Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka paralajmëruar të tjera skandale që lidhen me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Në një intervistë për Top Channel, Kryemadhi ka thënë se Ramës së shpejti do t’i plasë skandali ku përfshihet vëllai i tij.
Sipas saj pikërisht nga frika e skandaleve të Olsit, Edi Rama po e mban akoma në qeveri Fatmir Xhafajn.
Intervista:
Znj.Kryemadhi, aksioni opozitar vazhdon të jetë i koordinuar si gjatë ditës së sotme, sa do të vazhdojë, deri më 28 qershor?
Aksioni opozitar vazhdon, vazhdon që në momentin që ne jemi prezent, pavarësisht se Parlamenti i ka përfunduar të gjithë etapat e tij të komunikimit të një Parlamenti demokratik. Të një Parlamenti për të cilin shqiptarët kanë aspiruar. Por detyra jonë si opozitë është që të jemi aty prezent sepse ne nuk përfaqësojmë Gramoz Ruçin, as Taulant Ballën, aq më keq Edi Ramën, por përfaqësojmë ata votues që kanë besuar qoftë te LSI, qoftë te PD. Unë mendoj që aksioni opozitar do të vazhdojë duke u rritur sepse e kupton çdo ditë e më shumë, ne nuk është se nuk e dimë, ne jemi të bindur që logjika me krimin e organizuar nuk funksionon. Por pavarësisht nga kjo ne kemi detyrën tonë që duhet të realizojmë ose të kalojmë të gjitha etapat demokratike deri në përfundim për të arritur atë çka shqiptarët sot, për hir së vërtetës 80% e tyre kërkojnë largimin e kësaj qeverie e cila është totalisht e inkriminuar.
A prisnit më shumë njerëz në shesh më 26 maj znj.Kryemadhi?
Unë mendoj që shumë media janë viktima të makinës propagandistike të Edi Ramës, e cila vajiset me paratë e drogës. Mitingu i 26 Majit ka pasur dyfishin e pjesëmarrjes së 27 Janarit, por kjo ka ardhur si rezultat i shtrirjes dhe po të shikoni fotot keni jo vetëm njerëzit në Bulevard, por keni njerëzit në parkun Rinia, në parkun e vëllezërve Frashëri apo dhe te Piramida. Pra pjesëmarrja ka qenë shumë e madhe, edhe pse ka qenë një nga ditët më të nxehta të Shqipërisë. Pavarësisht nga kjo, unë nuk them që ne do të hyjmë në garën e numrave sesa mendoj që është shumë më e rëndësishme për të kuptuar që sot çdo biznes ku troket, në çdo derë shqiptari ku troket do të shikosh që shqiptarët janë më të varfër dhe më të dëshpëruar. Pra dëshpërimi i tyre nuk ka pasur asnjëherë shkallë kaq të lartë siç është sot në 2018. As në 97 kur humbën paratë e tyre në firmat piramidale. Ajo që është e dhimbshme është që Edi Rama ka punuar me një plan shpërbërje të Shqipërisë, ekzaktësisht shumë të saktë për të rritur shkallën e dëshpërimit në mënyrë të tillë që shqiptarët të shikojnë si të vetmen zgjidhje largimin e tyre. Por nuk mund të largohen dot të gjithë shqiptarët. Të jetë i bindur që unë do jem e fundit që do largohem nga Shqipëria dhe kur të largohem, do largohem bashkë me të.
Znj. Kryemadhi një deklaratë e juaja në Ora News e lidhur me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj, në opinionin publik ka tingëlluar si një hap mbrapa e LSI-së nga PD, e cila e quan fajtor edhe moral edhe ligjor ministrin e brendshëm për shkak të vëllait të tij.
Nuk është e vërtetë, unë e përgënjeshtrova menjëherë dhe ia bëra në prezencë personit i cili ishte në emision. Unë them se Fatmir Xhafa nuk mban përgjegjësi se çfarë ka bërë vëllai i tij para 20 vjetëve, pavarësisht se ligjin Antimafia të cilin e kanë votuar vetë, është një nga ligjet i cili nuk e lejon z.Xhafa të jetë sot ministër i Brendshëm. Dhe për këtë duhet të reagojë sistemi. Dhe ana tjetër, Fatmir Xhafa mban përgjegjësi dhe morale dhe ligjore dhe politike dhe fizike në momentin që vëllai i tij ka përdorur të gjithë segmentet e policisë së shtetit. Dhe mendoj që jam shumë e qartë sepse këtë deklaratë unë e kam bërë me kohë më përpara. Por për një gjë të jeni të bindur. Këtu nuk është çështja e Fatmir Xhafës, sepse Fatmir Xhafa në fund të ditës është njëri nga ushtarët e perandorisë së Edi Ramës, ashtu si deri dje ishte Saimir Tahiri. I cili deri dje e kërcënonte me fotot me videot me gjithë materialet që ai dispononte për vëllain e Edi Ramës dhe familjarët e Edi Ramës. Ashtu të njëjtën gjë ai kërkon të krijojë një aludim të tij po përsëri me z.Xhafa. Të jeni të bindur që kërkon ta përdori z.Xhafa si një element, i cili në njëfarë mënyre kishte një përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar dhe sot i bën hije z.Xhafa në mënyrë për ta larguar dhe për të thënë që këtu të gjithë njerëzit janë të inkriminuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Dhe mbajtja e z.Xhafa për shkak të pozicionit të vëllait të tij, është një masë profilaktike ose po themi një lloj prezervativi që Rama e përdor për çështjen e vëllait të tij që nesër pasnesër do ti shpërthejë shumë shpejt.
Jeni e bindur për këtë?
Sigurisht që jam e bindur, ka prova dhe i kam parë dhe me sytë e mi. Por nuk jam e autorizuar për ti thënë, sepse ka institucione ligjore jashtë shqiptare të cilat po merren me të. Si duhet ta lexojmë në momentin kur ju bojkotoni sallën e Parlamentit, ndonjëherë deputetët tuaj qëndrojnë në sallë dhe votojnë. Kjo është liri brenda grupit Parlamentar apo thjesht nuk janë të bindur që bojkoti funksionon? A ju kërkoni llogari këtyre deputetëve? Ne nuk bojkotojmë si grup Parlamentar, e kemi bërë shumë të qartë si LSI. Përsa i përket qëndrimeve politike me PD jemi të unifikuar. Ndërsa përsa i përket çështjes së bojkotit të komisioneve Parlamentare, ne si LSI kemi marrëdhënie të kushtëzuar me komisionet Parlamentare, për shkak të vetë pozicionimit dhe në çdo komision, të jeni të bindur që do ketë nga një përfaqësues të LSI-së, për të vetmen arsye sepse nga eksperiencat tona, por edhe nga praktika kemi që Rilindja funksionon në manipulimin e proceverbaleve. Pra kalohen projektligje, si rasti i dy projektligjeve që janë kaluar në komisionin e mediave që nuk kanë pasur koorumin. Janë kaluar për tu sjell në seancë, pra duke shkelur procedurat dhe duke bërë një proces falsifikimi. Duke qenë që ne kemi një Sekretar të përgjithshëm të Parlamentit shqiptar, ish-Sekretarin e përgjithshëm të z.Tahiri, të ministrisë së brendshme, i cili ka probleme shumë të mëdha për mendimin tim dhe shpresojmë që në mos sot drejtësia vonon por nuk do të harrohet. Do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha zullumet e tyre që kanë bërë. Jam e bindur që kjo histori, është një histori që duhet të tregojmë jo vetëm thjesht anën e forcës dhe të prezencës në Parlament, por duhet të tregojmë edhe mençurinë tonë për të menaxhuar, vërtetuar dhe për të evidentuar çdo shkelje dhe falsifikim që po bën mazhoranca e këtij krimi të organizuar.