Me mijëra qytetarë i janë drejtuar gjatë ditës së djeshme malit të Tomorrit me rastin e organizimit të pelegrinazhit. Për shkak të dyndjes, por edhe kushtet e vështira të rrugës, kanë bërë që me qindra makina të bllokohen për disa orë. Festa e shenjtë e Bektashinjve mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut me mijëra pelegrinë, ndërkohë që vetëm gjatë ditës së djeshme malit të Tomorrit i janë drejtuar të paktën 90 mijë persona.
Pelegrinazhi ka nisur zyrtarisht që prej ditës së diel, ndërsa mbyllja do të jetë më datë 25 gusht. Tashmë, në vendin ku është caktuar për vendosjen e pelegrinëve nuk mungon asgjë. Aty janë vendosur çadrat, ndërsa barinjtë e fshatrave të Skraparit u ofrojnë pelegrinëve kurbanët e festës, qengjat, që janë dhe personifikimi i kësaj dite të veçantë. Gjithashtu, nuk mungojnë banjat, ndriçimi dhe uji i pijshëm.
Ashtu siç e kërkon tradita, pjesëmarrësit kryejnë falje te Teqeja e Kulmakut dhe përveç kurbanit, ndajnë një pjesë të vogël nga pasuria e tyre në shenjë mirënjohjeje për të mirat që kanë. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie, bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.
Secili prej pjesëmarrësve duhet të qëndrojnë të paktën një natë në malin e Tomorrit, por ka nga ata që qëndrojnë edhe më shumë. Për garantimin e sigurisë, por edhe të lëvizjes së automjeteve, rreth 100 forca Policie janë vendosur në këtë zonë. Gjithashtu, për t’u qëndruar pranë pjesëmarrësve të shumtë janë vendosur dhe stafe mjekësore, ambulanca dhe zjarrfikëse.
Por, problemi i vetëm që kanë evidentuar qytetarët që janë drejtuar për pelegrinazh drejt malit të Tomorrit, ka qenë rruga. Këtë të martë, dita e pelegrinazhit ka qëlluar në një ditë dhe me Festën e Kurban Bajramit, duke bërë që pjesëmarrja të jetë edhe më e lartë. Por, drejt malit të Tomorrit nuk janë nisur vetëm besimtarë bektashinj. Aty nuk mungojnë qytetarë të besimeve të tjera, si dhe shtetas të huaj.
Mali i Tomorrit konsiderohet mal i shenjtë, pasi në të prehet shenjtori i familjes së profetit Muhamed, Abaz Aliu. Gjatë 5 ditëve të pelegrinazhit janë rreth 400 mijë pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe mbarë bota, të cilët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar Festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që u përkasin.
Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2417 metra mbi nivelin e detit. Gjatë 5 ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës.
Rruga e paasfaltuar, makinat bllokohen për rreth 3 orë
Edhe pse rrugët që të çojnë drejt malit të Tomorrit janë tri, Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj-Teqe; Poliçan-BogovëTeqe dhe Berat-Skrapar-Gjerbës-Kulmak, këshillohet që pelegrinët të ndjekin rrugën Berat-Çorovodë-Gjerbës-Kulmak, që, edhe pse është rruga më e gjatë drejt Teqesë së Abaz Aliut, është rruga më e sigurt për qarkullimin e automjeteve. Shumë prej tyre që kishin zgjedhur si alternativë aksin Provonik-Novaj-Teqe kanë hasur në shumë vështirësi gjatë udhëtimit. Kjo, pasi sidomos për qarkullimin e automjeteve të vogla (autoveturave), ka qenë tejet e vështirë. Ky aks rrugor është hapur vitet e fundit dhe nuk ka parametrat e duhura për të qarkulluar në të. Reshjet e shiut bënë që autoveturat e vogla ta kenë gati të pamundur lëvizjen. Kjo u bë shkak që për rreth 2-3 orë qarkullimi në këtë aks të bllokohej në të dy drejtimet.