Mesut Ozil ka mjaft mundësi që të mos luajë më për kombëtaren gjermane. Kritikat e nisura që para Botërorit për shkak të fotos me Presidentin e Turqisë, Regep Taip Erdogan, janë shtuar akoma edhe më shumë gjatë kompeticionit në Rusi, ndaj edhe i ati i futbollistit e këshillon atë që t’i japë fund me ‘panzerat’.
“Nëse do të isha në vendin e tij, do të thoja ‘mjaft më’. Mesut është fyer dhe zhgënjyer para Botërorit, në ndeshjen miqësore ndaj Austrisë. Askush nuk i doli në mbrojtje edhe pse ka 9 vjet që luan me fanellën e Gjermanisë. Njerëzit gjithnjë shprehen se nëse Gjermania fiton kjo është meritë e grupit, por nëse humbet kjo ndodh për faj të Ozil. Kjo është e turpshme”, u shpreh Mustafa Ozil.
“Mesut ka qenë një shembull gjatë gjithë këtyre viteve, ndaj po krijohet një situatë absurd. Ai e do Gjermaninë dhe e ka treguar gjithnjë këtë gjë, ndaj nuk është e ndershme ky trajtim që po i bëhet. Nuk është hera e parë që Mesut del në fotografi me Erdogan, por politika nuk ka përse të përzihet në çështjet private të lojtarit. Ne nuk jemi marrë asnjëherë me politikë, Mesut është një sportist dhe futbolli nuk ka të bëjë me politikë”, tha Mustafa Ozil, që këshillon djalin 29-vjeçar të mos luajë më me kombëtaren gjermane.