Basha tha se ndarja e politikës nga krimi, pastrimi i politikës nga politikanët e lidhur me kriminelët dhe dekriminalizimi i zgjedhjeve është themeli i programit politik.
Për kreun e PD-së, kjo qeveri ka shkatërruar themelin e demokracisë, ka shkatërruar votën e lirë. Ka dorëzuar qeverisjen tek krimi dhe tek oligarkët, ka dorëzuar pasuritë publike, taksat e shqiptarëve, të cilat i ndan me skemat më të ndyra të korrupsionit në 30 vite, me një grusht njerëzish që përfitojnë në kurriz të qytetarëve më të varfër të Evropës.
Basha për lidhjet e qeverisë me krimin: Sot jam këtu jo për t’u treguar se ç’kemi thënë deri sot për gjendjen e rëndë ku ndodhet vendi, sepse faktet flasin vetë: lidhjet politike të Edi Ramës me kriminelët dhe banditët janë shfaqur jo thjesht dhe vetëm në denoncimet e opozitës.
Edhe në Raportet e OSBE/ODIHR-it, në raportet e vetë qeverisë teknike, por tashmë edhe në përgjimet e prokurorisë, nga lidhjet e Bajrajve me Ditmir Bushatin, të Çelajve në Elbasan me Taulant Ballën, të Avdylajve, Lul Berishës, Plarent Dervishit, Indrit Taullait dhe bandave të tjera të Durrësit me Vangjush Dakon e Blendi Klosin, të Rragamit dhe banditëve të tij me Niko Peleshin…e kështu anembanë vendit. Natyrisht duke kulmuar me lidhjen e vetë kapobandës së organizatës kriminale të “Rilindjes” Edi Ramën, pa të cilin kjo skemë nuk do të ishte vënë në funksion.
Basha për ekonominë: Përqendrimin e parave në një grusht njerëzish, parave publike, tenderave, koncesioneve po kështu e kemi denoncuar nga kjo sallë dhe ju e dini fare mirë, se për çdo projekt që ka investuar para qeveria këtu, gjysma apo më shumë e parave këtu janë futur direkt në xhepat e pushtetarëve dhe kontraktorëve, sepse preventivët kanë qenë të fryrë 2-3 fish.
Është fakt se në pjesën tjetër të vendit për 5 vite nuk ka patur asnjë investim domethënës, që të përmirësojë infrastrukturën, shëndetësinë, shkollat, nuk ka patur rritje rrogash e pensionesh, madje janë ulur, në raport me inflacionin. Është fakt se nuk ka një investitor të huaj në 5 vite, nuk ka një investim serioz perëndimor që të jetë kryer në këtë vend, është fakt që në Korçë e në të gjithë Shqipërinë, numri total i bizneseve që mbyllin qepenat për shkak të situatës së rëndë ekonomike, rënies së fuqisë blerëse, taksave të rritura, futjes abuzive në skemën e tvsh-së, sjelljes prej gangsterësh të administratës fiskale, ka arritur shifrën dramatike prej 45 biznesesh në ditë.
Basha për ndarjen e politikës nga krimi: Është e qartë për të gjithë shqiptarët, dhe për faktorin ndërkombëtar, se sa thellë i ka futur rrënjët krimi i organizuar në qeverisjen e vendit, se si Edi Rama i përdori bandat dhe brutalitetin e tyre për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin.
E kemi denoncuar që vitin e parë të qeverisjes së tij, futjen e personave me rekorde kriminale, njerëz që nuk i lidhte asgjë me politikën, as me Partinë Socialiste, por që u katapultuan si deputetë dhe si kryebashkiakë, drejtpërdrejt nga burgjet e Evropës, ku vuanin dënime për vepra të tmerrshme kriminale; tgrafiqe, vrasje, përdhunime e kështu me radhë.
Ne denoncuam se si këta banditë, përdhunues dhe trafikantë, jo vetëm i promovoi në pushtet, por Edi Rama i mbrojti me thonj, deri në çastin e fundit. Bëri gjithçka për të penguar dhe zvarritur për dy vite me radhë Ligjin e Dekriminalizimit, por vendosmëria jonë, e opozitës dhe e qytetarëve që na mbështetën, bëri që ky ligj të vihej në zbatim dhe si rezultat sot kemi 350 zyrtarë, politikanë, deputetë dhe krybashkiakë, që Ligji i Dekriminalizimit i nxori nga zyrat dhe ua bëri të pamundur futjen përsëri në këto zyra.
Basha për Fatmir Xhafën: E paimagjinueshme në një vend demokratik dhe e paprecedentë në Evropë të kemi ministër të brendshëm vëllain e një trafikanti droge. Por, falë qëndresës, betejës tonë, sot ai është i shkarkuar dhe i larguar me turp dhe i delegjitimuar nga detyra e tij, që në fakt nuk e kreu për asnjë ditë, sepse preokupimi i tij i vetëm ishte që si e si të mbulonte aferat e të vëllait, edhe duke përdorur policinë dhe prokurorinë, për të sulmuar ata që denoncuan këtë aferë.
Basha për Taulant Ballën: Ne denoncuam lidhjet e Taulant Ballës me kriminelë që marrin tendera publikë në kundërshtim me ligjin. Presionet e tij ndaj Prokurorisë për të liruar të tjerë kriminelë të cilët ndihmuan në vjedhjen e votës në Elbasan. E para është faktuar përtej çdo dyshimi dhe pret ndjekjen penale nga një prokurori që duhet dhe do të çlirohet nga kapja politike dhe kriminale. E dyta është faktuar përmes dëshmive e oficerëve të policisë në azil, oficerit Emiljano Nuhu, dhe pret që dosja të dalë nga kasaforta e Prokurorisë së Elbasanit dhe Taulant Balla të vihet përpara përgjegjësisë penale.
Basha për blerjen e votave: Kriminelët dhe paratë iu deshën Edi Ramës që në vitin 2013 për të ardhur në pushtet. Kriminelët dhe paratë i përdori përsëri në vitin 2017 për të mbajtur pushtetin dhe i duhen akoma për të mbajtur pushtetin.
Vangjush Dako, kryetari i bashkisë së Durrësit është kapur në përgjigje zyrtare duke konsumuar veprat penale, krimin elektoral të shitblerjes së votave me bandat kriminale të Durrësit dhe Shijakut. Dhe ndërkohë që në burgje kemi kryefamiljarë për vepra penale shumë më të lehta, kryebashkiaku i Durrësit vazhdon të mbetet i lirë.
Basha për reformën në drejtësi: Kjo është drejtësia me dy standarde. Ky është ligji me dy standarde. Ky është turpi i të ashtëquajturës reformë në drejtësi e cila pas dy vjetësh ka arritur në këtë pikë sa nuk arrin dot të imponojë të njëjtin standard të ligjit si për kryebashkiakun e korruptuar të Durrësit dhe eskponentë të tjerë të PS të kapur në vjedhjen e votave ashtu edhe për qytetarët e tjerë të zakonshëm.
Prandaj kemi paraqitur platformën tonë për dekriminalizimin e zgjedhjeve, vetingun e politikës, pastrimin e policisë ndaj lidhjes me krimin, sistemin e masave kundër shitblerjes së votës, financimin e fushatës së partive, dhe përdorimin e teknologjive në votim të cilat do të prezantohen në detaje nga z Bylykbashi.
Basha për PPP-të: Për këtë vit buxheti i cili është vënë në diskutim apo ka filluar diskutimi formal ka planifikuar 9 milionë dollarë vetëm për check up-in ndonëse për 7 muajt e parë me letra janë bërë vetëm 58 % e statistikave e njerëzve që gjoja kanë bërë check-upin.
Ndërkohë për iniceneratorët vitin e ardhshëm planifikohen 22 milionë dollarë subvencione nga shteti. Të gjitha në dorën një njeriu, vartësit të ministrit të Financave. Përfaqësojnë simbjozën mes krimit të organizuar dhe ekonomisë së kapur.
Planifikohet të shkatërrohet Teatri Kombëtar për të ndërtuar 7 kulla me një shumë marramendëse e cila nuk mund të vijë nga anjë burim tjetër përveçse nga pastrimi i parave të pista të drogës.
100 milionë dollarë në total janë planifikuar për PPP-të dhe asnjë nuk e përmbledh dhe simbolizon më mirë këtë se sa afera 1 miliardë dollarë e PPP-ve, pastrimit të parave të pista.