Kryeministri Ramush Haradinaj, ka folur sot në një konferencë për media në qeveri lidhur me platformën e dialogut me Serbinë, për tërheqjen e saj nga Kuvendi. Ai ka thënë se platformën e ka tërhequr që të mos ndikojë keq te gjetja e unitetit, por sipas tij ata që e kanë kundërshtuar platformën, hall kanë pasur se kush po bëhet pjesë e delegacionit. Ndërsa për tërheqjen e tij nga dialogu me Serbinë, Haradinaj e ka pranuar se Thaçi është më i mirë. Por, sipas tij, duke punuar kryeministri brenda, presidenti do ta ketë shumë më lehtë t’i mbrojë interesat e shtetit atje në tavolinë.
“Është më mirë të kuptohet se janë momente të rëndësishme strategjike të vendit tonë, s’ka lidhje fort se qysh e ka emrin ky apo ai, por të jemi bashkë në tavolinë. Dhe bindja ime është se duhet të ketë një ekip politike ku janë institucionet e vendit, presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, kryetarët e partive politike parlamentare. Gjithashtu të kemi një grup strategjik me ekspertë të partive, e njëkohësisht të kemi edhe mekanizmin ekzistues të dialogut që e udhëheq zoti Arifi. Këtë e them, se si do që të shkojnë këto dinamika, kjo është temë e krejt Kosovës”.
“Unë e kam tërheq platformën që të mos bëhem pengesë në arritjen e këtij konsensusi politik. Në fakt ata që e kanë kritiku platformën nuk e kanë pasur hallin te përmbajtja. Neni numër nëntë i platformës ka thënë se vendimet i merr Parlamenti. Pra ashtu siç i takon pronësia në këtë çështje, ashtu e kemi lënë, pra te Parlamenti, dhe unë nuk ja kam dhënë këtë Presidentit. Është gabim se si janë qasë atëherë, dhe shpresoj që të mos bëhet pengesë emri i ndonjërit prej neve, që të humbim si Kosovë. Besoj se ata që e humbin hapin, e humbin për vete dhe jo në dëm të tjetrit”, ka thënë Haradinaj.