes sime, Presidenti i Republikës, në raste të tilla, kontrollon rreth kandidaturës së propozuar rreth përshtatshmërisë së tij vetëm për ato kushte, për të cilat Kushtetuta kërkon për deputetin. Sepse sipas nenit 103 të Kushtetutës, ministër mund të caktohet kushdo, që ka cilësitë për deputet. Pra, edhe Presidenti i Republikës, kur i paraqitet një kandidaturë, sipas mendimit tim, mund të interesohet nëse a i përmbush ky cilësitë që duhet për një deputet, sepse nëse kandidati për ministër është deputet, ai nuk ka asnjë kontroll për të. Pra, kontrolli presidencial është një kontroll formal, juridik, i shpejtë, operativ, sepse ka raste kur emërimi i një ministri lidhet me interesa kombëtare të një vendi. Qëndrimi që ka mbajtur Presidenti për rastin konkret është në tejkalim të kompetencave të tij.
Nëse kjo do të ishte një interpretim i gabuar kushtetues, do ta quaja defektin më të vogël. Parë në një këndvështrim shumë më të gjerë, të bën të dyshosh seriozisht se problemi nuk është kaq sipërfaqësor.
Pse e thoni këtë?
Sepse Presidenti i Republikës nuk i ka thënë arsyet, argumentet se përse nuk e dekretoi kandidatin e paraqitur. Sepse në bazë të Kushtetutës, Presidenti flet vetëm me dekrete të arsyetuara, të përpiluara me argumente pro ose kundër një qëndrimi. Në rastin konkret, ne kemi parë një qëndrim të thatë se “nuk arriti të formojë bindjen e plotë rreth përshtatshmërisë së kandidaturës për ministër të Brendshëm”.
Unë mendoj se kjo terminologji e përdorur nga presidenti nuk është kushtetuese, që i përshtatet natyrës së akteve që nxjerr Presidenti i Republikës. Terminologjia, ‘bindje e plotë apo e paplotë’, nuk është terminologji kushtetuese. Për formimin e bindjes së brendshme flitet vetëm në sektorin gjyqësor, sepse, sipas Kushtetutës, vetëm gjyqtarëve u lejohet të shprehen ndër të tjera edhe në bazë të bindjes së tyre, jo vetëm me bindje, por mbi bazën e fakteve, provave dhe bindjes së brendshme të tyre.
Këtë koncept legjislacioni ynë e trajton në doktrinën e së drejtës gjerë e gjatë ku përcaktohet sesi duhet të formohet bindja e gjyqtarit për një çështje të caktuar. Por asnjëherë për Presidentin e Republikës. Pra, ai ka përdorur një terminologji dhe koncepte jashtë kornizës dhe jashtë funksionit të tij kushtetues. Edhe pse ai heshti për këtë, ai së paku duhet të paraqiste argumentet se përse ai e vlerësoi këtë kandidaturë të papërshtatshme.
Ish-presidenti Nishani është shprehur për kandidaturën e Fatmir Xhafës se Kushtetuta nuk e lejonte që të mos e dekretonte…
Edhe pse nuk kam qenë dakord me konkluzionin që pati paraqitur zoti Nishani lidhur me kandidaturën e ministrit të Brendshëm në atë kohë, unë mendoj se qëndrimi i tij në një aspekt ishte më i drejtë se qëndrimi i Presidentit aktual. Sepse ai, në fund të fundit, pranoi se kontrolli kushtetues i Presidentit për dekretet dhe kandidaturat nuk mund të jetë pa kufi, pranoi se kishte të drejtë ta kontrollonte vetëm në aspektin formal juridiko-kushtetues, pavarësisht se si u shpreh për kandidaturën në fjalë në aspektin personal. Por, qëndrimi institucional që mbajti ishte një qëndrim i drejtë, më kushtetues dhe më i pranueshëm.
Pra, Presidenti i Republikës nxori një dekret jashtë kompetencave të tij kushtetuese, nuk e arsyetoi dekretin, ka përdorur terminologji që nuk janë kushtetuese për funksionet e veta. Ky mund të jetë një sinjal se Presidenti kërkon që të vendosë veten në kushtet dhe rrethanat lidhur me kompetencat që nuk i ka në Kushtetutë. Unë dyshoj në lidhje me qëndrimin e Presidentit edhe për një arsye tjetër, sepse Presidenti, edhe në raste të tjera, ka mbajtur qëndrime jokushtetuese.
Për çfarë rastesh e keni fjalën?
Qëndrimi ndaj propozimit të Kryeministrit për drejtuesin e SHISH, i bërë disa muajsh, është jo i matur nga ana e Presidentit. Presidenti ka qenë dhe është i detyruar që brenda një afati logjik dhe të arsyeshëm, t’i jepte qëndrim dhe zgjidhje këtij problemi sepse, sipas meje, lënia e një organi kaq të rëndësishëm në dorë të cilitdo personi i paemëruar zyrtarisht sipas standardeve kushtetuese, është një gabim i rëndë i institucioneve që duhet të ndikojnë në formimin e tyre, në rastin konkret Kryeministrit dhe Presidentit.
Ky organ dhe organe të tjera si ky nuk mund t’i drejtojnë titullarë të paformuar kushtetutshmërisht. Mjaft më me praktika të këtij lloji në Shqipëri.
Nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese funksionale, mundej Kryeministri të rrëzonte dekretin e Presidentit për mosemërimin e ministrit të ri të Brendshëm?
Tani do ta kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë Qeveria, Parlamenti, Presidenti dhe faktorë të tjerë që vijnë pas këtyre se çfarë gabimi është bërë, që lihet sot vendi pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kushtetutshmërisht, nëse Këshilli i Ministrave, Kryeministri kishte pretendime dhe sipas mendimit tim duhet të kishte pretendime për këtë dekret të Presidentit, duhet t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për ta anuluar këtë dekret, për të interpretuar këtë dispozitë të përdorur nga Presidenti i Republikës, për të përcaktuar kufijtë e secilit organ në rastin konkret, sepse në Shqipëri shqetësime të tilla janë hasur dhe do të hasen. Aktualisht, për aq kohë sa nuk ka një Gjykatë, ky problem mbetet i pazgjidhur edhe pse ekziston dëshira për të iniciuar një kërkesë. Më vonë, kjo çështje humbet aktualitetin. Presidenti i Republikës për rastin konkret dhe raste të tjera duhet të vlerësojë më shumë mungesën e këtyre institucioneve dhe të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij për t’i bërë urgjentisht këto institucione funksionale siç është Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri ka vendosur që të emërojë Sandër Lleshin zv.ministër të Brendshëm me kompetenca të plota të ministrit, ndërsa është shprehur se do të mbajë një qëndrim në Parlament për Presidentin. Mundet të ndërmarrë ndonjë nismë maxhoranca ndaj Presidentit?
Pyetja duhet shtruar a mund të ekzistojë mundësia që Këshilli i Ministrave të ngarkojë këtë kandidaturë konkrete që të drejtojë Ministrinë e Brendshme me cilësinë e zv.ministrit?! Formalisht nuk ka asnjë pengesë që ai të emërohet zv.ministër i Brendshëm, që të drejtojë këtë institucion.
Por për sa kohë?
Ligji dhe Kushtetuta nuk flasin për afate kohore, ashtu siç Kushtetuta nuk e trajtoi këtë problem as për Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm, por logjika ta do që ky emërim duhet të jetë afatshkurtër, provizor që t’u dalë për zot problematikave që ka kjo ministri, para se të mendohet për një zgjidhje afatgjatë.
Ekziston një praktikë e tillë, që unë nuk e quaj shumë normale, kur Kryeministër ishte Fatos Nano, u krijua praktika e drejtimit të disa ministrive përmes zv.ministrave. Edhe ai e pranonte që kjo ishte një praktikë jo shumë oportune, por siç thoshte dhe vetë Nano, ai ishte i detyruar për shkak të kushteve që u krijuan në Kuvend në atë kohë. Edhe faktori ndërkombëtar nuk e pëlqeu shumë këtë mënyrë drejtimi të ministrive me zv.ministra, e cila më në fund gjeti një zgjidhje ligjore kushtetuese.
Këto qëndrime nuk janë gjë tjetër, veçse një matje forcash mes institucioneve që ndjellin një situatë jo shumë optimiste për vendin dhe kohën dhe që mund të krijojnë rreziqe të tjera të mëvonshme. Duke marrë shkas nga ky problem anësor, mendoj se ka ardhur koha që për shumë problematika të këtij lloji, mungesë organesh, kandidaturash, mbarime mandatesh etj etj., do të ishte mirë që Presidenti i Republikës të gjente një pozicion që të thërriste partitë parlamentare maxhorancë dhe opozitë, sidomos Reformën Zgjedhore, e cila është shumë në vonesë, që këto probleme të mos lihen të zgjidhen në orët e fundit sepse kurrë nuk kanë qenë plotësisht kushtetuese, transparente dhe demokratike. Reforma Zgjedhore duhet të ishte përfunduar në kohë dhe shqiptarët duhet të dinin se me çfarë ligji do të votojnë shqiptarët.