Familjarë, miq, të afërm dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje përkujtuan sot aktivistin e VV-së Astrit Dehari, në dy vjetorin e vdekjes së tij në qendrën e burgut në Prizren.
Ata zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrin e të ndjerit.
Mes dhjetëra pjesmarrësve ishte dhe vajza e tij e vogël, Arsa, e cila nuk pati fatin të njohë të atin e saj pasi lindi pas vdekjes së Astritit.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, vogëlushja shihet e veshur me një bluzë me foton e babait të saj, teksa vendos lule pranë varrit të tij.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë homazheve pranë varrit të Deharit kërkoi drejtësi për këtë rast.
Ai tha se “kur njeriu i drejtë e për drejtësi mbytet, krimi bëhet i pamatshëm”.
Familjarët e Astrit Deharit, por edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk janë pajtuar me gjetjet e institucioneve vendore lidhur me këtë rast, të cilat kanë konstatuar se Dehari është vetëvrarë.
Familja ka dërguar super-ekspertizë në një institucion në Zvicër.