Gazeta më e madhe greke “Kathimerini” thotë se nacionalizmi i shqiptarëve është i vetmi mjet për të ndaluar ambicien e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Ballkan.
Përmes një editoriali të titulluar “Nacionalizmi shqiptar është bastion kundër ambicieve të Erdogan në Ballkan”, Kathimerini shkruan se shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që mund të ndalojnë Presidentin turk të shtrijë ndikimin në këtë rajon
“Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka hapur disa fronte lufte në Lindjen e Mesme dhe njëkohësisht po kërcënon Detin Egje dhe Mesdheun Lindor. Kjo nuk do të thotë se Ballkani nuk është në vëmendjen e tij. Plani i Erdogan është çrrënjosja nga rajoni e çdo bashkëpunëtori të klerikut në arrati Fetullah Gylen, të cilët gjenden nëpër shkolla dhe institucione të tjera të lidhura me lëvizjen e Gylen. Pak kohë më parë ai detyroi qeveritë që të mbyllnin shkollat dhe të dorëzonin “terroristët”. Vetëm muajin e kaluar, 6 shtetas turq u rrëmbyen në Kosovë nga agjentët e Shërbimit të Inteligjencës së Ankarasë. Ndërkohë Erdogan ka nisur një fushatë propagande për të frikësuar shqiptarët, me pretendimin se gylenistët planifikuan grusht shteti.
Përpjekjet e Presidentit turk për të manipuluar shqiptarët etnikë në Ballkan përmes radikalizmit fetar, duket se kanë shkuar shumë larg në sytë e shqiptarëve. Kjo sepse ai ka goditur në një temë të ndjeshme, që është nacionalizmi. Poeti i tyre kombëtar, Pashko Vasa i cili ka shkruar se ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’, është një fakt që vepron si pengesë kundër përpjekjes së infiltrimit neo-otoman. Shqiptarët mund të mirëpresin investimet turke ose paratë për ndërtimin e xhamive, por shumë pak duan të jetojnë nën një demokraci sipas linjës së Erdogan. Pjesa më e madhe e tyre i kanë sytë drejt Perëndimit, ku ata shohin një të ardhme për veten e tyre, dhe më e rëndësishmja, për fëmijët e tyre. Mbi të gjitha, ata mendojnë se Islami, sidomos Islami radikal, minon identitetin e tyre kombëtar. Në fund të fundit, ata e dinë nga librat e historisë se paraardhësit e tyre luftuan për të çliruar veten nga sundimi osman. Disa muaj më parë, pranë Shkodrës u përurua një hidrocentral, ndërtimi i të cilit u financua nga Turqia. Banorët e zonës shkatërruan flamurin turk që ishte vendosur në fasadën e hidrocentralit. “Ishte provokim. Ne luftuam osmanët që na kishin skllavëruar për shekuj me radhë. Nuk mund të zgjohemi në mëngjes nën atë flamur”, tha një banor për një televizion të Tiranës.