Nga Boldnews.al
Kabineti qeveritar shqiptar po gjendet në vështirësi gjithnjë e më të mëdha lidhur me mundësitë për krijimin e kampeve për azilantët sirianë në vendin tonë.
Qeveria “Rama” ka mbajtur qëndrim mohues gjatë javëve të fundit për këtë çështje delikate, por nga ana tjetër gjendet përballë informacioneve që bëhen publike nga zyra të rëndësishme në shtete të ndryshme të Bashkimit Europian.
Së fundmi, zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, sipas një njoftimi zyrtar, është keqkuptuar nga stacioni televiziv gjerman “ZDF”. Sipas kronikës së gjigandit mediatik gjerman dhe ndërkombëtar, Hodaj është shprehur optimist, duke deklaruar se “Shqipëria është e aftë të përballojë emergjenca të tilla (për refugjatët)”.
Por, gjatë së Mërkurës, Ministria e Brendshme sqaroi se stacioni gjerman “ZDF” e ka shkëputur nga konteksti deklarimin e zv.ministrit Hodaj. Në sqarimin zyrtar, thuhet se Hodaj ka përmendur një situatë hipotetike, duke iu referuar rastit të emergjencës së shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999.
Sipas Ministrisë së Brendshme, thëniet e zv/ministrit Julian Hodaj, të cituara në kronikë janë përgjigjja e një pyetje konkrete: “Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh?”
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është ajo që citohet: “Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”.
Por, përtej sqarimit zyrtar, duket se deklarata “e keqkuptuar” e zv.ministrit Hodaj më shumë është një “lapsus frojdjan”, duke folur për diçka që mund të bëhet realitet së shpejti, por që ai nuk duhet ta thoshte publikisht për momentin.
Kryeministri Rama, ministri i Jashtëm, Bushati dhe të tjerë zyrtarë shqiptarë janë munduar këto ditë që të minimizojnë informacionet që mbërrijnë nga jashtë Shqipërisë lidhur me kampet për azilantët sirianë.
Fillimisht ishte kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i cili deklaroi në Tiranë rreth dy javë më parë se Shqipëria është vendi potencial për ngritjen e kampeve të azilantëve.
Më pas, kancelari austriak Sebastian Kurz, në një intervistë për televizionin kryesor të vendit të tij, nuk e mohoi faktin që Shqipëria do të jetë vendi pritës i azilantëve nga Lindja e Mesme, të cilëve po u mbyllen dyert nga shumë vende të Bashkimit Europian.
Politico.eu shkruante të mërkurës se edhe Presidenti i Komisionit Europian, Donald Tusk, është shprehur në favor të idesë që emigrantët sirianë dhe nga vende të tjera të Lindjes së Mesme, fillimisht të akomodohen në vende tangente me Bashkimin Europian dhe të qëndronin në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil. Politico.eu, pavarësisht se nuk i referohej në ligjëratë të drejtë presidentit Tusk, hidhte idenë se këto vende “tangente me BE”, me shumë mundësi janë Shqipëria dhe Tunizia.
Këtu e mbyllte analizën e saj “Politico.eu”. Duke e vijuar idenë e tyre, idea e Tusk afrohet më shumë me Shqipërinë, për arsyen se vendi ynë mund të marrë këtë “kosto”, si detyrim për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, Tunizia, një vend afrikan, nuk ka asnjë mundësi reale, gjeopolitike dhe gjeografike për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Në këtë situatë deklaratash, mohuese nga Tirana dhe thuajse-pohuese nga disa vende të Bashkimit Europian, vjen edhe deklarata kontradiktore e zv.ministrit të Brendshëm, Julian Hodaj, për stacionin gjerman “ZDF”.
Në sqarimin për deklaratën e tij, Ministria e Brendshme argumenton se ai ka folur për situata emergjence, të cilat Shqipëria i ka kaluar më parë, duke iu referuar krizës së qytetarëve kosovarë, të cilët u dëbuan me dhunë nga forcat serbe në vitin 1999.
Rastet, edhe nëse e pranojmë versionin zyrtar sqarues të Ministrisë së Brendshme, nuk janë aspak të ngjashme. Në vitin 1999, Shqipëria u gjend në një situatë shumë të vështirë, pasi në territorin e saj mbërritën thuajse 1 milion qytetarë të Kosovës, një pjesë e të cilëve u kthyen pas nga forcat kufitare maqedonase.
Emigrantët kosovarë u pranuan në shumë familje të Shqipërisë, për arsyen madhore se bëhej fjalë për bashkëkombas, të cilët u larguan me përdhunë nga shtëpitë e tyre. Pra, më shumë se sa elementi politik dhe menaxherial, situata e emergjencës së kosovarëve u përballua për shkak të aspektit emocional ndërmjet shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Në asnjë rast, në atë kohë, askush nuk ngriti dyshimin më të vogël se ndërmjet emigrantëve nga Kosova, mund të përfshiheshin apo të infiltroheshin edhe elementë terroristë, pikërisht kjo që sot frikëson më shumë shtetet e BE-së që po ngrenë barriera për emigrantët sirianë.
Qeveria shqiptare, sërish rezulton e paaftë t’u shpjegojë qytetarëve të saj qartë dhe prerë mbi vullnetin për të pranuar apo jo azilantë nga Lindja e Mesme. Nga njëra anë, opinioni publik është tërësisht kundër ngritjes së kampeve të emigrantëve në Shqipëri. Nga ana tjetër, qeveria e Edi Ramës mundohet të tregohet sa më e hapur me Bashkimin Europian, vetëm e vetëm për të arritur një qëllim politik të momentit-hapjen e negociatave me BE-në.
Për të arritur këtë pikësynim, Rama është i gatshëm të shtojë ndjeshëm numrin e rezidentëve në Shqipëri me emigrantë sirianë, pasi duket i bindur se vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojë mbështetjen e burokratëve të Bashkimit Europian, të cilët nuk rezultojnë aspak të kënaqur me forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.