Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar e klasifikojnë Shqipërinë si vendin e dytë në rajon me rritjen më të lartë ekonomike. Për vitin 2017, ky tregues ishte në kuotën e 3.9%, duke u lënë pas vetëm nga Kosova, që regjistroi një rritje ekonomike prej 4.1%.
Për këtë vit, FMN është më skeptike dhe parashikon një tkurrje të rritjes ekonomike të vendit tonë, në 3.7%. Por edhe me këtë ngadalësim, Shqipëria do të vijojë të ruajë pozicionin e vendit të dytë në Ballkan për rritjen më të lartë ekonomike.
“Nëse shikojmë treguesit e rritjes ekonomike për vitet 2016 dhe 2017 mund të lexohet qartë se Kosova, Rumania dhe Mali i Zi pavarësisht kapaciteteve në punë kanë shfaqur një rritje ekonomike mbi nivelet mesatare të rajonit. Megjithatë, niveli i rritjes së vitit 2016 nuk ka vijuar edhe në vitin 2017.
Ndërsa rritja ekonomike në rajon është e dukshme, këto nivele janë shumë më poshtë se ato të para krizës globale të 2008-09”, theksohet në raportin e qendrës studimore, Altax për vitin 2017.
Përballë nevojës për të pasur rritje ekonomike sa më të larta, a reflektohet kjo tek punësimi?
Ekspertët e Altax vlerësojnë se Shqipëria ka qenë vendi me performancën më të mirë përsa lidhet me indeksin e punësimit, me një normë mesatare papunësie të barabartë me rreth 15 për qind të fuqisë punëtore.
“Dikush mund të argumentojë se papunësia e lartë rezulton nga tregu informal i punës, i cili nga ana e tij udhëhiqet nga taksat e larta dhe barrierat rregullatore.
Por, nëse bazohemi në të dhënat e Anketimit mbi Performancën e Sipërmarrjeve dhe Klimën për Biznes në 2017 arrihet në përfundimin se barrierat për bizneset e reja janë ndër faktorët më të fortë kontribuesë në nivelin e lartë të papunësisë në rajon”, theksohet në raport.
Por sipas ekspertëve të Altax, është e dukshme që arsimimi më i mirë nuk ka rritur gjasat për të rritur punësimin në Ballkanin Perëndimor (ndryshe nga sa ndodh p.sh. në Gjermani, ku arsimimi mbetet një pikë referimi), përveç një rënie të nivelit të papunësisë, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë – Hercegovinë për individët me arsim të lartë dhe post universitarë.
Në Shqipëri, shkalla e papunësisë e forcës për punë me arsim bazë është sistematikisht më e ulët se sa shkalla e papunësisë për forcat e punës me arsim të mesëm dhe të lartë.
“Këto gjetje mund të sugjerojnë një rol thelbësor për tregun joformal të punës (pavarësisht nivelit të arsimimit) dhe një mospërputhje midis profilit të arsimimit, cilësisë dhe kërkesës aktuale për punë”, sugjerojnë ekspertët.