Bëhet fjalë për prona në Zvërnec, Ujin e Ftohtë, Karaburun dhe Palasë – ku sipërfaqja e tjetërsuar përllogaritet në rreth 500 hektarë.
Sipas prokurorisë, prodhimi i dokumenteve të falsifikuara, certifikimi i tyre nga institucionet shtetërore dhe më tej shitja tek palë të treta është skema e përdorur nga Petritaj në tjetërsimin e pronave që sot zotërohen nga politikanë, biznesmenë apo edhe kompani që kanë përfituar nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama statusin e investitorëve strategjikë në turizëm.
Vendimet gjyqësore të dosjeve të tjetërsimit të këtyre pronave janë ankimuar nga Prokuroria e Vlorës në Gjykatën e Apelit. Deri në fillim të këtij muaji, 54 vjeçari nga Vlora, edhe pse i proceduar disa herë, kishte rezultuar i suksseshëm në përballjet e tij me drejtësinë.
Megjithatë, fitoreve të tij juridike u erdhi fundi me datë 3 prill, kur Gjykata e Vlorës e shpalli fajtor për falsifikimin e dokumenteve për përfitimin e paligjshëm të 181.12 hektarëve tokë në fshatin Zvërnec, duke e dënuar me tre vjet heqje lire.
Në një komunikim me BIRN pas shpalljes së vendimit, i pandehuri Petritaj i mohoi akuzat, ndërkohë që e akuzoi gjykatën si të korruptuar.
“Gjykata vendosi mbi atë që kërkoi prokuroria dhe është e kuptueshme se këtu ka interesa të tjera. Kështu është kur nuk u jep para”, akuzoi Petritaj.
Avokati i Petritajt, Enkes Hysendhima i tha BIRN në një bisedë telefonike se fakti që emri i klientit të tij dilte në disa çështje, vinte sepse ai ishte përfaqësues i një familje të madhe pronare e shumë tokave.
“Duke qenë përfaqësues i familjes pronare më të madhe në Vlorë, normalisht sipërfaqet janë të mëdha dhe krijohen konfliktet civile. Civile (padi) nuk bën asnjëri dhe i kanë mësuar bëjnë penale”, tha Hysendhima.
“Prokuroria ka qenë e njëanshme, shumë e njëanshme. Pala që ka bërë kallëzimin penal, i ka dokumentet e falsifikuara dhe kundër saj është bërë kallëzim penal këto ditë,” shtoi ai.
Tjetërsimi i 182.12 ha tokë në Zvërnec
Falsifikimi i një dokumenti të vjetër në gjuhën osmane i ka shërbyer Pëllumb Petritajt që në emër të familjes Shehu të njohë të drejtën e pronësisë mbi 182.12 ha tokë në Zvërnec. Pjesë e këtij dokumenti është dhe pretendimi për zotërimin e një sipërfaqeje prej 59 800 m2 në zonën e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë.
Në gusht të vitit 2007, i pajisur me një prokurë përfaqësimi nga familja Shehu, Petritaj dorëzoi në zyrën rajonale të Kthimit dhe Kompensimin të Pronave në Vlorë, dokumentet me objekt njohjen, kthimin dhe kompensimin e kësaj prone.
Në dokumentet e dorëzuara, Petritaj ngre pretendimin se sipërfaqja e tokës prej 182 ha i është sekuestruar shtetasit Seit Shehut në vitin 1944.
Prona është njohur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë në qershor 2008. Një muaj më vonë, Petritaj i drejtohet Gjykatës së Rrethit Vlorë për njohjen e faktit juridik të pronës së familjes Shehu.
Dokumentet që BIRN disponon tregojnë se gjyqtarit Erarbër Madhi i është dashur vetëm një seancë të njohë të drejtën e pronësisë, pasi dosja në Gjykatën e Rrethit Vlorës është dorëzuar më 30 qershor dhe vendimi që i njeh të drejtën mbi pronën është marrë më 30 korrik të vitit 2008.
“Të njihet e drejta e pronësisë për një sipërfaqe të përgjithshme prej 187.12 ha; të kthehet sipërfaqja e përgjithshme prej 52.1 ha dhe të njihet e drejta e kompensimit për diferencën e tokës bujqësore prej 49.6 ha dhe 340 m² truall në kuptim të ligjit,” shkruhet në vendimin e formës së prerë të gjyqtarit Madhi.
Në vitin 2010, kjo pronë regjistrohet në emër të Ramiz dhe Kudri Shehut, duke u mbivendosur në një sipërfaqe prej 24 ha mbi pronat e njohura dhe të kthyera më herët pasardhësve të Arshi Dajlanit, familja e të cilit u persekutua gjatë regjimit komunist për shkak të pronave që zotëronte.
Në këtë moment, të gjitha veprimet juridike për familjen Dajlani pezullohen.
Konflikti mes familjes Dajlani dhe familjes Shehu është hetuar në vitin 2009 nga prokuroria e rrethit të Vlorës. Përveç familjes Dajlani, ankesa për sipërfaqen e madhe të tokës së kthyer në favor të familjes Shehu kanë parashtruar në prokurorinë e Vlorës edhe banorët e zonës së Nartës.
Por hetimet janë pushur me argumentin se nuk ekzistojnë provat që mund të ngarkonin me përgjegjësi penale shtetasin Pëllumb Petritaj, pasi nuk vërtetohej falsifikimi i dokumenteve arkivore.
Në tetor të vitit 2011, një grup punëtorësh filluan punimet për rrethimin e tokës prej 52.1 ha që gjykata ia rikthehu familjes Shehu në Zvërnec. Prona, nëpërmjet një kontrate shitje me kusht, i kishte kaluar ish- deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami – i cili në Dhjetor 2016 humbi mandatin për shkak se nuk kishte deklaruar problemet me ligjin në të kaluarën.
Dokumentat tregojnë se Pëllumb Petritaj, në emër të Ramiz dhe Kudri Shehut i shet sipërfaqen prej 54 138 m2 ish deputeti Selami me çmimin e 9.7 milionë lekëve.
“Kur kam parë që po kryheshin punimet kam mësuar që prona ime i kishte kaluar ish deputetit, i cili kishte filluar të ndërtonte aty,” kujton 72 vjeçarja Dhurata Dajlani, trashgimtare e familjes.
“E kam paditur për kryerjen e ndërtimeve pa leje, pasi çështja ishte ende në gjykim por dhe për këtë rast hetimet mbylleshin, pasi prokuroria arsyetonte që muri rrethues mbi lartësinë e 50 centimetrave nuk konsiderohej ndërtim pa leje,” shtoi ajo.
Ish deputeti Selami i tha BIRN se e kishte blerë tokën nga Petritaj me dëshirën për të ndërtuar një stallë kuajsh – një nga pasionet e tij të mëdha në jetë, por shpejtë kishte zbuluar se prona ishte e kontestuar nga dy familje.
“Para vitit 2011 unë kam shkuar tek kryetari i komunës Nartë dhe i kam shprehur dëshirën time për të investuara në atë zonë. Doja të bëja një stallë kuajsh pasi unë jam i pasionuar, kam kuajt e mi. I kam kërkuar të më jap me qira një pronë jo produktive,” kujtoi Selami.
Sipas Selamit, pasi ishte dakordësuar me kryetarin e komunës dhe filloj punimet, vjen shtetasi Pëllumb Petritaj i cili i thotë se në këtë zonë ishte pronar familja Shehu të cilën ai e përfaqësonte, por kjo e fundit ende nuk i kishte nxjerrë certifikatat e pronësisë.
Selami thotë se ka rënë dakord të bëjë kontratë me kusht me Petritajn, deri në mometin zgjidhjes së plotë të problemeve juridike të pronës . Më pas ai ka mësuar se për pronën kishte pretendime edhe një familje tjetër.
“Që nga ai moment unë jam tërhequr dhe nuk kam bërë asnjë investim. Pres që shteti të saktësoj një herë e mirë këtë çështje dhe unë më pas të kontaktoj pronarin e vërtetë të tokës pasi jam shumë i interesuar të zhvilloj projektin tim,” tha Selami.
“Unë mbas kuajve jam i pasionuar dhe ajo që doja të bëja është një ambient të mirë për to,” përfundoi ish deputeti.
Tjetërsimi i sipërfaqes së konsiderueshme të tokës në Zvërnec është denoncuar edhe në Task Forcën e e ngritur nga Kryeministri Edi Rama për tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.
Në letrën drejtuar Tak Forcës në vitin 2014, Dhurata Djalani shpjegon të gjitha peripecitë e pronës së familjes së saj, të cilat nisin pas kërkesës së bërë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut të Vlorës nga shtetasi Pëllumb Petritaj.
“Të gjitha ankesat e mia apo dhe kallëzimet në prokurori mbylleshin. Unë vazhdoj të jem ende në procese gjyqësore për shkak të mbivendosjes së kryer, pas regjistrimit të pronave të familjes Shehu,” tha Dhurata Dajlani në një intervistë për BIRN.
Çështja e tjetërsimit të pronave në Zvërnec rihapet nga Prokuroria e Vlorës vetëm në nëntor të vitit 2015.
Pas tre vitesh hetime për tjetërsimin e pronave, Prokuroria ngarkoi me përgjegjësi penale Pëllumb Petritajn. Bashkë me të u akuzua dhe ish drejtor i zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë, Petro Puleri, ish përgjegjës i sektorit juridik në zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe aktualisht nëndrejtor i Hipotekës së Vlorës, Klodian Jahaj, si dhe specialistja në zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Mirjam Isufaj.
Organi i akuzës argumenton se nga të gjitha aktet shkresore të depozituara, nuk rezulton që shtetasi Seit Shehu të jetë shpronësuar apo t’i jetë sekuestruar apo konfiskuar ndonjë pasuri nga autoritetet e shtetit nga data 29 nëntor 1944 e në vazhdim.
“Del qartë se i pandehuri Pëllumb Petritaj, duke u paraqitur si përfaqësues me prokurë i shtetasit Ramiz Shehu, ka pasur si qëllim finalizimin e një veprimtarie për marrjen dhe kthimin me anë të dokumenteve të falsifikuara të pasurisë shtetërore në favor të trashëgimtarëve të shtetasit Seit Shehu,” thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë së Vlorës, e cila e akuzon Pëllumb Petritajn se ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.
Më 3 prill 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi biznesmenin Petritaj me 3 vjet burg. Gjykata gjithashtu dënoi me burg dhe tre punonjësit e agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.
Rigjykim dosjeve të pronave në Jug
Dosja e falsifikimit të pronave në Zvërnec nuk është përballja e parë e Pëllumb Petritajt me drejtësinë. Nga qershori 2016 deri në korrik 2017, ai ishte një person i shpallur në kërkim nga prokuroria e Vlorës.
Prokuroria fillimisht dyshonte se Petritaj kishte një rol kryesor në një grup të strukturuar kriminal i përfshirë në falsifikimin e pronësisë të 220 hektarëve tokë në Karaburun, 89 hektarëve tokë në Zvërnec dhe 33 hektar tokë në Palasë.
Tjetërsimi i secilës prej këtyre pronave, sipas hetimit të Prokurorisë, u ngrit mbi krijimin dhe futjen në arkivën e Gjykatës së Rrethit Vlorë të dosjeve gjyqësore të sajuara dhe vendimeve fiktive të tre gjyqtarëve – firmat e së cilëve rezultuan gjithashtu të falsifikuara.
Ndër dosjet e falsifikuara rezulton një vendim i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi – i vrarë në vitin 2011 në Vlorë me një sulm me eksploziv i tipit mafioz, dhe të një gjyqtari tjetër Qatip Bylykbashi, i cili rezulton të jetë larguar nga Shqipëria që në fillim të vitit 1990.
Vendimet e falsifikuara gjyqësore u përdorën më pas në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku u certifikua tjetërsimi i pronësisë së tre sipërfaqeve të mëdha të tokës.
Pas regjistrimit në hipotekë, pronat iu nënshtruan ndarjes në parcela më të vogla dhe u shitën përmes kontratave multimilionëshe apo u shkëmbyen me prona të tjera përgjatë viteve 2012-2016, ku në pjesën më të madhe të transaksioneve rezulton emri Pëllumb Petritaj.
Megjithatë, pas një viti hetimesh Prokuroria e rrudhi numrin e personave të implikuar dhe akuzat në kërkesën për gjykim, duke përjashtuar biznesmenin Pëllumb Petritaj, njëherazi ish-kryetar i Partisë Republikane të Vlorës dhe noteren Belona Seraj.
Pas një viti, Gjykata e Vlorës shpalli përgjegjës kryesor të kësaj dosje Rajmond Mëzin – një 56 vjeçar me profesion varrmihës, dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg për falsifikimin e pronësisë së 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec. Një tjetër i pandehur, Lefter Gjergji, i cili akuzohej për tjetërsimin e 33 hektarëve tokë në Palasë u dënua me 16 vjet burg.
Avokati i biznesmenit Petritaj, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të dokumenteve u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.
Këtë dosje, Prokuroria e Vlorës e ka apeluar në gjykatën e Apelit ndërkohë që i është rikthyer hetimeve për të gjitha pronat që rezultojnë të lidhura me aktivitetin e Petritajt.
Në një material prej më shumë se 70 faqesh, Prokuroria e Vlorës kundërshton vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së këtij rrethi. Prokuroria insiston në dënimin e avokatit Enkes Hysendhima, duke e cilësuar atë si njeriun kyç në krijimin e skemës kriminale të tjetërsimit të pronave. Sipas akuzës, gjykata ka dhënë vendime të pabazuara në ligj në shpalljen e avokatit të pafajshëm, dhe si i tillë është i pavlefshëm.
Në një investigim i BIRN zbuloi se përfituesi kryesor i pronës në gadishullin e Karaburunit ishte shtetasi Artur Shehu- një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikë.
Nëpërmjet transaksioneve të kryera nga Pëllumb Petritaj dhe avokati Enkes Hysendhima, prona i janë shitur gjithashtu në shuma të konsiderueshme biznesmenëve, politikanëve apo dhe njerëzve me rekorde kriminale.