Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me mbështetjen e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po ndërmerr një fushatë të gjerë informimi për tatimpaguesit.
Platforma e Informimit ofron informacion të plotë dhe të detajuar mbi 11 kategori të ndryshme tatimpaguesish.
Tatimet kanë dhënë fillimisht informacion në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e personave Juridikë ka një xhiro vjetore të biznesit nga 0 deri në 2 milionë Lekë.
Person Juridik quhet një Shoqëri Tregtare që preferon të bëjë biznes si person juridik dhe jo si individ person fizik; harton një statut të shoqërisë si individ/person juridik ose me individë të tjerë/persona të tjerë juridikë; dhe merr përgjegjësi për detyrimet e krijuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë me të gjitha pasuritë e biznesit.
Personi juridik regjistrohet si i tillë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Nëse një Person Juridik ka një xhiro vjetore të biznesit nga 0 deri në 2 milionë Lekë ai nuk është subjekt i TVSH-së (perveç kur blen mallra ose shërbime importi per ti shitur ose ushtron profesion qe i nënshtrohet TVSH-së pavarësisht xhiros) dhe Tatimit mbi Fitimin, por ka detyrime për të deklaruar dhe paguar Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore; Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi dhe Tatimin në Burim (nëse i ka si përgjegjësi tatimore) si dhe ka detyrimin për të deklaruar Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin. Për këtë kategori Tatimi i Thjeshtuar mbi Fitimin është me shkallë 0%.
S’ka rimbursim TVSH-je
Meqenëse nuk je i regjistruar për TVSh, nuk mund të kreditosh (rimbursosh) TVSh-në e paguar për
mallrat/shërbimet e blera.
Megjithëse je nën kufijtë e xhiros për regjistrim si pagues i TVSh-së:
- Ke të drejtë të regjistrohesh vullnetarisht si pagues i TVSh-së.
- Je i detyruar që të regjistrohesh për deklarimin dhe pagimin e TVSh-së, nëse:
- Blen mallra apo shërbime importi për t’i shitur dhe jo për t’i investuar në biznes;
- Ushtron një profesion që i nënshtrohet pagesës së TVSh-së, pavarësisht nga xhiroja
Dokumentat që duhen afishuar në ambientet e biznesit:
- Certifikata e Regjistrimit (NIPT-i);
- Lista e çmimeve të shitjes për çdo mall/shërbim që ofron;
- Njoftim-kujdes për klientët që të marrin kuponin tatimor për blerjet me para në dorë si dhe që kanë të drejtë për të mos kryer transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor.
Për dokumentimin e shitjeve dhe blerjeve duhet të:
- Lëshosh kupon tatimor për çdo shitje me para në dorë;
- Lëshosh faturë të thjeshtë tatimore, së bashku me kuponin tatimor kur:
- Bën shitje tek një tregtar tjetër, dhe
- Blerësi individ të kërkon vetë një faturë tatimore.
- Lëshosh faturë të thjeshtë tatimore në rast se shet mallra ose kryen shërbime me pagesë të mëvonshme në bankë;
- Lëshosh faturë tatimore nga blloku yt, me shënimin “Faturë e lëshuar nga blerësi”, për blerjet që bën nga individë, persona fizikë jo-tregtarë, dhe shëno në të numrin e kartës së identitetit të tij, në mënyrë që fatura të jetë e vlefshme për qëllime tatimore;
- Plotëso faturat e shitjes me të gjitha të dhënat e kërkuara: datën, të dhënat e blerësit, emrin tregtar/emrin e individit, NIPT/Nr. personal, adresën, transportuesin, përshkrimin e mallit/ shërbimit, njësinë, çmimin, vlerën, shumën e faturës, etj;
- Bëj mbylljen e kasës fiskale, në fund të çdo dite pune dhe transmeto të dhënat e saj. Të nesërmen regjistrimi i kuponave fillon nga e para;
- Merr faturë tatimore të thjeshtë ose me TVSh (në varësi të përgjegjësisë tatimore të shitësit) për çdo blerje të kryer për biznesin tënd.
Deklarimi i të punësuarve dhe të larguarve nga puna dhe i pagave të tyre:
- Marrja në punë dhe largimi nga puna deklarohen në llogarinë elektronike:
- 1 ditë para marrjes në punë, dhe
- Brenda 10 ditëve nga data e largimit nga puna.
- Njihen si shpenzime të zbritshme vetëm pagat që paguhen nëpërmjet sistemit bankar.
Detyrimet Tatimore që duhen paguar
Shuma e detyrimeve tatimore llogaritet duke shumëzuar shumën (bazën) mbi të cilën llogaritet tatimi me shkallën tatimore të caktuar për secilin lloj të tatimit.